E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi s’ka të ndalur

Shefki Kuqi po shkëlqen në fanellën e Oldham Athleticut. Sulmuesi kosovar deri tash ka realizuar 7 gola për ekipin nga liga e tretë angleze, ndërsa premton se deri në fund të vitit mund të arrijë në kuotën 15. 34-vjeçari ndihet mirë tek Oldhami dhe thotë se nuk e ka ndërmend të pensionohet. Ndërkohë, ai po shkollohet edhe për zejen e trajnerit.

Shefki Kuqi duket se e ka gjetur veten mjaft mirë në ligën e tretë angleze (League One). Sulmuesi kosovar iu bashkua Oldham Athleticut në fund të afatit kalimtar të verës.

Aventura e tij e re po shkon mjaft mirë. Që nga transferimi i tij në Oldham Athletic, Kuqi ia ka dalë t’i shënojë shtatë gola, përfshirë edhe dy të realizuar të shtunën ndaj Carlisle United.

Kjo dëshmon se futbollisti kosovar me pasaportë finlandeze shpejt është adaptuar në skuadrën e tij të re. Kështu thotë edhe vetë 34-vjeçari. “Në përgjithësi po ndihem mirë në këtë vend. Sa i përket skuadrës së re, gjithçka po shkon mirë. Në përgjithësi jam adaptuar”, deklaroi Kuqi për Express.

Ai tregon se kur kishte nënshkruar kontratë me Oldham Athleticun, e kishte paramenduar se do të shkëlqente me fanellën e kësaj skuadre. Dhe, kështu doli. “Kur erdha këtu, i thash pronarit të klubit se do të zhgënjehem nëse në çdo ndeshje nuk realizoi gol, dhe atij iu qesh. Kështu që, e kam pritur një start të tillë. Për mua është e papritur nëse nuk i realizoj 15 gola deri për Vit të Ri, por nëse i shënoj, është diçka e pritur”, thotë Kuqi.

Madje, ai thotë se ky është vetëm fillimi, sepse paralajmëron se do të japë kontribut të madh për Oldham Athleticun, deri në fund të sezonit. “Mendoj se jam në formë të mirë, por realisht ky nuk është maksimumi. Kur ta arrij kulmin e formës sime, do ta ndihmoj me gola të tjerë këtë ekip”, u shpreh ish-reprezentuesi finlandez.

Ai tregoi se po kalon kohë të mira me menaxherin e kësaj skuadre, Paul Dickov, me të cilin Kuqi njihet mirë, pasi në të kaluarën të dy ishin bashkëlojtarë në Blackburn Rovers.

Kuqi thotë se tani është i përqendruar vetëm në ekipin e tij të ri, me të cilin ka nënshkruar kontratë njëvjeçare. Ai ka pohuar se nuk është duke planifikuar të pensionohet nga futbolli aktiv, ndonëse i ka mbushur 34 vjet.

“Përderisa ndihem mirë fizikisht dhe e shoh veten se po mund të luaj, nuk kam arsye ta mendoj pensionimin. Madje, këtu nganjëherë bëjnë shaka me mua duke më pyetur se sa vjeç jam, pasi vrapoj shumë. Kështu që, aktualisht nuk jam duke e menduar ndërprerjen”, theksoi ai.

Pavarësisht periudhës se kur do t’i vendos ‘këpucët në gozhdë’, Kuqi megjithatë do të vazhdojë të merret me futboll, por si trajner. Andaj, ai beson se përvoja e fituar edhe në ligën e tretë angleze me Oldham Athleticun si futbollist, në të ardhmen do t’i shërbejë edhe në zejen e trajnerit.

“Deri kah Viti i Ri, pres ta përfundoj shkollimin e marrjes së licencës së trajnerit. Si futbollist, kam luajtur në Premierligë, Championship dhe tani edhe në League One. Kjo përvojë do të më shërbejë si trajner në të ardhmen, sepse kam njohuri të fituara nga përvoja ime prej secilës ligë”, përfundoi Kuqi.

Në Oldham Athletic, Kuqi ka kaluar si futbollist i lirë, pasi më herët i kishte skaduar kontrata me skuadrën nga Premierliga, Newcastle United. Gjatë karrierës, Kuqi e ka veshur 62 herë fanellën e Kombëtares finlandeze, derisa ka luajtur edhe për këto skuadra: Stockport County, Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, Derby County, Swansea City dhe së fundmi në Newcastle.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›