Tekniku vlonjat kërkon shlyerjen e të gjitha rrogave. Gjithçka gati për trajnerin e ri, Andrea Marko
Skënderbeu vazhdon të jetë në kaos. Pas Bledi Shkëmbit e Genti Gjondesës që kanë kërkuar prishjen e kontratës për mungesë korrektësie në pagesa, largimit të Gunës dhe katër lojtarëve kroatë, klubi korçar duhet të përballet edhe me një tjetër çështje. Bëhet fjalë për trajnerin Gerti Haxhiu, i shkarkuar në mbrëmjen e së premtes nga posti në krye të skuadrës.
Një vendim që është marrë pas mbledhjes së kryesisë, ku shkak janë bërë rezultatet e dobëta të skuadrës. Pas fillimit të mirë të sezonit, korçarët nuk fitojnë në Kategorinë Superiore prej 12 ndeshjesh: triumfi i fundit është regjistruar më 19 shtator 2009, në takimin e luajtur me Gramozin në javën e katërt. Bardhekuqtë kanë grumbulluar vetëm 15 pikë në 16 takime të zhvilluara dhe renditen në vendin e dhjetë, me pikë të barabarta me Flamurtarin dhe Gramozin që mbyllin klasifikimin. Por, Haxhiu nuk e ka kaluar lehtë shkarkimin nga detyra.
Ai ka kërcënuar klubin se do ta padisë për prishje të njëanshme të kontratës dhe mosrespektim të marrëveshjes, duke pretenduar që të paguhet me rrogën e plotë sezonale. “Unë nuk e shoh veten si të larguar nga stoli i Skënderbeut, për aq kohë sa nuk më është bërë asnjë komunikim i tillë nga drejtuesit e klubit. Për momentin, largimi im mbetet vetëm mediatik”, deklaroi Haxhiu në një konferencë për shtyp të organizuar posaçërisht për këtë çështje. Trajneri e konfirmoi qëndrimin e tij, duke zhvilluar stërvitjen e së shtunës me skuadrën. “Nuk kam marrë asnjë shkresë zyrtare nga drejtuesit dhe nuk shoh asnjë arsye për t’u larguar. Mund të them se jam nën kontratë me Skënderbeun dhe kam ndërmend ta respektoj.
Nuk është puna ime nëse dikush kërkon që unë mos të punoj më me ekipin. Nëse duan ta prishin marrëveshjen në mënyrë të njëanshme, atëherë duhet të më paguajnë për vlerën e plotë të kontratës”. Situata është e tensionuar, mbi të gjitha për marrëdhëniet aspak të mira të Haxhiut me zv/presidentin Mindili. Ata kanë pasur një bisedë me tone të larta pas konferencës për shtyp, ndërsa më parë tekniku vlonjat kishte thënë: “Shkarkimi im ka ardhur prej kontradiktave me Mindilin, me të cilin do të përballem në gjykatë për shpifje dhe fyerje në një të përditshme”. Ndërkohë, klubi korçar ka lajmëruar se ka mbyllur të gjitha detajet e kontratës me trajnerin e ri Andrea Marko, i cili të hënën pritet të fillojë fazën përgatitore me skuadrën në Ohër.