Dhuna ndaj Jeminit, Bajaziti kërkon ashpërsimin e Kodit të Drejtësisë Sportive
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Anti-dhunë në MTKRS, zv/ministri Bajaziti ka kërkuar masa konkrete nga policia. Drejtori i bluve, Burgaj, ka pranuar se do të merren masa edhe ndaj policisë së Laçit. Sot mblidhet disiplinori i FSHF-së
Dhuna ndaj gjyqtarit të FIFA-s, Lorenc Jemini, ka zgjuar nga gjumi letargjik edhe komisionin anti-dhunë në MTKRS, i cili kishte thuajse dy vite që nuk mblidhej. Jo më kot, në takimin e djeshëm, mes të tjerash, tema kryesore e diskutuar ka qenë ngjarja e rëndë në ndeshjen Laçi-Kastrioti 1-1, fundjavën e shkuar ku është dhunuar gjyqtari Jemini. Pas takimit, zv/ministri i Sporteve, Dashnor Bajaziti, në një deklaratë për shtyp, ka konfirmuar ndërmarrjen e masave konkrete nga Policia e Shtetit. Drejtori i përgjithshëm, z Hysni Burgaj, sipas zv/ministrit Bajaziti ka konfirmuar fillimin e procedimit penal për 8 persona si shkaktarë të kësaj dhune që ra mbi gjyqtarin Lorenc Jemini. “Sot (dje) ishte i pranishëm drejtori i Policisë z.Hysni Burgaj dhe pohoi se Policia e Shtetit do të marrë masat ndaj Policisë së Laçit që nuk parandaloi dhunën. Janë identifikuar Policia e Shtetit do të marrë masat ndaj Policisë së Laçit që nuk parandaloi dhunën. Janë identifikuar personat shkaktarë të dhunës dhe këta 8 persona do të jenë nën hetim,” shkruhet ndër të tjera në komunikatë. Sidoqoftë, ende nuk ka një komunikatë zyrtare nga Policia e Qarkut të Lezhës, që të konfirmojë ndalimin e ndonjërit prej tetë personave të vërtetuar si shkaktarët e dhunës. Ndërkohë, është mësuar se edhe ata pak vetë që janë shoqëruar të dielën, janë lënë të lirë nga policia, pasi për ta nuk kishte asnjë denoncim. Ndërkohë, zv/ministri Bajaziti do t’u propozojë federatave të të gjitha sporteve, ashpërsimin e Kodit të Disiplinës Sportive, çka do të sillte mospërsëritjen e akteve barbare në botën e sportit. “Komisioni vendosi t’i rekomandojë institucioneve dhe federatave ndryshimin e legjislacionit duke ashpërsuar masat në rastet e dhunës. I rekomandojmë që rastet e dhunës të dënohen me ndëshkime konkrete”, përfundoi Dashnor Bajaziti, zv/ministri i Sporteve në MTKRS.
Sot mblidhet Komisioni i Disiplinës
Mund të jetë një ndër rastet e rralla në historinë e disiplinorit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku të gjithë mezi presin të mësojnë nga goja e atyre që interpretojnë Kodin e Drejtësisë Sportive në futboll se çfarë masash do të merren për presidentin e Laçit, Pashk Laska dhe fushën sportive të qytetit të Laçit. Sipas rregullores së FSHF-së, dhunimi i një zyrtari të federatës është një nga mëkatet më të mëdha që një lojtar apo drejtues klubi mund të bëjë. Por në këtë rast ka disa dënime që mund të ndërthuren me njëri-tjetrin. Megjithatë, nëse gjykohen si episode të ndara, fusha e Laçit rrezikon të pezullohet deri në fund të kampionatit, skuadra e Laçit rrezikon zbritjen nga kategoria dhe Pashk Laska mund të përjashtohet përjetë nga bota e futbollit. Në rast se fusha e Laçit do të gjykohet si e nxitur në pjesëmarrje në incident, atëherë dënimi mund të jetë më i vogli i mundshëm: 8 ndeshje pezullim.