Kuqezinjtë miqësore me Gjeorgjinë Duka kërkon për trajner në Apenine
Federata konfirmon ndeshjen në Tbilisi më 29 shkurt, ndërkohë presidenti ka në axhendën e tij 5 trajnerë italianë
Pa trajner, por me një tjetër miqësore në xhep! Ndonëse Shqipëria ende nuk e di se me kë do ta nisë revolucionin e saj në skuadër, diçka është e sigurt, data 29 shkurt, që përkon me një prej datave të lira të FIFA-s, nuk do të lihet të ikë nga kuqezinjtë. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar dje se do zhvillohet një miqësore në Tbilisi të Gjerogjisë. “Pas një marrëveshjeje dypalëshe, është vendosur që më datën 29 shkurt 2012 ne Tbilis të zhvillohet ndeshja miqësore Gjeorgji – Shqipëri.” Por padyshim ajo që të zgjon më shumë kërshëri, është pjesa e fundit e kësaj deklarate: “Deri në zhvillimin e këtij takimi miqësor, Kombëtarja e Shqipërisë do të ketë edhe trajnerin e saj të ri, i cili do të zëvendësojë në pankinë teknikun kroat Josip Kuzhe.”
Ndërkohë, ajo që mësohet në FSHF, është se për të zgjidhur sa më shpejt ngërçin e drejtuesit të ri të stolit kuqezi, presidenti Duka ka udhëtuar gjatë fundjavës në Milano, për të biseduar me kandidatët potencialë. Së bashku me të, gjatë negociatave ishin të pranishëm edhe dy zv/presidentët e federatës, Nuri e Kasmi, si edhe Sekretari i Përgjithshëm, Prodani. Duka ka preferuar të negociojë personalisht me alternativat që vijnë nga përtej Adriatikut, ndërsa në listën personale nuk mungojnë emra të mëdhenj, të cilët vlerësohet se mund ta pranojnë detyrën e teknikut të Shqipërisë. Mes alternativave janë Xhankarlo Kamoleze, Xhani De Biazi, Benito Karbone e Xhuzepe Pilon. Ndërkohë, një javë më parë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, drejtuesi më i lart i futbollit shqiptar ishte takuar me Mario Beretën. Kamoleze, i cili aktualisht është pa punë, ka drejtuar disa herë Torinon, por edhe Rexhinën, Viçencën e Livornon. De Biazi, që deri në vitin 2010 ka drejtuar Udinezen, gjatë karrierës së tij të gjatë ka punuar edhe te Modena, Breshia, Torino apo Levante. Karbone, që më 1 tetor 2011 është larguar nga stoli i Varezes, më parë ka punuar edhe te Pavia. Pilon është një prej trajnerëve më të njohur italianë, pasi ka drejtuar 14 skuadra, mes të cilave Xhenoa, Empoli, Askoli, Livorno, Bari, Rexhia e Kievo. Edhe Bereta është një emër i mirënjohur, që në karrierën e tij ka drejtuar Kievon, Parmën, Sienën, Leçen, Torinon, PAOK-un në Greqi dhe së fundmi Breshian. Përfaqësuesja shqiptare ka mbi 40 ditë pa trajner, që prej largimit të kroatit Josip Kuzhe, ndërsa Duka shpreson që të gjejë sa më shpejt drejtuesin e ri të stolit.