E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Mickey Mouse është maqedonas



Nga Lume Hyseini

E vërteta nisi të dalë në shesh, ajo vonon, por kurrë nuk harron. Për hir të së vërtetës, ajo nuk u vonua edhe aq shumë; nga viti i largët i 1944-s e deri sot kanë kaluar vetëm 65 vjet: E çfarë janë gjashtë dekada e gjysmë për historinë?!
Maqedonasit janë popull antik. Maqedonia është djep i civilizimit dhe shtet biblik. Vetë Zoti para disa muajsh zbriti nga qielli dhe në një spot televiziv të Radio Televizionit të Maqedonisë e zbardhi të vërtetën që gjithë faktet shkencore dhe historike e mohojnë. Ai u ankua që dy mijë vjet pret maqedonasit ta lusin për ndihmë kundër armiqve të së vërtetës, ndërsa nuk harroi të kumtojë që e gjithë raca e bardhë është me origjinë maqedonase dhe se ky popull duhet të qëndrojë i fortë pasi këtë betejë do ta fitojë me ndihmën e tij (Zotit) që vetë me gojën e tij dha garanci në spotin televiziv që të gjithë e pamë dhe dëgjuam!!

Maqedonia është e përjetshme; s’ka fillim e as fund. Ashtu thonë spotet televizive 1, 2 dhe 3 të financuara nga qeveria dhe ashtu është! Aleksandri i Madh dhe babai i tij, Filipi, kanë kënduar “denes nad Makedonija se ragja…” kur kanë pushtuar gjysmën e botës dhe pikë! Sllav apo maqedonas antik? Kjo ishte dilema që e mundoi këtë popull bujar dhe fisnik për disa kohë. Por, siç dihet, ku ka vullnet, ka edhe mënyrë, zgjedhja u gjet, sa kot të gjorët dy javë të tëra nuk e bënë rehat gjumin e bukurisë. Përgjigjja është e thjeshtë; ata janë dy në një, - sllav dhe antik, pra maqedonas! Është për të qarë e vajtuar fakti që Maqedonia sot është vetëm republikë e një milion maqedonasve antikë dhe sllavë, e jo mbretëri, ose më mirë; kontinent i tërë(!!!). E mallkuar qoftë Gjykata Kushtetuese që abrogoi dispozitat e ligjit për stimulim të natalitetit që parashikonte ndihma financiare vetëm për nënat antike maqedonase që të lindin sa më shumë fëmijë dhe pas, saktësisht, 2890 viteve, do të ketë kthim në gjendjen e mëparshme dhe zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për “kauzën e shenjtë maqedonase”, e cila nuk njeh elementin e kohës, hapësirës, fiksionit dhe realitetit: Megjithatë, ka plan brilant për zhvillim afatgjatë!

Gjuha pellazge është sllave, ani pse alfabeti cirilik u zbulua pak shekuj më parë; zbuluesi Vasil Iljov, në veprën e tij “Zbulime rreth letërsisë, gjuhës dhe kulturës së lashtë të maqedonasve” (me siguri, projekt i Ministrisë së Kulturës) në fshatin Osniçan, 13 km larg Shkupit, zbuloi një pllakëz (shkruar në alfabetin etrusk, në të cilën shkruanin pellazgët) së cilës i bëri një përkthim të lirë në gjuhën që e flet dhe me këtë vërtetoi që alfabeti cirilik dhe gjuha në të cilën komunikon zbuluesi janë më të lashtët e botës!

Goce Delçev, Dame Gruev, vëllezërit Milladinov dhe të gjithë ata që shekullin e kaluar njiheshin si bullgarë, sot janë maqedonas, edhe ata antikë, dhe nuk ka lindur ende bir nëne që mund të dëshmojë të kundërtën. E njëjta vlen edhe për gjuhën maqedonase: Ajo është maqedonase, ani se maqedonasit antikë dhe bullgarët e sotëm, mes tyre komunikojnë shkëlqyeshëm, pa përkthyes; e vërteta është që gjuha maqedonase që rrënjësisht dallon nga ajo bullgare, e kjo është e qartë si dita me natën!

Shkupi (Skupi) nuk ka qenë kurrë kryeqendra e Dardanisë e, aq më pak, kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës. Këtë e pohoi “arkeologu” Pasko Kuzman e më pas e vërtetuan edhe qindra alkimist të historisë në punimet e tyre shkencore; natyrisht të financuara nga Ministria e Kulturës. Pasko Kuzman rrallë gabon. Nga pamja e jashtme duket që ky njeri ka kontakte të rralla me botën reale, pasi më shumë gjendet nën tokë, duke hulumtuar. Ai i ka dy orë në njërën dorë; njëra e kthen pas, në kohë, ku ai zbulon të vërtetat e historisë, ndërsa me tjetrën udhëton në ardhmëri dhe e paralajmëron qeverinë për rreziqet potenciale, të cilat, kjo e fundit, i mënjanon me shkathtësi shumë kohë para se të ndodhin!

Shkupi ka qenë dhe është Skop(l)je. Ky qytet është i njohur botërisht pasi në të, - mu në qendër të qytetit, në vendin ku do të ndërtohet Kisha Ortodokse, - në një shtëpi të vogël lindi humanistja dhe nobelistja Gonxhe Bojaxhiu, e cila kishte origjinë skopjane. Këtë e dëshmon busti, i cili, vitin e kaluar, u vendos para shtëpisë muze të ndërtuar disa qindra metra larg truallit ku gjendej shtëpia e saj autentike e ku qartë shkruan “Majka Tereza-Skopjanka”.

Më kot e ndjera, kur mori çmimin “Nobel”, tha: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht “Zemrës së Krishtit”. Ajo është skopjankë, ndërsa ekzistojnë disa libra dhe enciklopedi të botuara në Maqedoni, ku qartë mund të shihet kjo! Ajo nuk lindi në vitin 1910, në Shkup, kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, por në Skopje, Republika Makedonija Timeless!

Enciklopedia e parë maqedonase, e promovuar nga gjoja “Akademia e Shkencave dhe Arteve”, në mes të tjerash, prezantoi fakte sensacionale mbi prejardhjen e shqiptarëve. Akademikët, me kujdes, shënuan gjithë atë që kishin ëndërruar tërë kohës sa zgjati procesi i përpilimit të Enciklopedisë: Bile, edhe kopjuan disa vepra shkencore serbe. Në mes të emrave të akademikëve që përpiluan Enciklopedinë qëndrojnë edhe emra shqiptarësh, të cilët distancohen nga pjesëmarrja e tyre në këtë cirk që përdhos nocionin shkencë dhe shpërbën kuptimin e institucionit Akademi, por asnjëri nuk del haptazi të pyesë se pëse është keqpërdorur emri i saj, ta padisë këtë institucion fyromian dhe të japë dorëheqjen nga ajo?! Në këtë enciklopedi thuhet se në Maqedoni nuk kanë jetuar shqiptarë. Ata nga Shqipëria kanë kolonializuar këto vise pas shekullit të 16-të, duke u vendosur nëpër shtëpitë e maqedonasve, të cilët i kanë dëbuar më pas prej aty. Ndër të tjera, në këtë enciklopedi, shqiptarët emërtohen si arbanasë, arnautë dhe shqiptari, ku kjo e fundit shoqërohet me shpjegim përkatës, nën kllapa “Pllaninci (të malit)”. Hë pra, kështu është e vërteta, ani se nuk ka enciklopedi tjetër në botë përveç ndoshta në Serbi, ku pohohen këto thënie të akademikëve sllavo-maqedonë antikë; ani se prejardhja dhe identiteti kombëtar i shtatë milionë shqiptarëve në Ballkan është i pakontestueshëm, ndërsa nëntëmbëdhjetë vite të tëra debatohet për ndërrimin e emrit të shtetit dhe përcaktimit të identitetit kulturor gjuhësor dhe historik të sllavo-maqedonasve antikë (mision shkencërisht i pamundshëm, pasi ata janë bullgarë), përsëri Akademia e përkrahur nga qeveria e bëri të veten dhe zbuloi disa të vërteta të pathëna mbi shqiptarët! E vërteta ka një element që nuk guxon të mohohet kur atë mundohet ta fshehin dhe shtrembërojnë fort; ajo errësohet dhe zbehet, e kur të njëjtën gjë mundohet ta bëjë i dobëti, ai vetëm bën lolo nga vetja e tij.

Po ashtu, edhe duhet, nëntëmbëdhjetë vite resht përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dhe zgjedhjes së përfaqësuesve tanë në pushtet, edhe pa pushtet, ne legjitimuam formësimin e shtetit-komb të krijesave hibride të Titos; e tani, këto krijesa na janë “forcuar” dhe përdhosur, e askush, bile as ata vetë, nuk kanë kontroll mbi veten e tyre. Nuk mundem as ta paramendoj motivin e njeriut shqiptar që do të dalë të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare (po qe se ka Maqedoni deri atëherë). Nejse, ndoshta përfaqësuesi shqiptar në mandatin e ardhshëm do të jetë i nevojshëm për të votuar ndonjë ligj a vendim me të cilin gjithë shqiptarët do t’ua falim shtëpitë dhe pronat tona Donçove dhe Sllavçove dhe duke u kërkuar falje publike për atë që ua bëmë në shekullin e 16-të; do të shpërngulemi nga kemi ardhur, në Shqipëri, e me këtë, do të përfundojë procesi i dekolonizimit të Maqedonisë nga shqiptarët e këqij. Përndryshe është fashinante edhe heshtja e zyrave ndërkombëtare, pa të cilat, FYROM-i nuk mund të frymojë dhe që u zotuan që nga Maqedonia do të ndërtojnë një shoqëri multietnike dhe demokratike, pasi ndërrimi kufijve në këtë shekull nuk qenka i mundshëm!

Së shpejti del edhe botimi i dytë i Enciklopedisë maqedonase. Thonë që në mes zbulimeve tjera do të promovohen edhe dy të vërteta historike interesante: E para është figura historike e një heroi të madh të popullit maqedonas dhe shtetit të Maqedonisë me emrin Sashe Veliki, ndërsa ai ka qenë një prijës i famshëm i VMRO-së, i cili e zgjeroi Maqedoninë deri në Indi. Kur u nis për në Indi, Sashe Veliki nuk ishte vetëm. Me vete i kishte edhe vëllezërit e shenjtë të alfabetit maqedonas, Kirilin dhe Metodin, të cilët i mësuan elefantët që të fluturojnë, të flasin dhe këndojnë maqedonisht.

E vërteta e dytë do të jetë lajm i hidhur për Dizneyland-in: Mickey Mouse është Mickeydon. Për këtë zbulim, më shumë se të gjithë fëmijët sllavo-maqedonas, u gëzua kryeministri i vogël, i cili menjëherë urdhëroi oborrtarët e vet që të përpilojnë një “projekt” për vendosjen e një busti të Mickeydonit në qendër të qytetit; kuptohet, në qoftë se mund të gjendet vend.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›