E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Amerikes Argjentina e bindur per triumfin

E bindur te triumfi, kombëtarja e Argjentinës vazhdon përgatitjet në prag të debutimit në Kupën e Amerikës, ku skuadra e drejtuar nga Sergio Batista është favorite për të fituar trofeun. Kuotat e kompanive të basteve janë në krah të përfaqësueses vendase të udhëhequr nga Lionel Messi, e cila në dy finalet e fundit ka dështuar përballë Brazit.

Pesë herë kampionët e botës janë dhe rivalët kryesorë të Argjentinës, ndërsa tekniku Batista përballet me dilemën më të madhe se cili nga futbollistët e tij do të luajë përkrah mesit në repartin ofensiv. Trajneri do të vendosë mes Carlos Tevez dhe Ezequiel Lavezzi. Sulmuesi i Napolit në kampionatin italian pret vendimin e teknikut, ndërsa është shprehur i bindur te suksesi i skuadrës së tij.

“Ne e dimë se jemi favoritë. Do të japim maksimumin ndeshje pas ndeshje, për të shpërblyer pritshëmrinë dhe besimin e tifozëve tanë”, ka bërë të ditur Lavezzi, i cili në ndeshjen e fundit miqësore kundër Shqipërisë luajti si titullar, duke shënuar dhe golin e parë për skuadrën e tij. Argjentina luan në grupin A të Kupës së Amerikës, ndërsa do të luajë ndeshjen e hapjes së këtij kompeticioni kundër Bolivisë.

Skuadrat e tjera kundërshtare të Argjentinës në grup janë Kolumbia dhe Kosta Rika. Kupa e Amerikës do të nisë më 1 korrik dhe do të mbyllet me finalen e 24 korrikut që do të zhvillohet në “Monumental” të Buenos Aires.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›