Kupën për sefte

Të enjten, në stadiumin e kryeqytetit do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll ndërmjet Trepçës ’89 dhe Ferizajt – skuadra këto që akoma nuk e kanë fituar asnjë trofe në periudhën e pasluftës.
Andaj, në këtë finale pritet të zhvillohet një lojë shumë interesante, pasi të dyja ekipet synojnë ta shfrytëzojnë rastin për ta fituar për herë të parë këtë trofe.
Mitrovicasit konsiderohen favoritë për të triumfuar, pasi kanë një ekip shumë cilësor, me të cilin deri në xhiron e fundit të garave të Superligës ishin kandidatë potencialë për ta fituar titullin e kampionit, por këtë epitet e rrëmbeu Prishtina, derisa ‘Xehetarët’ u desh të pajtohen me vendin e dytë.
Edhe më favorit ekipin gjelbër e bardh e bën fakti se përballë do ta ketë një kundërshtar, i cili këtë edicion e përmbylli duke u pozicionuar në vendin e pestë të Ligës së Parë, por që meriton respekt, sepse Ferizaj befasoi në garën për Kupë, duke mbërri deri në finale.
“Shpresoj se do ta fitojmë këtë trofe dhe t’i gëzojmë tifozët tanë. Kam besim në fitore, por edhe do ta kemi shumë vështirë, sepse Ferizaj ka një ekip shumë të fortë, ani pse është anëtar i Ligës së Parë. Ferizaj ka eliminuar ekipe të mëdha, prandaj meriton respekt, por kësaj radhe besoj se ne do ta mposhtim. Nuk guxojmë të gabojmë, sepse një gol mund ta përcaktojë fituesin dhe ndeshje të kthimit nuk do të ketë”, deklaroi për Express sulmuesi i rrezikshëm i Trepçës ’89, Kastriot Rexha.
Edhe ferizajasit e pranojnë se Trepça ’89 është favorite. Por, ata kanë vetëbesim se mund ta mposhtin ekipin mitrovicas, ashtu siç kishin eliminuar nga kjo garë skuadra të forta kosovare. Kjo ka bërë që bardhekaltrit të shpresojnë se mund ta fitojnë për herë të parë Kupën.
“Në këtë garë, derisa mbërritëm në finale, ne i kemi eliminuar tri ekipe shumë të forta si Vëllaznimi, Ferronikeli dhe kampionin Prishtina. Kështu që kemi dëshmuar se mund ta mposhtim çdo ekip. Prandaj Trepça ’89 nuk do ta ketë aspak të lehtë. Është hera e parë në historinë tonë që jemi në finale, kurse tani shpresojmë ta fitojmë Kupën, sepse s’kemi çka të humbasim”, ka thënë trajneri i ferizajasve, Arsim Abazi. Kjo ndeshje finale do të fillojë në orën 17:00.