E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një argjentinas shpëton Dinamon në Ersekë

Dinamo regjistroi një fitore të vuajtur 1-0 ndaj Gramozit në Ersekë në takimin hapës të javës së 20-të të Kategorisë Superiore, falë një goli të realizuar në minutën e 89-të nga zëvendësuesi argjentinas, Maksimiliano Timpanaro. Kryesuesit absolutë të Superligës, tashmë në kuotën e 51 pikëve, luajtën me një formacion të gjymtuar - pesë mungesa titullarësh, Pisha, Kuli, Muça, Diop e Putinçanin – luajtën përballë një Gramozi vendas tepër të motivuar e me më shumë raste për të shënuar.
Kronika e ndeshjes prezanton mbrojtësin Klodian Semina - autori i golit në fitoren kundër Apolonisë – përballë Kotorit, por pa mundur të realizojë. Pas një loje mesatare nga të dyja skuadrat, në minutën e 41-të, Rafael Soza gjuajti por portieri Ahmetlli i tha ndal argjentinasit të Dinamos. Me fillimin e pjesës së dytë, në të 50’, Shaqiri i Gramozit goditi nga një distancë prej 20 metrash, por portieri i Dinamos bëri mrekullinë duke mos lejuar golin e kolonjarëve. Sulmuesi Marius Ngjela goditi fort, por Kotorri i thotë sërish ndal. Dinamo u kundërpërgjigj me anë të Elis Bakajt, por sfera e goditur nga golashënuesi më i mirë i kampionatit përfundoi jashtë. Në minutën e 65-të, sulmuesi i Gramozit, braziliani Dos Santos, vetëm gjashtë metra larg portës shënjestron jashtë kuadratit. Një tjetër rast i shkëlqyer i Gramozit me anë të Armando Sadikut, por mesfushori i Dinamos, Nertil Ferraj, shmangu rrezikun në minutën e 83-të. Kur pritej që dy ekipet të ndanin nga një pikë, Dinamo shënoi golin me vlerë tri pikë me anë të blerjes dimërore, Timpanaro, i cili realizoi në minutën e 89-të, duke i dhuruar ekipin të tij fitoren e dytë sezonale ndaj Gramozit - në fazën e parë blutë kishin fituar 4-0 në kryeqytet – por dhe të 16-n në 20 javë të luajtura deri tani.
Dinamo zgjati më tej diferencën ndaj Besës së vendit të dytë, tashmë në kuotën e 15 pikëve, pasi kavajasit do ta luajnë ndeshjen e tyre ndaj Kastriotit ditën e diel. Për Gramozin, që nga ana e tij pësoi humbjen e 10-të në 20 javë (18 pikë), mbijetesa në Kategorinë Superiore në debutimin historik të klubit kolonjar bëhet gjithmonë e më shumë një mision i vështirë.

Kategoria Superiore
Java 20
05.02.2010
Gramozi-Dinamo 0-1
Shënues: Maksimiliano Timpanaro 89'

Gramozi :Ametlli, Rexhepi, Xhyra, Kukaj, Semina, Babaj, Ngjela, Hoti, Shaqiri (73’ Lena), Dos Santos, Haxhibulic (78’ Oliveira). Tr.: Agim Canaj
Dinamo :Kotorri, Malacarne, Xhafa, Feraj, Del Monte, Vila, Malota, Allmuça, Soza, Bakaj (84’ Peqini), Sefa ( 70’ Timpanaro). Tr.: Shkëlqim Muca
Kategoria Superiore

Java 20

05.02.2010
13:00 Gramozi-Dinamo 0-1

06.02.2010
13:00 Skënderbeu-Teuta
14:00 Tirana-Vllaznia
14:00 Laçi-Shkumbini

07.02.2010
13:00 Besa-Kastrioti
14:00 Flamurtari-Apolonia

RENDITJA AKTUALE

1 Dinamo 20 51
2 Besa 19 36
3 Tirana 19 32
4 Shkumbini 19 27
5 Teuta 19 26
6 Kastrioti 19 25
7 Apolonia 19 25
8 Laçi 19 22
9 Vllaznia 19 19
10 Flamurtari 19 18
11 Gramozi 20 18
12 Skënderbeu 19 15

Vllaznia, Tirana rasti ideal
për fitoren e parë në transfertë

Vllaznia shpreson se seriali negativ pa asnjë fitore në transfertë të përfundojë në “Qemal Stafa”, kur kuqeblutë të përballen me kampionen në fuqi, Tiranën, të tronditur së fundi nga ndëshkimet shembullore: pa trajnerin Tafaj, kapitenin Muka dhe katër ndeshje pa shikues. Pas dy humbjeve rresht në po aq ndeshje në vitin 2010, skuadra nga “Loro Boriçi” shpreson se përballë 24-herë kampionëve në një impiant të zbrazët, do të rigjejë fitoren ndaj bardhebluve, çka do të rezultonte edhe suksesi i parë në transfertë (9 ndeshje; 2 barazime, 7 humbje). Me 10 humbje (po aq sa Skënderbeu e Gramozi), 9-herë kampionët e Shqipërisë janë duke bërë një nga sezonet më të këqija në historinë e 70 kampionateve të tyre, aq sa presidenti Valter Fushaj ka qenë i detyruar të pushojë nga puna, jo pak por dy trajnerë: Hasan Likën dhe Roland Luçin. Në ndeshjen e fundit, Vllaznia humbi në shtëpi me Laçin (1-2), por trajnerit Edi Martini i rikthehen tre titullarë në përballjen e dytë sezonale me kryeqytetasit. Vllaznia ka krijuar pak shanse për gol, teksa formacioni shkodran ka mundur të shënojë vetëm 18 gola gjatë 19 javëve të para të edicionit, duke dëshmuar edhe forcën e paktë realizuese. Largimi i ish-kapitenit Vioresin Sinani (te Besa) u plotësua me ardhjen e sulmuesit Sead Haxhibuliç (nga Apoloni), por boshnjaku nuk ka rezultuar efikas në dy ndeshjet e para kundër Shkumbinit në Peqin dhe Laçit në Shkodër, duke kompromentuar edhe imazhin e tij prej goleadori.
Me dy kosovarë, Ilir Nallbanin e Liridon Lecin; dy malazezë, Zheljko Mrvaljeviçin e Bllazhe Rajoviçin, boshnjakun Sead Haxhibuliç, Vllaznia duket e frikshme në letër, por rezultatet në “terren” janë me të vërtetë të dobëta.

Shehu në testin e “ujqërve”

Trajneri i ri i Teutës, Ylli Shehu, është para një prove të vështirë në Korçë përballë Skënderbeut të vendit të fundit. Të dyja skuadrat humbën takimet paraardhëse, por dështimi i durrsakëve me Tiranën në “Niko Dovana” (0-1), i kushtoi ish-trajnerit Mirel Josa edhe vendin e punës. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe trajneri i ri i Skënderbeut, Andrea Marko. Pasuesi i Gerti Haxhiut nuk ka mundur të marrë asnjë pikë në dy përballjet e para, përfshirë edhe ndeshjen e humbur me Kastriotin në Korçë (0-1). Trajneri Marko do të ketë në dispozion të tij dy lojtarët serbë, Sasha Stojanoviç dhe Marko Nestoroviç, duke shpresuar se skuadra e tij do të bëjë një paraqitje krejt të ndryshme nga ajo kundër Dinamos (të humbur 3-0 në “Qemal Stafa”).

6 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›