E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuq e zinjtë humbin 4 pozicione në renditjen e FIFA

TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 4 pozicione në renditjen e FIFA-s për këtë muaj, duke u gjendur në vendin e 97-të në kuotën e 334 pikëve.
Kjo renditje u publikua sot, kur FIFA shpalli në faqen e saj zyrtare klasifikimin e skuadrave përfaqësuese për muajin tetor. Shqipëria është renditur gjithashtu në vendin e 42-të nga 53 shtete, në renditjen e përfaqësueseve të UEFA-s, duke humbur 1 pozicion nga renditja e muajit të kaluar
Gjatë periudhës nga 2 shtatori deri në 16 tetor, Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dy takime të vlefshme për eleminatoret e botërorit “Afrika e Jugut 2010”, ku barazoi 1-1 ndaj Danimarkës në Tiranë dhe u mund 4-1 në Stokholm ndaj Suedisë dhe për rrjedhojë ka humbur 26 pikë këtë muaj.
Rezultatin më të mirë në renditjen e FIFA-s, Shqipëria e ka arritur në gusht të vitit 2006, kur pozicionohej e 62-ta, ndërsa rezultatin më të ulët në gusht të 1997, kur u rendit në vendin e 124-t.
Në krye të renditjes botërore të FIFA-s nuk ka pasur asnjë ndryshim. Tashmë kjo renditje kryesohet me 1632 pikë nga përfaqësuesja e Brazilit. Kombëtarja spanjolle, kampionia e Europës, gjendet në vendin e dytë, në kuotën e 1629 pikëve. Ndërkohë që Hollanda renditet në vendin e tretë në kuotën e 1340 pikëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›