E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperia U 21 barazim me Trepcen

Trajneri Skënder Gega vazhdon punën për afrimin e sa më shumë talenteve në përfaqësuesen Under-21 të Shqipërisë. Në funksion të gjetjes së lojtarëve të vlefshëm për skuadrën, por mbi të gjitha për të ardhmen e Kombëtares, të shtunën është zhvilluar miqësorja me Trepçën, skuadër që militon në Superligën kosovare.
Ndeshja me karakter seleksionues, e zhvilluar në Krujë, ka përfunduar në barazim 1-1. kuqezinjtë e Gegës zhbllokuan të parët rezultatin me Deliallisin në të 27-ën, ndërsa Trepça arriti të barazonte në minutën e 68-të, me rrjetën e realizuar nga Kukaj.
Më tepër sesa rezultati, kjo miqësore ka shërbyer për të parë kualitetin dhe formën e futbollistëve të rinj. Në fakt, stafi teknik I ekipit Shpresa nuk e ka shpërdoruar shansin, ndërsa përveç 11 lojtarëve të formacionit titular, gjatë ndeshjes janë realizuar 11 zëvendësime.
Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë luan në Grupin 6 kualifikues të Europianit 2013 të kësaj moshe. Pas pesë ndeshjeve të para, kuqezinjtë ndodhen në vendin e katërt me 4 pikë. Rusia kryeson me 12 pikë dhe ndiqet nga Portugalia dhe Polonia me 8 dhe 7 pikë, ndërsa në vendin e fundit është Moldavia me 3.
Ndeshjet e kuqezinjve të vegjël do të rinisin më 6 qershor, me transfertën në fushën e Portugalisë, ndërsa objektivi I teknikut Gega është që këto muaj të shfrytëzohen për sa më tepër miqësore seleksionuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›