Kur dhuna zbret në parket!

2014-2022. Tetë vite diferencë, por përsëri parketi i volejbollit shqiptar kthehet në arenë grushtash mes tifozerive, atje ku më së shumti mbizotërojnë inatet që vijnë nga futbolli. Nga “Asllan Rusi” më 2014 në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Partizani – Tirana, në sallën olimpike “Feti Borova” më 2022 në finalen e Ligës “Gjergj Kastrioti”, Tirana – Skënderbeu nuk ndryshon asgjë. Sulme, zënka, ndërhyrje të forcave të rendit e më pas ankesa nga palët për mungesë organizimi. Por çfarë duhet të thuhet kur përplasjet e “Ujqërve të Dëborës” kanë qenë të pranishëm dhe në gjysmëfinalen e Ligës “Gjergj Kastrioti” mes Skënderbeut dhe Fer-Volej, ndërsa drejtuesit e skuadrës nga Ferizaj janë ankuar për diskriminim e deri në thirrjet anti-Kosovë.
Një Ligë e Përbashkët Shqipëri – Kosovë do të duhet të ishte vëllazërore dhe jo me këto skena që në fakt nuk janë të rralla për lojërat me dorë. Për t’u mbajtur mend ajo që ka ndodhur më 2017-ën në finalen e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Tirana – Vllaznia, pas përplasjes së dy tifozerive brenda dhe jashtë “Asllan Rusit” që solli shtyrjen e ndeshjes. Parketi, apo Lojërat me Dorë nuk kanë nevojë për pamje të tilla, sepse si volejbolli, ashtu dhe basketbolli janë sporte aq të brishta në Shqipëri sa njerëzit numërohen me gishta në sallat sportive. Imagjinoni të vendoset dhe një luajtje pa tifozë, për shkak të këtyre akteve të papreçedenta, çfarë do të mund të shihet.
Sot është koha për reagim, që nesër të mos i kemi përsëri këto gjëra, ndërsa pas tre ditësh do të jenë dhe finalet e Kupës së Shqipërisë po në volejboll. Përsëri Tirana – Skënderbeu për femra e Tirana – Erzeni për meshkuj. Në të kundërt do të duhet të shkojnë në Pallat Sporti me helmeta e antiplumb për të luajtur volejboll…