E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur bëhemi viktima të ilaçeve

Nga ilaçet presim mrekullira të menjëhershme për t‘u dobësuar, për të bërë dashuri, për të mos u plakur. Tani, pas vdekjes së Majkëll Xhekson-it, kanë lindur shumë debate. Shpesh njerëzit janë të prirur ta ngatërrojnë kurën e ilaçeve me abuzimin e tyre. Kujdes, sepse antibiotikët mund të bëhen armiqtë numër një të shëndetit tuaj. Ja përse

Këshilla dihet: lexoni me kujdes efektet anësore dhe mënyrën e përdorimit. Por, pavarësisht këtij sugjerimi, "viktimat e ilaçeve" shtohen çdo ditë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rasti ekstrem i një konsumatori si Majkëll Xheksoni ka nxitur tashmë shumë debate. Agjencia amerikane kundër ilaçeve ka shpërndarë një njoftim menjëherë pas vdekjes së këngëtarit, për të kujtuar se përdorimi ilegal i ilaçeve është rritur me 114 për qind nga viti 2001 deri në 2005-ën. Në Francë - tregu i parë europian për industrinë farmaceutike - humbin jetën 13 mijë viktima në vit dhe pothuajse 10 për qind e shtrimeve në spital u detyrohen efekteve helmuese të ilaçeve.

Sauveur Boukris-it nuk i pëlqen t‘u japë mjekim pacientëve të tij, të paktën jo atyre që i konsideron "të sëmurë pas ilaçeve". Së fundmi ka bërë një studim mbi një ilaç që të dobëson. "Është e çuditshme, sepse ka nga ata pacientë që vijnë dhe kërkojnë mjekim sepse kanë humbur një njeri të dashur, ose sepse nuk arrijnë të bëjnë seks me bashkëshortet. Më falni, a mund të quhen sëmundje këto?", thotë i nxehur ai. E përjavshmja "Express" e ka cilësuar doktorin "Don Kishoti kundër industrisë farmaceutike". Boukris sapo ka publikuar edhe një libër mjaft polemik mbi tendencën e fundit, "Ilaçet si karamele", me një listë të gjatë të të gjitha efekteve anësore që çdo ilaç ka dhe që shpesh njerëzit i injorojnë. "Një ilaç mund të të shërojë, por mos harroni se në thelb mbetet një helm", rikujton Boukris. Për përhapjen e kësaj tendence, fajin e kanë edhe "shitësit e sëmundjeve", numri i të cilëve është rritur jashtëzakonisht kohët e fundit.

Shumë studime tregojnë se reaksionet e nxitura nga ilaçet shkaktojnë në 5-7% të rasteve të sëmurë, të cilët duhet të shtrohen menjëherë në spital. Kjo përqindje rritet në bazë të moshës dhe ilaçeve të marra. Por ndoshta ky nuk është thelbi i problemit. Pse i kushtohet kaq pak rëndësi një problemi kaq të përhapur? Shkaqet janë më shumë se një. "Problemi kryesor vjen si pasojë e një studimi jo të rregullt e të mjaftueshëm në universitet", thotë një agjenci ilaçesh. Ndër të tjera, informacioni i kësaj industrie e ka prirje të nënvleftësojë problemet, e pavarësisht efekteve mbi popullatën dhe koston, nuk është raportuar si problem i shëndetit publik. Si pasojë, në fund diagnoza është e vështirë.

Vështirësia për të diagnostikuar një sëmundje po rritet gjithnjë e më shumë. Një studim i publikuar prej "Archives of Internal medicine" nga studiuesit e Pensilvanisë dhe Karolinës së Veriut, ka treguar se në 7 vjet, nga 1998-2005, efektet anësore të ilaçeve janë rritur 2,6 herë, ndërsa ato fatale janë trefishuar. "Efektet e rënda anësore rriten me një shpejtësi 4 herë më të madhe se rritja e precizonit farmaceutik. Gjithashtu, ilaçet më moderne janë absolutisht më të rrezikshme: në 7 vjet, efektet e rënda anësore të 13 ilaçeve bioteknologjike janë rritur 15,8 herë", thotë një studiues nga Karolina e Veriut.

Gjithsesi, nuk duhet të harroni se çdo porosi e doktorit duhet të ndiqet me kujdes dhe të paktën çdo 3-6 muaj duhet të bëni vizitë te mjeku për të ulur në maksimum dozën e ilaçeve. Nëse kjo është e mundur, ju duhet të merrni ato që janë më të nevojshme. Duhet të pranoni që një terapi të mos "kurojë" vetminë apo izolimin. Në këtë rast do të ishte e këshillueshme një shëtitje, apo një punë e vogël për të hequr mendjen, ose një antidepresiv. Nëse jeni mbipeshë, bëni pak gjimnastikë, ose mundohuni të mbani dietë. Për hipertensionin ose kolesterolin e lartë, bëni mirë të ndryshoni stilin e jetesës. Pra, të përdorni ilaçe vetëm nëse ato janë vërtet të nevojshme. Gjithashtu duhet të shmangni në maksimum të gjitha ilaçet e reja që nuk kanë një përdorim të konsoliduar. "Disa ilaçe provohen me studime te 800 pacientë, të tjera te 20 mijë. Efektet anësore më të rralla mund të shfaqen vetëm pas hedhjes në treg", tregon një nga drejtorët e repartit të ilaçeve. Jo rastësisht, mes viteve 1975-1999, në Amerikë janë aprovuar 548 ilaçe dhe 10,2% e tyre janë tërhequr nga tregu me kalimin e kohës. Mes viteve 2000-2001, në Europë 6 ilaçe u tërhoqën nga tregu, ndërsa 10 të tjera morën autorizim për të dalë.

"Sipas studimeve, kohëzgjatja mesatare e komercializimit për ilaçet e tërhequra nga tregu është mesatarisht 4-5,4 vjet", pohon një doktoreshë. Kjo është edhe një nga arsyet që shoqata e konsumatorëve, "Public Citizen", këshillon që për një ilaç të sapohedhur në treg duhet të kalojnë të paktën pesë vjet para se të përdoret. Lista e ilaçeve të reja e që po monitorohen intensivisht është paraqitur në internet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›