E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Erind Reovica

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit, Erind Reovica. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi  pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Reovicës.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 508, datë 10.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Erind Reovica”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Prokurori Erind Reovica u shkarkua nga detyra më 10 shkurt 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, se ishte i papërshtatshëm për profesionalizmin dhe se me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte cenuar besimin e publikut tek drejtësia,

Erind Reovica ka qenë oficer i policisë gjyqësore nga viti 2005 deri në 2014-ën, kur filloi të ushtrojë detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›