E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Plan masash per tiu ardhur ne ndihme femijeve ne nevoje

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha gjatë një bashëkbisedimi me fëmijë të komuniteteve rome dhe egjiptiane tha se Bashkia do t’u kushtojë një vëmendje të veçantë këtyre fëmijëve duke nisur me regjistrimin e tyre e për të vijuar me arsimin dhe përfshirjen e tyre në aktivitete sportive dhe kulturore.
“Bashkia nuk e nis sot këtë punë. Ne, prej kohësh po hartojmë një plan masash, për t’u ardhur
në ndihmë fëmijëve si ju, nëpërmjet evidentimit të atyre që shkojnë dhe atyre që nuk shkojnë
në shkolla, për t’i regjistruar të gjithë që të shkojnë në shkollë dhe për t’ju ndihmuar me tekstet shkollore, por po kështu për t’ju ndihmuar pas orarit të shkollës, për ata që kanë nevojë të ndihmohen me mësim ekstra, apo për të tjerët, për t’i përfshirë në aktivitete sportive
dhe kulturore, siç është aktiviteti që do të ndjekim në fund të këtij takimi”, tha Basha.
Basha nënvizoi se pa një situatë të mirë për familjet e këtyre fëmijëve nuk mund të ketë një të ardhme të mirë për këta fëmijë. Në këtë kuadër zoti Basha tha se politikat e Bashkisë do të përqendrohen tek prinderit e këtyre fëmijëve duke nisur nga rritja e shanseve për punësimin e tyre.
“Natyrisht, një rol të veçantë kanë prindërit, sepse një situatë më e mirë e prindërve do të thotë një situatë më e mirë juaja, ndaj për t’ju ndihmuar ju, ne do të përpiqemi të ndihmojmë edhe prindërit, në radhë të parë duke rritur shanset e tyre për punësim, në mënyrë që ata të mund të bëjnë detyrat e tyre si prindër karshi jush dhe ju të mund të shijoni jetën tuaj si fëmijë, por sigurisht duke marrë edhe përgjegjësitë tuaja dhe ku përgjegjësia kryesore e fëmijëve është shkolla”, tha Basha.
Ndërsa përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë Detlef Palm tha se raporti i fundit global i UNICEF, tregon se tashmë, më tepër fëmijë jetojnë nëpër qytete se sa në fshat. Sipas zotit Palm qytetet krijojnë mundësi për një jetë të mirë dhe plot mundësira, qytetet mund të jenë gjithashtu plot vështirësi, nëse jeton në një familje që është e varfër.
Përfaqësuesi i UNICEF në vendin tonë i ka dorëzuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës raportin mbi gjendjen e fëmijëve në botë sikunder e ka inkurajuar Bashkinë që të ketë në plan të parë interesat e fëmijëve në këtë qytet, për të mos humbur në axhendën urbane. “Vendosini fëmijët të parët”, tha zoti Pam.
Më pas Basha ka dëgjuar kërkesat e fëmijëve që lidheshin kryesisht me krijimin e kushteve dhe lehtësira për arsimin, situatën e tyre ekonomike, për ushtrimin e aktiviteve sportive, kulturore dhe iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›