Gloria Gjura: Kam bërë realitet ëndrrën time!

Të bëhet këngëtare, kjo ka qenë dëshira e kahershme e vajzës 19-vjeçare që u bë e njohur përmes pjesëmarrjes në një “reality show” shqiptar. E së fundi, një bashkëpunim muzikor me kompozitorin Gjergj Leka e ka shtyrë Gloria Gjurën të shohë realitetin me sytë hapur dhe të besojë se edhe ajo mund të jetë një emër i njohur në fushën muzikës. “Duke qenë se me Gjergjin njihem prej disa vitesh, kjo bëri që në rastin e parë kur atij iu dha mundësia të më ofronte mua një bashkëpunim, e bëri pa u menduar gjatë. Kështu, ne kënduam së bashku një këngë që u dedikohet tërësisht flokëve, dhe mund të them se ishte më tepër një kolazh i përgatitur nga vetë ai. Nisi me hitin e njohur “25 gërsheta”, më pas “Për kaçurrelat e tua” e disa këngë të tjera që kanë bërë jehonë ndër vite në skenat shqiptare, dhe mua më vjen mirë që m’u dha mundësia, që në performancën e parë në skenë të këndoj hite realisht të vështira, që më parë janë kënduar nga kolosët e muzikës sonë”, pohon Gloria.
Duket se kjo eksperiencë e ka kthyer pas në kohë, pikërisht në moshën 6-vjeçare, ku ajo ka kënduar për herë të parë në festivalin e fëmijëve. Kënga ka qenë një traditë e hershme në familjen “tironse” ku Gloria është rritur, por kjo nuk do të thotë aspak se ajo vetë ka pasur një dëshirë të zjarrtë për t’i ngjarë së ëmës, e cila është një prej këngëtareve më të njohura të muzikës popullore e qytetare tiranase. “Këngën e kam kultivuar shpesh si një pasion timin, por kohët e fundit kam dashur me çdo kusht që edhe unë t’i hyj kësaj fushe për t’u bërë e njohur. Kam pasur disa oferta të kënaqshme për të kënduar nëpër klube të famshme jashtë shtetit, por ka qenë familja ime që më ka penguar. Mamaja ime, duke e ditur sesi funksionon biznesi i muzikës në vendin tonë, ka qenë e para që më është bërë barrikadë, madje edhe përpara se të vendosja për bashkëpunimin me Gjergj Lekën. Por edhe ata e panë se për mua kënga është jeta dhe diçka për të cilën askush nuk mund të më pengojë, kështu që më në fund kam bërë realitet ëndrrën time”, vijon ajo.
Ndërsa prej disa ditësh Gloria Gjura ka biseduar edhe me tre kompozitorët më në zë të momentit, për të punuar rreth një këngë të re, e cila do të shoqërohet edhe nga një videoklip interesant. Gjetja e saj do të jetë vërtet speciale, sepse ajo dëshiron që të godasë me zërin e saj dhe jo me performancat e zhveshjes nëpër klipe, siç bëjnë rëndom shumë këngëtare sot. “Dua të bëj muzikë profesionale dhe jo lakuriqësira për të hyrë në garë me koleget e tjera se kush zhvishet më shumë. Personalisht, kjo më duket një garë e humbur që prej stratit, sepse unë nuk dua që të më vlerësojnë për pamjen, për lëvizjet në skenë apo në klipe, por për muzikën me taban që unë dua të prezantoj”, thotë me bindje Gloria.
Por, nëse muzika është dashuria e saj e parë, kjo nuk do të thotë se në jetën e 19-vjeçares nuk ka një të dytë. Këtu nuk bëhet fjalë për shpirtin e saj binjak, pasi ajo vazhdon të jetë e vetme që pas ndarjes nga Enveri, por për modelingun. Ofertat e fundit për të pozuar për disa stiliste të njohura shqiptare e kanë joshur Glorian, dhe kjo e ka zhytur atë më tepër në punë. “Para dy ditësh bëra një set fotografik për një stiliste shqiptare me fustane mbrëmjeje, dhe të gjitha do të publikohen në një revistë prestigjioze mode, ku unë do të jem modelja e parë. Ndërsa kam qenë pjesëmarrëse në një tjetër sfilatë që u organizua Rinas para pak kohësh, ku unë isha pozicionuar në fakt si “qershia mbi tortë”, sepse isha unë që mbylla sfilatën me veshjet më speciale të të gjithë atij evenimenti. Më ka ecur vërtet mbarë në këtë fushë, pasi së shpejti pres të nënshkruaj edhe disa kontrata të tjera pune për stilistë shqiptarë, të cilët do të prezantojnë koleksionet më të fundit të modës”, thekson Gloria, ndërsa largohet në një tjetër takim pune me një kompozitor të talentuar, me të cilin do të mbyllë disa projekte muzikore që ajo i ka shumë për zemër.