SPECIALE/ 11 shtatori 2001, dita që ndryshoi Botën

Duke nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në këtë 11 vjetor, në shenjë solidariteti ndaj familjarëve të viktimave të 11 shtatori, si dhe ndaj kombit mik të Shqipërisë, SHBA, gazeta “55”, nëpërmjet kësaj Speciale dedikuar 11 shtatorit, u ofron lexuesve të saj fakte, dëshmi dhe intervista nga protagonistët që i përjetuan personalisht ato ngjarje, por edhe nga protagonistët politikë, të cilët skalitën një rregull të ri botëror
Zëra të “gërvishtura” nga qiellgërvishtësit: Ja çastet dhe bisedat e fundit të viktimave të 11 shtatorit
Flasin miqtë dhe të afërmit e viktimave lidhur me bisedat e fundit që kanë shkëmbyer bashkë, gjatë momenteve të fundit të jetëve të atyre që u bën viktima
Kati i 110: Steven Jacobson, viktimë
Ishte një inxhinier transmetimi për WPIX-TV dhe zyra e tij ishte pikërisht në katin 110 të kullës së veriut, poshtë antenës së stacionit. Kur aeroplani i parë goditi kullën, një shok dhe koleg i tij i quajtur Victor J. Arnone, e thirri dy herë nga stacioni për të parë se çfarë po bënte. Ja si shprehet ai: I thashë “Stiv, je mirë?” Isha krejt i shokuar që edhe pas goditjes së aeroplanit të parë, ai ende po punonte. Më tha:“Po fillon të bëhet shumë nxehtë këtu. Çfarë po ndodh?”- i thashë të merrte një nga paketat e ajrit që kishim. Pas bombardimit të vitit 1993, ishim pajisur me to. Ishin njësoj si ato që përdorin minatorët, kur kanë nevojë për ajër, ndërkohë që duan të mbijetojnë. Ato pajisje mund të të furnizojnë me ajër për 5 orë rresht. Biseda e dytë ishte pikërisht pas goditjes së aeroplanit të dytë. Unë po i thosha: “Ata janë terroristë. Goditën kullën tjetër. Përpiqu të arrish deri në taracë”. Por ai ma ktheu: “Është shumë nxehtë dhe nuk dal dot. Më nxirr që këtu. Kërko ndihmë”. Më pas dha shpirt.
Kati 106: Howard Kane, viktimë
Howard Kane ishte inxhinier kompjuterësh në një restorant në katin e 106 dhe 107 në kullën e veriut. Bashkëshortja e tij, Laura po fliste me të në telefon, kur ai ndodhej në zyrë në katin 106, kur goditi aeroplani i parë. Ja dëshmia e saj: Pasi goditi aeroplani, dëgjova një grua, një zë nga vajzat e zyrës që nisi të ulëriste “Oh Zot, na kanë ngritur kurth”. E dëgjova atë që ulëriti në telefon, duke thirrur emrin tim. M’u duk se i ra telefoni nga dora. Më shkoi mendja se pësoi atak kardiak. Nisa edhe unë të bërtisja si e marrë. Dëgjoja edhe njerëz të tjerë përreth që ulërinin. Më kapi veshi një zë burri që kapi telefonin dhe tha “Ka rënë zjarr. Na duhet të telefonojmë 911”.
Garth Feeney, viktimë
Garthishte zëvendës/president i “DataSynapse”. Ai në ato momente po ndiqte një konferencë për biznes në katin 106 në kullën e veriut, kur goditi aeroplani. Pas nja 5 minutash pas gjëmimit, ai mori në telefon nënën e saj, Judy Feeney, në Florida. Ja dëshmia e saj: “Sa kisha ndezur TV te “Goodmorning America”. Sapo pashë aeroplanin, nuk po kuptoja asgjë. Dëgjova telefonin të binte dhe po i thosha burrit se ishte djali. Thjesht thashë disa fjalë “Si je? Ç’kemi ndonjë të re? Ai më tha “Mami, nuk të mora në telefon të bisedojmë gjatë. Ndodhem në Qendrën Tregtare Botërore dhe jemi goditur nga aeroplani”. Unë ia prita “Të lutem më thuaj që nuk je lart, por në tokë”. Ai më tha “Jo, jam lart. Jam në katin më të lartë. Jemi gjithsej 70 vetë këtu. Ata i kanë mbyllur dyert dhe po përpiqen që tymi të mos hyjë në dhomë”.
Christopher Hanley, viktimë
Z. Hanley po ndiqte konferencën për Grupin e Rrezikut prej Ujit kur ndodhi tragjedia.
Ai mori në telefon 911 pas goditjes së aeroplanit të parë në orën 8:57 dhe raportoi për tymin në katin e 106. Raportoi edhe për faktin se “Njerëzit nuk zbrisnin dot poshtë” sipas shënimeve të policisë për bisedën. I ati i viktimës, Joseph, është shprehur se Kristoferi kishte marrë në telefon edhe të dashurën e tij, Tracy, nga ora 9:00. Ajo është shprehur se ai i kishte thënë në telefon “Jam mirë. Jam në katin 106. Është plot tym dhe mezi marrim frymë”. Kristoferi kishte shtuar edhe faktin se nuk mundeshin t’i përdornin shkallët.
Kati 106: Peter Alderman, viktimë
Z. Alderman, një komisioner i Bloomberg, po ndiqte një konferencë pune. Portreti i tij dhe i një kolegu tjetër, Uilliam Kelli, ishin shfaqur në konferencë atë mëngjes dhe fotografi u largua bashkë me filmin, pak minuta para goditjes së aeroplanit të parë, kopjet e së cilit u siguruan nga nëna e tij, Liz Alderman. Në orën 9:05 një mik i Alderman, i kishte dërguar një e-mail, duke i thënë “Pete, nëse e merr këtë e-mail, të lutem më bëj të ditur a je mirë apo jo”. Në orën 9:07 Alderman ia kthen “Ka shumë tym”.
“A po ju drejton dikush se çfarë duhet të bëni?” ia kthen shoku në orën 9:15.
“Jo”. Z Alderman ia kthen “Është një rrëmujë e madhe”. Më pas shoku e pyet “A je akoma në ndërtesë?” Z. Alderman ia kthen përgjigjen “Po, por nuk mund të lëviz”. Në orën 9:22 Alderman iu përgjigj një mesazhi nga një prej kontrollorët, Kevin Foley, i cili e pyeste “A je mirë?” Alderman ia kthen “Dhoma po mbushet e tëra me tym”. Z. Foley më pas e pyet “A po merrni ndonjë urdhër se çfarë duhet të bëni?” Alderman ia kthen “Jo, ngecëm këtu në zyrë, ka kaq shumë tym, të gjithë jemi në ankth, tymi po e mbush krejt dhomën”. Mesazhin e fundit e dërgoi në orën 9:25.Në të njëjtën kohë po fliste online edhe me motrën e vet, Jane Alderman. Ai po i shkruante asaj në orën 9:07 “Na ka hyrë tmerri, dhoma është gjithë tym”. Ajo i shkroi “A ka mundësi të dilni prej andej?” Z. Alderman ia ktheu në orën 9:16 “Jo, nuk mund të dalim, kemi ngecur”.
William Kelly, viktimë
Z. Kelly po ndiqte një konferencë. Kjo dëshmi vjen nga motrat e viktimës.
Kulla e veriut u godit nga aeroplani i parë në orën 8:46. Askush nuk mbijetoi nga katet e larta. Z. Kelly dërgoi shumë e-maile në zyrën e tij që u sigurua nga motrat e tij, Colleen Kelly dhe Maureen Donegan. E-mailet për fat të mirë janë origjinale.Fotoja e tij dhe ajo e Peter Alderman, kolegut të tij të sipërpërmendur, ishin marrë në restorant nga një fotograf, i cili u largua pak minuta para përplasjes së aeroplanit të parë. Dialogu nisi me një e-mail me një mik të Kellit. Miku i shkruante në orën 9:05 “Shihni lajmet. Një aeroplan sapo goditi Qendrën Tregtare Botërore”. Z. Kelli u përgjigj duke përdorur blackberryn e tij në orën 9:10 se ishin në konferencë, ku po ndihmonte për të rregulluar sistemin e informacionit të Bloomberg. Përgjigja e tij ishte “Kam ngecur në katin 106 ... kam ngecur”. Më pas Kevin Foley, një prej mbikëqyrësve të z. Kelli, i dërgoi një tjetër e-mail në orën 9:21. Shkruante “Je mirë?” Edhe disa kolegë të tjerë i dërgonin e-maile. Në orën 9;23, z. Kelly i dërgoi përgjigje z. Foley “Kemi ngecur në katin 106. Duket se thellësia më e madhe e zjarrit është pikërisht këtu”.
Stuart Lee, viktimë
Start Lee ishte zëvendës/president i Data Synapse, po ndiqte një konferencë në katin e 106 në kullën e veriut. Pas goditjes së aeroplanit të parë Lee nisi të shkëmbente e-maile nga zyra e tij, duke përdorur celularin. Këtu kemi tekstin e disa prej e-maileve që mori dhe dërgoi Lee. Në orën 9:11, Lee i dërgoi një e-mail shefit të tij. Subjekti ishte “Aeroplani u përplas me Qendrën Tregtare Botërore”. Në opsionet e “rëndësisë” ai e listoi si me “rëndësi të madhe”. Në tekst ai pyetet “A ka ndonjë ide se në cilën anë u përplas aeroplani?” 2 minuta më vonë Peter Lee i shkruan “Ku ndodhesh tani?” Stuart Lee ia kthen përgjigjen në orën 9:17. “Nuk e di me saktësi”, shkroi ai. “Ne kemi ngecur në katin 106. Kudo ka tym. Ka ndonjë lajm nga jashtë?” Një minutë më pas, Peter Lee iu përgjigj nga zyra e tij. “Kush është aty me ty?” shkroi. “Isha duke folur në telefon me Raj, një tjetër punonjës në të njëjtin kat. Thirrëm më pas Lynn (gruan e Stuart Lee) e cila është mirë. Kemi njoftuar policinë dhe kemi komunikuar me njerëzit atje – është një skuadër në katin 106”. Në orën 9.23 Stuart Lee i ktheu përgjigje. “Garth (një koleg) është pak më tutje në këtë zyrë plot njerëz. Dëgjova diçka për thyerjen e një dritareje. Nuk kemi më kohë”.
Joana Vidal, viktimë
Ajo foli shkurt me të atin, Enrikun, rreth orës 8:55. Ja dëshmia e tij:
Ajo më mori në telefon dhe më tha që ndërtesa po digjej nga zjarri. i thashë të dilte prej andej. Ajo më tha se ndjente nxehtësinë. Ata po përpiqen të bëjnë ç’të munden. Dëgjova dikë që thoshte nga poshtë “Ndërtesa është në flakë. Përpiquni të thyeni ndonjë dritare apo derë që të dalë tymi jashtë”.
Hagay Shefi, viktimë
Ishte themelues i Teknologjisë i Linjës Gold dhe ishte duke ndjekur konferencën në katin 106 në kullën e veriut. Në orën 9:04 mori në telefon bashkëshorten e tij, Sigal. Miqtë e kishin përshkruar z. Shefi si një optimist i përjetshëm, por gruaja u shpreh se ishte shumë e shqetësuar dhe se kjo gjendje ishte shumë serioze. “Ai më tregoi se ishte një bombë dhe kishte shumë tym”, tha ajo. “Ai dukej shumë i qetë, por pata ndjesinë se kushtet ishin të këqija. Ai e di që nuk del dot jashtë. Dukej nga mënyra e të folurit. Sa i rëndë toni i tij i të folurit, sa i vështirë. Ishin fjalë lamtumire”.
Peter Mardikian, viktimë
Sipas bashkëshortes së tij, Korina, ai e mori në telefon rreth orës 9:05 duke përdorur një prej telefonave me kabull nëntokësor, që ende funksiononin në katin 106. Folën për pak minuta. “Ai më tha se kishte shumë tym, jashtëzakonisht shumë”, thotë ajo. “Ishte në ankth se nuk merrte dot frymë. Fliste se donte të shkonte drejt çatisë. Më tha se nuk fliste dot më gjatë, se kishte edhe të tjerë që donin ta përdornin atë telefon”.
Kati 105: Ralph Gerhardt, viktimë
Foli në telefon pasi u godit ndërtesa nga aeroplani. Po bisedonte me të atin, Hans Gerhardt në Toronto. Mundi të fliste në orën 8:48. Po shpjegonte se çfarë kishte ndodhur në Qendrën Tregtare Botërore. “U goditëm nga një bombë apo nga një aeroplan. Jam mirë, jemi mirë. Po përpiqemi të dalim që këtu. Të dua shumë dhe do të marr në telefon, sa më shpejt të mundem”. Ai nuk ishte nga ata persona që frikësohen kollaj. Notonte në thellësi të mëdha në det. i dridhej paksa zëri. Por kishte besim. i jemi mirënjohës që na dhuroi ato momente”.
Kati 105: Mike Pelletier, viktimë
Pas përplasjes, ai i telefonoi gruas së tij, Sofisë, në orën 8:51. E shoqja na dëshmon këtë bisedë. U nis me tren që në orën 6 të mëngjesit nga Greenëich. Kjo ishte koha kur ngrihej në mëngjes. Në tryezën e punës e gjeje gjithnjë në orën 7:00, 7:10. Më puthi duke më thënë “mirupafshim”. Kam dy vajza. Djali ynë është 11 muajsh. Atë mëngjes pati mjaft mjegull. E mbaj mend mirë puthjen e tij duke më përshëndetur. Ishte dita e parë që vajza jonë shkonte në çerdhe. i bëra një video. E çova deri ne çerdhja dhe parkova aty pranë makinën. Po e merrja Sindin nga makina për ta nxjerrë jashtë, kur më tringëlloi zilja e telefonit. U përgjigja. Ishte ai. Ishte në panik. Më tha “Sof, një aeroplan u përplas me ndërtesën. Nuk di se çfarë do bëjmë”. Më tha se më donte. Mu deshën pak sekonda që të kuptoja se çfarë po ndodhte. I thashë “Oh, Zot, kush mund t’ju ndihmojë?”. Ai më tha “Nuk e dimë. Nuk e dimë. Nuk flas dot”. I thashë se ishte mirë të telefonoja në numrin 911. Ai ma ktheu “Po, po, po. Telefono 911”. Kjo ishte. Më tha prapë se më donte. Mora në telefon 911. Ata qeshnin. Nuk kishin dëgjuar asgjë. Thanë “Oh, po, duhet të sigurohemi që mesazhet shkojnë”. Rendi, një shok, po i shpjegonte se ishte një sulm terrorist. Miki nisi të betohej. Miki shpërndante informacionin me të gjithë. Rendi mund ta dëgjonte teksa shpërndante lajmin. Miki tha “Nuk jemi plagosur, thjesht jemi pak të çorientuar për shkak të tymit. Do hapim dritaret që të shpërndahet tymi dhe të marrim frymë”. Ai më pas tha “Mos u var, mos u var. Na duhet të flasim me ndonjë specialist të ndërtesës për të marrë vesh ç’duhet bërë. Sepse ne nuk dimë si të dalim prej këtu”. Ata vdiqën të vetmuar. Askush nuk i ndihmo dot. Askush nuk ishte atje, t’u zgjaste dorën. Por ata ishin trima. Bënë gjithçka për të dalë prej andej, luftuan me zemër dhe shpirt, por nuk kishte rrugë shpëtimi, ishte një torturë.
Kati 105: Jeff Shaw, viktimë
Gruaja e tij, Debra, ofron dëshminë e saj për bisedën e shkurtër me bashkëshortin pas përplasjes së aeroplanit të parë: “E mora në telefon. E mora pikërisht pas goditjes së aeroplanit. Ishte në katin 105 në atë moment. Më shpjegoi se ç’kishte ndodhur. i thashë që e pashë aeroplanin që goditi ndërtesën. Më tha se dhoma ishte krejt e mbushur me një tym të zi. Nuk arrinin as të shihnin përballë. Ishte e vështirë të merrje frymë. Ai tha se po përpiqeshin të dilnin jashtë.
Përgatiti: Rudina Dahri