E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja ta njohë Kosovën

Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 09:03

Qytetarët boshnjakë që jetojnë në diasporë i kanë bërë thirrje Bosnjës që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Kongresi Botëror i Diasporës Boshnjako-Kosovare (SKBD), në seancën e dytë të “Komitetit Ekzekutiv”, ka miratuar deklaratën përmes së cilës kërkohet nga Bosnja e Hercegovina të niset procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, sikurse kanë bërë shtetet e Bashkimit Europian dhe shtetet tjera.

“Pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha mendimin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të drejtësisë ndërkombëtare, është më se e qartë se procesi i shtetësisë së Kosovës nuk mund të stopohet. Është vetëm çështje ditësh që edhe pesë shtetet e tjera të BE’së ta njohin Kosovën. Serbia do të duhet që herët a vonë ta njohë shtetësinë e Kosovës në mënyrë që të anëtarësohet në BE”, thuhet në një komunikatë të SKBD’së dërguar medieve.

SKBD’ja mendon se është në interes të Serbisë ndërtimi i marrëdhënieve të pranueshme me Kosovën dhe të pajtohet me shtetësinë e saj, “në mënyrë që tensionet dhe dhuna e organizuar e kohëve të fundit në veri të vendit, të mos përsëritet kurrë më”.

Boshnjakët e Kosovës, sikurse edhe organet e tyre legjitime politike, siç thuhet në komunikatë, përkrahin popullin e Kosovës dhe tendencat e tyre historike për liri dhe vetëvendosje dhe kërkojnë nga Bosnja “që ta njohë pavarësinë e Kosovës”, duke vlerësuar se me këtë akt do t’i dërgohej një porosi e qartë botës, se populli boshnjak ndjek rrugën e vlerave evropiane dhe demokratike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›