Kuqezinjtë barazojnë 2-2 në miqësoren me Sitspor, pas një gjykimi tendencioz
Grumbullimi stërvitor i Kombëtares “B” ka përfunduar mes polemikave. Shkak është bërë arbitrimi tendencioz në miqësoren e zhvilluar të shtunën, ku elementët më të mirë të Kategorisë Superiore dhe kandidatë për një fanellë kuqezi kanë barazuar me rezultatin 2-2 përballë Sirtspor. Kundërshtarët janë një skuadër e kategorisë së katërt në Turqi dhe fillimisht ishte menduar se lojtarët e thirrur në “zbor” nga trajneri Josip Kuzhe do ta kishin të lehtë të fitonin. Megjithatë, protagonistë negativë të kësaj ndeshjeje ishte treshja e gjyqtarëve, të cilët i kanë anuluar një gol seleksionit shqiptar, ndërsa aksioni i golit të parë të vendasve nisi në pozicion të dukshëm jashtë loje. Pavarësisht asaj që ndodhi në fushën e lojës, drejtuesi i stolit të Kombëtares u shfaq përgjithësisht i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve dhe me lojën. Kroati ka vlerësuar me nota pozitive repartin difensiv (pikërisht aty ku kërkohet gjetja e elementëve cilësorë), i cili ka shfaqur më tepër siguri se në miqësoren e luajtur gjatë mesjavës.
Ashtu siç e kishte deklaruar përpara ndeshjes, Kuzhe vendosi në portë talentin e Flamurtarit, Shkëlqim Moçka, ndërsa mbrojtja përbëhej nga Lila, Pisha, Shoshi dhe Gocaj. Në mesfushë u aktivizuan Muça, Lilaj, Veliaj e Roshi, me këtë të fundit në pozicion disi më të avancuar për të mbështetur dyshen sulmuese, të përbërë nga Bakaj dhe talenti i Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj. Kuqezinjtë zhbllokuan rezultatin vetëm pas tri minutave lojë me fierakun e Flamurtarit, Odise Roshi, i cili ka rrëmbyer një top në gjysmëfushën kundërshtare, futet në zonë dhe përshëndet rrjetën. Dhjetë minuta më vonë është regjistruar edhe episodi i parë i dyshimtë i takimit: Bakaj harkon në zonë nga një goditje dënimi dhe topi i devijuar me kokë nga mbrojtësi Andi Lila përfundon në rrjetë. Megjithatë, gjyqtari kryesor e anulon rrjetën për një pozicion të diskutueshëm jashtë loje, pavarësisht se asistenti i tij nuk kishte dhënë asnjë sinjalizim. Me një rreshtim të mirë në fazën mbrojtëse, Kombëtarja “B” ka dominuar pjesën e parë të takimit. Fraksioni i dytë i lojës ka filluar si fotokopje e të parit, pavarësisht se pjesa më e madhe e lojtarëve u ndërruan. Në të 47-n, Muzaka i rrëmben sferën mbrojtësve kundërshtarë dhe fiton goditjen e këndit që “prodhoi” golin e dytë. Topi i harkuar nga Sefa është shtyrë me kokë në rrjetë nga çikalleshi, një tjetër lojtar shumë premtues për të ardhmen e sulmit të Shqipërisë. Megjithatë, të besuarit e Kuzhe nuk kanë arritur të mbrojnë avantazhin e krijuar. Në të 65-n, nga një aksion i nisur në pozicion të dukshëm jashtë loje, Sirtspor shënon golin e parë: Samina shkakton faull në zonë dhe 11-metërshi i akorduar nga gjyqtari shndërrohet në gol. Vetëm pesë minuta përpara përfundimit të ndeshjes, turqit realizojnë edhe rrjetën e barazimit.
Në këtë mënyrë, pas tetë ditëve grumbullim, ku janë zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, kontingjenti me lojtarët më të mirë shqiptarë i jep fund grumbullimit në Turqi. Tetë nga 19 lojtarët e pranishëm, duke përfshirë edhe Emiliano Vilën, do të qëndrojnë për të vazhduar përgatitjet me Dinamon dhe Tiranën. Të tjerët do të nisen sot në mesditë për t’u kthyer pranë klubeve të tyre në Shqipëri.