E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi do të shitet në janar

Menaxheri i ekipit Crystal Palace, Neil Warnock, ka pohuar se sulmuesi Shefki Kuqi do të shitet në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht rikthimit në formë së fundi. Sulmuesi shqiptar, i cili aktivizohet për kombëtaren finlandeze, ka shënuar në dy ndeshjet e fundit, duke e ndihmuar ekipin të ngrihet në pjesën e sipërme të tabelës dhe të luftojë për play-off dhe për kualifikim Premierligë. "Me kamerat televizive në fushë, duhej të shkruaja një shenjë shitjeje dhe ta nxjerrja në kraharorin e Shefkiut. Ndoshta tash mund të presim interesimin e klubeve që mund të paguajnë për të", ka thënë Warnock për BBC-në. Paga e lartë e Kuqit është arsye e shitjes së tij, edhe pse ndoshta sërish mund të mos gjendet blerës për të në afatin kalimtar dimëror. "Ky nuk është vendimi im, është vendim të cilin duhet ta marrë klubi. Unë fjalët e mia do t'i them në fushë. Për momentin, gjërat po shkojnë mirë", është shprehur sulmuesi kosovar po për BBC. Kuqi erdhi në Crystal nga Blackburni për një shumë prej 2.5 milionë funtesh, në gushtin e vitit 2006, por dështoi të shkëlqejë siç bëri me klubin e Premierligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›