Kuptimi i të qenit ‘seksi’
Katër vjet më parë, ime bijë, që ishte duke hyrë në gjimnaz (ishte ende 14 vjeçe), më tha se donte të ishte seksi. Kur i kërkova të më shpjegonte se ç’do të thotë ‘seksi’ për të, ashtu si edhe shumë prej nesh, nuk dinte çfarë të thoshte.
E shfrytëzova rastin për t’i thënë se çfarë ishte ‘seksi’ për mua.
I thashë se “një trup i mbajtur pastër është seksi, një aromë e freskët e gojës është seksi, një lëkurë e butë është seksi, një dhomë e pastruar është seksi (ok, me këtë punën e dhomës i ika paksa argumentit, por s’ka gjë, nuk bën keq).
Afërmendsh, ajo nuk po dëgjonte çfarë donte të dëgjonte dhe me t’i rënë zilja e celularit e shfrytëzoi rastin e u largua me punë të veta.
Ajo tani është 18 vjeçe, dhe po bëhet gati për kolegj. Po rritet e po bëhet një grua e hijshme, por idenë e të qenit seksi ende e ka në zhvillim e sipër. Me sa duket, po ndodh ajo që duhet, kryesisht ngaqë unë kam qenë gjithë kohën duke dialoguar dhe duke e zgjeruar konceptin përkufizues mbi atë që është seksi.
Ja cilat janë gjërat që unë i them, sa herë që e gjej të gatshme për t’më dëgjuar:
Të jesh e sjellshme është seksi. Të qeshësh është seksi. Të jesh me këmbë në tokë është seksi. Të jesh mendjemprehtë është seksi. Të bësh e të shijosh humorin është seksi. Të guxosh është seksi. Të mos rrezikosh është seksi. E vërteta është seksi. Mirëbesimi është seksi. Pasioni është seksi…. Misteri është seksi. Të bashkëndjerit me tjetrin është seksi. Ndershmëria është seksi. Të jesh natyrale është seksi. Të duash Zotin është seksi. Ndërsa, të duash veten është gjëja më seksi në botë.
Unë dua që ajo të dijë e të besojë se është seksi, për shkak të faktit se ajo është ajo që është, dhe jo për shkak të faktit që ajo duket apo vishet në njëfarë mënyre të caktuar. Sepse, të jesh seksi nuk është të jesh si janë edhe të tjerat. Sepse, ajo ka të drejtë që të jetë seksi në mënyrën e vet, dhe sepse ajo nuk duhet ta gjykojë dukjen e saj seksi, dukjen seksi të të tjerëve nëpërmjet standardeve rigoroze sociale, kulturore e mediale. Ajo është seksi ditë për ditë (e më shumë, e më ndryshe, e më mirë), dhe po ashtu, me që ra fjala, njësoj është secila prej nesh.
Të jesh seksi është dëshira e fshehtë e shumicës së grave në botë. Por, a e keni përkufizuar ju se ç’do të thotë fjala, dukja dhe sjellja ‘seksi’ edhe për ju, apo keni bërë atë që e bën shumica, dmth i lini të tjerët që ta bëjnë këtë gjë për ju? Dhe pastaj, duke u bazuar në këtë përkufizim, a keni tentuar ndonjëherë kotnasikoti që të ndiqni modelin fizik dhe mental që del nga ky përkufizim, edhe pse ajo çfarë del nga ky përkufizim është tepër larg jetës suaj reale (dhe, domosdoshmërisht, edhe më larg trupit tuaj)? Të zhgënjyera, dhe me bindjen se jeni dështake, ju keni kërkuar në bibliotekën tuaj libra sekretesh e teknikash që t’ju mësojnë e t’ju ndihmojnë si të jetoni një mbrëmje, a një natë, por jo edhe si ta jetoni gjithë jetën. Shumica e librave do t’ju tregojnë se si të silleni si një mace seksi, si një mamá ‘e ndezur’, si një bombë shpërthyese, etj, por asnjëri nuk ju mëson se si të jeni rehat me veten tuaj, brenda vetes tuaj.
Doni ta dëgjoni të vërtetën? ‘Seksi’ nuk është një kominoshe që e vishni për të ndjellë të tjerët. Seksi nuk ka të bëjë me uniformitetin. Ju nuk mund të bartni etiketën e dikujt tjetër, të cilit doni t’i ngjani me synim e shpresë për të qenë autentikë e të rëndësishëm…. Ju mund të jeni seksi vetëm ashtu siç jeni. Dhe kujdes: perceptimi i asaj se çfarë është seksi s’mund të diktohet nga mosha, format trupore, pesha, shtatlartësia, gjatësia e flokëve, llogaria bankare, etj…
(ResPublica)