E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa Flamurtari serish ne gare

Flamurtari rikthehet sërish në garën për Kupën e Shqipërisë. Komisioni i Apelit ka anuluar vendimin e Disiplinorit të dhënë më 3 shkurt, sipas të cilit Flamurtarit i hiqeshin tri pikë nga klasifikimi në grupet çerekfinale.
Gjithçka lidhej me ndeshjen e 31 janarit kundër Skënderbeut, ku vlonjatët vendosën të mbanin një qëndrim pasiv, pas kontestimeve për golin e avantazhit 2-1 të korçarëve dhe kërkesave për ndërprerjen e ndeshjes, pas goditjes së vijërojtësit nga tifozët.
Gjithsesi, Apeli e ka hedhur poshtë vendimin e Disiplinës, por pa marrë parasysh kërkesën e klubit vlonjat për të marrë tri pikët në tavolinë në atë ndeshje. Me këtë vendim, Flamurtari rikthehet në garën për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi tashmë ndan vendin e dytë me Vllazninë, në kuotën e 4 pikëve.
Ndërkohë, për ngjarjet që lidhen me të njëjtën ndeshje, ka mbetur në fuqi dënimi me 8 ndeshje jashtë fushe dhe pa tifozë për Skënderbeun. Gjithsesi, klubi korçar mund të shfrytëzojë rregulloret për të rikthyer mbështetësit në stadium, pasi në momentin kur të jetë kryer gjysma e dënimit, pra 4 ndeshje, ata mund ta konvertojnë ndëshkimin në gjobë financiare.
Apeli ka falur Pogradecin, përsa I takon dënimit të fushës, duke e ulur në katër javë dënimin e liqenorëve për ndeshje jashtë fushe dhe pa spektatorë, ndërsa janë lënë në fuqi ndëshkimet për trajnerin Ylli Çekici dhe dy lojtarët Eminazeri e Drazhanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›