Situata po stabilizohet, pavarësisht reshjeve
Pavarësisht reshjeve të shumta, të dhënat e fundit nga hidrocentrali i Fierzës tregojnë se situata po shkon drejt stabilitetit. Niveli në liqen ka pësuar ulje, për shkak të rritjes së shkarkimeve me 5 metër kub në sekondë. Dje, gjatë gjithë ditës, Ministria e Energjetikës ka përcjellë të dhënat orë pas ore, ku shihej ecuria rënëse e HEC-it të Fierzës. Kështu niveli në liqen ka zbritur në 291 metra e 92 centimetra, rreth 60 centimetra më pak se një ditë më parë. Ndërkaq, shkarkimet kanë pësuar rritje nga njëra ditë në tjetrën. Po nga liqeni i Fierzës janë duke u derdhur rreth 1100 metër kub ujë në sekondë, ku gati gjysma vjen nga agregatët për prodhim të energjisë elektrike. Ndërkaq, autoritetet garantojnë për stabilizim të situatës edhe në dy hidrocentralet e tjera, Koman dhe Vau i Dejës. Të dhënat deri në mbrëmje tregonin se niveli i ujit në Koman ishte 171 metra e 38 centimetra, gati 4 metra larg rrezikut, ndërsa shkarkimet nga hidrocentrali ishin rreth 1700 metër kub në sekondë. Në Vaun e Dejës, që është pika fundore e lumit Drin, niveli i ujit ishte në pikën 74 metra e 26 centimetra, me rreth 2150 metër kub ujë në sekondë shkarkime.
“Strukturat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës ndodhen në terren për të ndihmuar me mjetet e nevojshme financiare banorët e prekur nga përmbytjet në Shkodër”, tha dje shefi i kabinetit, Ilir Ciko. Sipas tij, në kaskadën mbi lumin Drin prurjet janë drejt rënies dhe situata po stabilizohet, pavarësisht reshjeve të shiut në zonat verilindore të vendit.
Ciko tha gjithashtu se në hidrocentralin e Vaut të Dejës shkarkimet kanë rënë nën 2000 m³/sek, aktualisht janë 1900 m³/sek, ndërsa prurjet në hidrocentralin e Fierzës maten rreth 650 m³/sek, që do të thotë se kanë tendencë rënieje.
"Ne kemi vënë në dispozicion të zonave të përmbytura edhe repartin e inspektim shpëtimit të minierave, që është një strukturë e specializuar për ndërhyrje në raste të tilla", deklaroi Ciko, ndërsa ftoi biznesin për t'i ardhur më shumë në ndihmë banorëve të këtyre zonave.
Ndërkaq, të dhënat nga KESH paraqesin një ulje të prodhimit të energjisë elektrike, në rreth 5 milionë kilovat në orë. Drejtuesit e korporatës si dhe inxhinierët e HEC-ve janë në gatishmëri të plotë, deri në përmirësim të situatës.