E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur amerikanët do të harrojnë se janë amerikanë, atëherë do të triumfojë terrorizmi

11-09-2012 / Nga Redi Agolli

Amerikanët jetojnë në një shtet i cili është mbretëria e të drejtave dhe lirive të njeriut, ku liritë fetare dhe liria e fjalës qëndrojnë të ekuilibruara, një vend ku parimet demokratike kanë arritur kulmin e tyre, ku fjala “përulje” dhe “humbje” nuk bën pjesë në fjalorin e tyre dhe në momentin kur ata harrojnë se janë amerikanë, kur harrojnë ato virtyte liridashëse dhe paqedashëse të cilat përbëjnë ADN-në e të qenit amerikanë, është pikërisht momenti kur terrorizmi fiton

Kur sheh përvjetorin e 11 shtatorit, dhimbjen e familjarëve të viktimave, momentin e qetësisë në orën kur avionët u përplasën, çdo 11 shtator i çdo viti të rikujton impaktin e madh që kjo datë pati tek të gjithë ne dhe fuqinë e popullit amerikan për t’i bërë ballë sulmeve të tilla. 11 vjet më parë ne pamë botën të ndalonte rrotullimin e saj në kontinentin e Amerikës së veriut. Ne pamë pafajësinë e një kombi të shpërbëhet në qiell dhe në tokë. Ne pamë fytyrën e të keqes në shtëllungat e tymit. Ky ishte 11 shtatori i vitit 2001, dita kur e gjithë bota, pavarësisht diversitetit kulturor, politik, ekonomik, i ktheu sytë nga kryeqyteti i planetit duke u shokuar me sulmin terrorist në zemrën e saj. Ndryshe nga sulmet e tjera terroriste, këtë herë mbreti i terrorit nuk erdhi nga toka por nga ajri. Ashtu si gjithë të tjerët edhe unë pasi ndeza televizorin, kuptova se kjo ditë nuk do të ishte njësoj si ditët e tjera të shtatorit. Kur ndeza televizionin, stacionet prestigjioze televizive, si CNN, BBC, etj... na transmetonin pamje ku qytetarët amerikanë na shfaqeshin si statuja të ngurtësuara kur avioni i parë goditi njërën nga kullat, më pas zhurma e një avioni të dytë dhe përplasja e saj me kullën tjetër i bëri ata të ndryshonin këtë “gjendje agregate” për të vrapuar ashtu si vrapimi i një zebre kur kërkon t’i shpëtojë kthetrave të tigrit ose luanit. Në televizion pashë imazhet e figurave të vogla që dukeshin si zogj në dritaret e kullave me tym, vetëm se ato nuk ishin zogj por njerëz të detyruar nga flakët, njerëz të detyruar të bënin zgjedhje të pamundura në rrethana të pamundura. Të gjithë i pamë kullat teksa rrëzoheshin duke rënë nga qielli, poshtë nga retë, një skenë drithëruese, befasuese dhe e pabesueshme, emocione që na pushtojnë trupin vetëm kur shohim ndonjë film të regjisorit Stiven Spilberg. Në ato momente, koha mu ndal edhe mua, ngriva në vend. Qëndrimi im atë ditë ishte i njëjtë me qëndrimin e shumicës së amerikanëve: terroristët nuk duhet të fitojnë. Një shtet i fuqishëm si SHBA-ja nuk do të lejonte që të përkulej, por përkundrazi do të tregonte muskujt e saj të fuqishëm, ashtu siç bëri më 7 dhjetor të vitit 1941, kur u godit nga një sulm prej skuthi nga perandoria japoneze në Pearl Harbor. Madhështia e saj do të shkëlqejë dhe idetë e lirisë do të mbeten një fener që do të ndriçojë botën.
Duke e parë në një prizëm multidimensional për nga pasojat që la sulmet e 11 shtatorit nuk ishin vetëm një sulm vetëm ndaj Amerikës, ato ishin edhe një “11 shtator” mbi një fe, mbi një besim i cili udhëheq botën shpirtërore të qindra milionave njerëz, Islamit. Terroristët  kanë rrëmbyer pasionet e këtij besimi, kanë transformuar kuptimin tij, e duan të shohin ndërtesa të shkatërruara dhe njerëz të djegur dhe kërkojnë të rekrutojnë sa më shumë shpirtra naivë dhe të brengosur për kauzën e tyre anti-njerëzore.
Por çfarë solli në të vërtetë 11 shtatori, çfarë u rikujtoi amerikanëve dhe mbarë botës?  Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, le të kthehemi mbrapa në kohë, aty ku rreziku i një shfarosje apokaliptike jetonte me amerikanët. Gjatë gjithë intervalit kohor 1945-1991, rreziku ndaj një sulmi bërthamor ishte aq i madh, saqë amerikanët, përpos lëndëve historike, filozofike, matematikore, mësonin edhe sesi të qëndronin në gatishmëri, pasi supozohej se nga minuti  në minutë Bashkimi Sovjetik mund t’i hidhte bombë atomike SHBA-së. E tërë kjo frikë, pra të çohesh në mëngjes dhe të gëzohesh se po sheh diellin duke thënë, “falë zotit jam gjallë edhe sot” i shoqëroi amerikanë deri në fund të Luftës së Ftohtë. Mbarimi i kësaj të fundit e zhduku disi paranojën e qytetarëve ndaj kërcënimeve, por pas 11 shtatorit duket se është krijuar një paranojë e re ndaj ekstremistëve dhe kërcënimeve që ata paraqesin. Megjithatë, një komb i cili themelet e tij i ka ndërtuar tek parimet universale të njerëzimit dhe me besimin tek Zoti, është një ushtar i cili do të tregohet i pathyeshëm në fushëbetejat ndaj së keqes. Këtë, kombi amerikan e tregoi me zbarkimin në Normandi, zbarkim i cili nuk solli vetëm ushtarë dhe armë, por solli lirinë, atë liri të cilën nazizmi e kishte eklipsuar me shtypje dhe robëri. Pra, rrjedha e historisë e ka njohur Botën me demonë nazistë dhe komunistë, por me 11 shtator, ajo njoh me një demon tjetër, terrorizmin, ndaj së cilës SHBA-ja lufton dhe po triumfon me vendosmëri. Lideri famëkeq i organizatës po famëkeqe të Al-Kaeda-s, Osama bin Laden, u vra në maj të vitit 2011, vrasje e cila e la pa zemër dhe tru organizatën terroriste. Si për ironi të fatit, gjatë ditës së djeshme, një ditë para përvjetorit të 11 shtatorit, u raportua se i dytë në komandë, Said al-Shihr, u gjet i vrarë në Jemen. Sot, 11 vjet pas 11 shtatorit, me kryekomandantin e saj të vrarë dhe me komandantë të tjerë që vriten aq shpesh sa herë zëvendësohen, Al-Kaeda gjendet e copëtuar, pa kapital në para dhe në njerëz, me një të ardhme e cila parashikohet lehtë si e zymtë, pa nevojën e ndonjë Kasandre apo Orakulli. I tërë ky triumf ndaj terrorizmit erdhi sepse amerikanët kultivojnë demokraci dhe paqe, jetojnë në një vend të lirisë së njeriut, ku liritë fetare dhe liria e fjalës qëndrojnë të ekuilibruara, një vend ku parimet demokratike kanë arritur kulmin, ku fjalët  “përulje” dhe “humbje” nuk bëjnë pjesë në fjalorin e tyre, prandaj në momentin kur ata harrojnë se janë amerikanë, kur harrojnë ato virtyte liridashëse dhe paqedashëse të cilat përbëjnë ADN-në e të qenit amerikanë, është pikërisht  momenti kur terrorizmi fiton.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›