Kur Berisha krenohet me raportin e Artan Hoxhës
Në faqen zyrtare të Indeksit Global të Konkurrueshmërisë, përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror, listohen edhe institutet që kanë ndihmuar në përgatitjen e tij, duke ofruar të dhëna për secilin vend. Për Shqipërinë këto të dhëna i ka ofruar Instituti për Studime Bashkëkohore, me president Artan Hoxhën, i njohur ndër shqiptarë si një analist i zellshëm pro- Berishës, pronar i një universiteti privat dhe drejtuesi i një OJQ-je që ka raportuar gjithmonë në favor të qeverisë.
Ndërsa sheh me neveri eksitimin e Berishës për këtë raport të përgatitur nga një servil i tij, kupton se të tilla raporte për vende të botës së tretë shkruhen vetëm për të kënaqur liderët autokratë. Nuk i referohet Gjermania, as Italia e as Franca një raporti të tillë. Ata kanë shifrat e tyre, e kuptojnë se kur shkon keq ekonomia, arsimi e shëndetësia. Nuk duhet të dërgojë raporte një sahanlëpirës i tyre në Zvicër që më pas ata ta rimarrin e të krenohen. Shifrat e një vendi nuk janë për të tu hedhur hi syve qytetarëve, por për të punuar mbi to, për të kuptuar nevojat e për të çuar përpara vendin.
Është mjerim i rrallë të shohësh kryeministrin në garë me botën, kur u thotë ministrave mos u kapni me ato vende që janë në vendin e 30-të e sipër, por vetëm me ata që janë më poshtë. Zoti na ruajtë nga kjo skizofreni.