Skënderbeu fiton trofeun e parë të sezonit

Skënderbeu është fituesi i Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejboll për femra në atë finale të marrë me përmbysje dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. 3-1 për korçaret, që konfirmojnë gjendjen e tyre të mirë e jo vetëm, por dhe dominimin e plotë në sezonin e sivjetëm të rrjetës në vend. Tirana ka marrë setin e parë, 25-20, por vetëm kaq. Tre sete njëherazi për Skënderbeu, 25-16, 25-16 dhe 25-22 dhe në përfundim 3-1.
Ndërkohë janë shpallur dhe lojtaret më të mira të Ligës “Gjergj Kastrioti”, që ishin Valdemir (Tirana), Agolli (Skënderbeu), Gjata (Skënderbeu), Pirra (Tirana), Bego (Skënderbeu), Xheka (Tirana), Mehmeti (Skënderbeu) dhe Kurierova (Skënderbeu). Medaljet për Tiranën si finaliste dhe Skënderbeun si fituese e Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejboll për femra janë dorëzuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Dashamir Brari dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi.
Në përfundim të ndeshjes trajneria e Skënderbeut, Tatjana Marash, është ankuar për dhunë ndaj tifozëve korçar, ndërsa ka premtuar se ky do të jetë sezoni i vajzave bardhekuqe. Ndërkohë trajneria e Tiranës, Amarilda Prenga, shpreson në një kthesë të skuadrës në finalen e Kupës së Shqipërisë pas katër ditësh.