E Diel, 1 Nëntor 2026

Vellazeria Islame ne Egjipt shtohet angazhimi i SHBA-se

Pranvera arabe duket se po ndryshon edhe qasjen amerikane drejt Lindjes së Mesme, dhe posaçërisht atë me Egjiptin, pas rrëzimit nga pushteti të ish-presidentit Hosni Mubarak. E ndodhur në Hungari, për një tur në tre shtete europiane, sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton ka pohuar kontaktet e Washingtonit me grupimin më të madh islamik në Egjipt, Vëllazëria Islame, i jashtëligjshëm nën regjimin Mubarak.

Clinton e ka justifikuar këtë me angazhimin amerikan me të gjitha palët, në kërkim të paqes dhe një situate jo të dhunshme pas trazirave. Grupi në fjalë, ka një numër të konsiderueshëm përkrahësish në shtetin e madh arab, por mbetet i dyshimtë në sytë e Perëndimit, madje edhe i frikshëm për shkak të axhendës islamike dhe lidhjeve historike me grupe radikale.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për brenda Egjiptit. Gjithsesi, Vëllazëria Islame ka shprehur vullnetin që si parti politike të hyjë në garën elektorale të shtatorit, në zgjedhet e para parlamentare post Mubarak, duke shtuar se do të jetë një parti civile, dhe aspak teokratike.
 
Ndërkaq, sipas sekretares Clinton, administrata Obama do të vazhdojë kontaktet me grupin të cilat kanë ekzistuar herë pas herë në pesë gjashtë vitet e fundit. Vëllazëria Islame mirëpriti komentet e Clinton, dhe shtoi se kontaktet e mundshme do të jenë në kontekst të respektit.

“Nëse SHBA kanë vërtetë dëshirë të respektojnë vlerat tona dhe të mbështesin lirinë, atëherë për ne nuk ka problem”, i tha AFP-së, zëdhënësi i Vëllazërisë, Mahmud Ghozlan. Gjithsesi, grupi mbetet ende jashtë ligjit në Egjipt, derisa të amendohet Kushtetuta, por duke u bazuar në popullaritetin e tij, ai ka nisur të fushatojë për tu legalizuar si parti politike.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›