E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur do të nisin kërkimet në Antigonenë e Leklit?

19/10/2011  Edhe njëherë mbi dilemën e Antigonesë

1. Në vend të hyrjes

Në vitin 2007, në shtypin e përditshëm kam shtruar pyetjen: Antigonea në kodrën e Jermës në Gjirokastër apo të Leklit në Tepelenë? Qëllimi ishte të tërheq vëmendjen e specialistëve të fushës së arkeologjisë dhe drejtuesve të saj. Në identifikimin e një vendbanimi të lashtësisë, gjetjet epigrafike lehtësisht të përdorshme dhe të lëvizshme, sikurse janë edhe teserat me stampën e lexueshme ‘‘ANTIGONEON’’, të zbuluara në vitin 1968 nga arkeologu Dhimosten Budina në Jermë të Gjirokastrës, kurrsesi nuk mund të kenë vlera të njëjta me objektet e vështira dhe aq më tepër të pamundur për t’u lëvizur.

2. Kalaja e Leklit

Ndodhet në juglindje të fshatit Lekël, në kodrën e Shën Mëhillit, në lartësinë 500 m mbi nivelin e detit. Kodra është shumë shkëmbore, me pjerrësi të theksuar nga lindja në drejtim të perëndimit. Fillon e ulët në formë tarracash, deri në këmbët e malit Golik ku kalon lumi i Drinos. Në sipërfaqen e kësaj kodre, duken rrënojat e murit antik, të cilat është vështirë t’i ndjekësh në gjithë perimetrin rrethues. Këto përbëjnë sistemin e fortifikimit të ruajtur deri në ditët tona, ku dallohen teknika të ndërtimit në formë poligonale dhe izodomike (me blloqe guri në formë paralelepipedi). Muri ka trashësi që shkon deri në 3.20 m.

Muri ndjek linja të drejta, i ngritur ndërmjet shkëmbinjve apo i mbështetur mbi platforma shkëmbore të rrafshuara për këtë qëllim. Skajet e murit me shkëmbin natyral, herë blloku i gurit, herë shkëmbi, futen si pykë tek njëri – tjetri. Sipas studimit të mureve, dhe datimit që ka bërë arkeologu anglez Hamond në vitet ’30 të shekullit XIX, sistemi fortifikues i vendbanimit, mendohet të jetë ngritur në fillimet e shekullit III p. Kr. Datimi mbështetet në teknikën dhe materialin arkeologjik, të pashkëputur nga ngjarjet historike.

3. Gjetjet arkeologjike në kodrën e Shën Mëhillit.

Në sipërfaqen e kodrës së Shën Mëhillit ku ndodhen edhe muret e Kalasë së Leklit, gjetjet janë të pakta. Por shpesh konstatohen fragmente enësh të përdorimit të përditshëm, pjesë pitosash (qypa të mëdhenj të përdorura si enë për të mbajtur rezervat ushqimore) dhe tjegullash. Materiali i pakët arkeologjik i gjetur i përket periudhës helenistike dhe asaj romake. Në tarracën e sipërme janë parë fragmente mozaiku shumëngjyrësh, me figura gjeometrike që i takojnë shek. III – IV p. Kr.

Në jugperëndim të kishës së Shën Mëhillit, shkruan arkeologu anglez Hamond në kujtimet e tij, banorët vendas më kanë treguar për një varr në formë tholosi, pjesërisht i zbuluar, por në vitet ’30 të shekullit XIX kur e ka vizituar varri nuk ka qenë i dukshëm. Para Hamond, Isambert ka treguar për disa varre antike që i ka parë në vendin e quajtur ‘‘Nerinon’’, dhe disa monedha të periudhës bizantine dhe veneciane.

4. Lekli fortesë apo...

Edhe pse vizitorë të huaj dhe vendas e kanë quajtur sitin antik të Leklit qytet të fortifikuar, ekziston ideja ku lugina e Drinosit para se të bashkohet me atë të Vjosës, mbi kreshtën shkëmbore ndodhet një fortesë antike. Me pozicionin natyral ajo zotëron horizont të gjerë, pamje në territorin e dy ngushticave, pikërisht ku përfundon lugina e Drinos dhe e Vjosës, të cilat zgjerohen në dy krahët sapo kalojnë Leklin.

Sikurse shihet nga përshkrimi krijohet mendimi se Lekli me kalanë e tij ka qenë një fortesë për të kontrolluar lëvizjet e kalimtarëve, të cilët dëshironin të shkonin nga Iliria apo Maqedonia në thellësinë e Epirit. Pikërisht, në këtë kuadër kalonte edhe rruga e dikurshme për në Molosi apo Kaoni.

Për t’u futur në brendësi të luginës së Drinosit, rruga antike ndiqte shpatin lindor të ngushticave, me terren të stabilizuar dhe pjerrësi relativisht të pakët. Më shumë se 500 m në juglindje të territorit të fshatit Lekël, lartësohet kreshta që hap shikimin e horizontit të gjerë, prej fushave të Tepelenës deri në të Dropullit. Prandaj kalaja është vlerësuar shpesh si fortesë për kontrollin e kalimtarëve, lartësi për vëzhgim të lëvizjeve të trupave të huaja dhe rezistencë fillestare ndaj tyre.

5. ...qytet i fortifikuar?

Siti i Leklit është vendosur në mënyrë të admirueshme, për sa i përket kontrollit të hyrjes nga veriu për në luginën e Drinosit. Pozicioni i Leklit gëzon një mbrojtje të madhe natyrore, i përforcuar nga themelimi i një qyteti të fortifikuar. Në luginën e Drinosit, shprehet arkeologu Hasan Ceka, ndodhen gjashtë gërmadha arkeologjike që meritonin emrin qytet dhe pikërisht: Lekli, Paleokastra, Jerma, Labova e Kryqit, Melani dhe Seloja.

Lugina e Drinosit është nga krahinat më të pasura të vendit, për gjurmë të vendbanimeve antike. Në vitin 1952 Hasan Cekës i tërhoqi vëmendjen një kështjellë antike pranë fshatit Lekël, një nga gjurmët e vendbanimeve të lashtësisë në luginën e poshtme të Drinosit. ‘‘Kështjella e Leklit kontrollonte hyrjen për në grykën e Antigones뒒, na thotë arkeologu Neritan Ceka në intervistën e dokumentarit “Në kërkim të një qytetrimi’’, realizim i RTSH në vitin 2010. Kjo, do të shtoj ai, i tha Hasan Cekës argumentin të quante Antigone, sepse është krejt normale që gryka të marrë emrin me kështjellën më të afërt, pra që do të thotë që edhe gryka ose ngushtica e Antigonesë e quajtur në antikitet, nga fushat e Tepelenës deri në bashkimin e lumit Kardhiq me Drinosin e mori emrin e qytetit të fortifikuar ‘‘Antigonenion’’, Lekli i sotëm.

Në shek. III, me forcimin e molosëve nga Pirrua, do të shpjegoi N. Ceka në këtë intervistë, veç fortifikimit të Jermës kemi dhe të ‘‘Tismatas’’, më në jug në territorin e sotëm të Greqisë pasi kalon Kakavijën, ndërsa në daljen veriore të godinës kemi edhe kalanë e Leklit.

Vizitorët e huaj dhe vendas mendojnë se, në antikitet ka qenë një qytet i fortifikuar. Para çlirimit dhe deri në vitin 1968, kur arkeologu Dh. Budina zbuloi në kalanë e Jermës gjetjet epigrafike, me stampën e lexueshme “ANTIGONEON”, mendimi i të gjithëve ishte se rrënojat e Antigonesë, qytetit të ndërtuar nga Pirro i Epirit në kujtim të gruas së parë, e cila vdiq mbas pak vitesh martesë, ndodheshin në Lekël.

Jerma tashmë është Park Kombëtar, por akoma ekziston dilema që Lekli është Antigonea e vërtetë. Dh. Budina është shprehur: “Me gjithë zbulimin e rëndësishëm epigrafik në Jermë, H. Ceka vazhdon të mbajë mendimin e mëparshëm, duke i konsideruar rrënojat e kalasë së Leklit, rrënoja të Antigonesë së lashtë”.

6. Antigonea e vërtetë – Lekli

Tani që kemi vëzhguar të gjitha rrënojat antike në zonë, identifikimi i mundshëm për Antigonenë është siti në Lekël, për shkak se qytetet e tjerë të afërt antikë janë në Selos, Plloçë dhe Saraqinisht, është shprehur njohësi më i mirë i Jugut të Shqipërisë Hamond. Ai do të shtojë se fakti që Antigonea ndodhet në Lekël mbështetet në dy pika:

Së pari, është themeluar për të mbrojtur hyrjen nëpërmjet Luginës së Drinos në Epir dhe jo hyrjen përmes Luginës së Vjosës për në Dangëlli, drejt Maqedonisë dhe për këtë arsye themeluesi i tij është Pirro Molosi dhe jo Antigoni i Maqedonisë.

Së dyti, ngushtica nga Antigonea nuk është e njëjtë si ngushtica nga Vjosa dhe kjo bëhet e qartë nga veprimet e Filipit V në vitin 198 p. Kr., që kishte për detyrë të parandalonte kalimin e ushtrive romake përmes Epirit, duke dërguar trupat me armatim të lehtë për të bllokuar kalimin që është në Antigone, sipas Livit, me qëllim të mos lejonte kalimin e ushtrisë romake në drejtim të Maqedonisë, përmes ngushticës së Vjosës.

Duke ndjekur gjithmonë botimin e Hamondit mbi ngjarjet e vitit 230 p. Kr., lexojmë se epirotët në luftimet ndaj ilirëve i ndanë forcat, ku njëri grup u përball në Foinike ose Finiqi i sotëm, grupi tjetër nxitoi për të mbrojtur Antigonenë, duke ditur që Skerdilajdi do të kalonte nëpërmjet ngushticës së Antigonesë ose Leklit të sotëm.

7. Mendimi i Arkeologëve të huaj

Duke iu referuar historianëve bashkëkohës të ngjarjeve të ndodhura në ngushticat e Tepelenës dhe pikërisht Polibit, Hasan Ceka shkruan se, një ushtri ilire prej 5000 trupash e kryesuar nga Skerdilajdi, kaloi në Epir nëpërmjet ngushticave të Tepelenës ku hyrja veriore e tyre, si portë natyrore që lidhte Ilirinë me Epirin, zotërohej nga qyteti i Antigonesë – Lekli. Ndërsa N. Ceka shkruan se Kalaja e Leklit, një fortifikim antik që gjendet rrëzë një kreshte shkëmbore në juglindje të fshatit Lekël, kontrollon drejtpërdrejte rrugën natyrore që kalon nëpër shpatin perëndimor të malit Golik, për në thellësi të luginës së Drinos, por në një vështrim më të hapur kontrollohet gjithë gryka e quajtur në antikitet “ngushtica e Antigonesë”, që nga fushat e Tepelenës deri në bashkimin e lumit Kardhiq me Drinosin.

Në shkrimet e Dh. Budinës mbi ngjarjet e luftërave midis Ilirëve dhe Epirotëve, lexojmë se, kur Polibi flet mbi këtë ngjarje, Teuta dërgoi Skerdilajdin, i cili rrugës kapërceu “ngushticat e Antigonesë” për të arritur në destinacion. Këtë rrugë ndoqi për t’u kthyer në Iliri, duke kaluar përsëri në “ngushticat e Antigonesë”. Nga ky përshkrim vazhdon Dh. Budina, për të mbërritur sa më parë në ndihmë të ushtrisë Ilire, e cila kishte rrethuar Finiqin, Skerdilajdit i është dashur të zgjedhë rrugën më të shkurtër, ndoshta më me shumë rreziqe. Për mendimin tonë dhe të mbështetur nga orientimet gjeografike, shpjegon Dh. Budina, Skerdilajdi duhet të ketë ndjekur këtë itinerar: i ardhur nga veriu, zbret në luginën e Vjosës, kalon lumin diku në afërsi të Memaliajt dhe shkon drejt jugut nëpër grykën e Hundëkuqit, pastaj përmes luginës së Kardhiqit del në faqen e Skaficës, nga e cila zbret në fushën e Delvinës ku ndodhet para portave të Finiqit.

Sa afër janë ngushticat e Antigonesë me Leklin dhe sa larg tyre ndodhet Jerma, kuptohet me përshkrimin që ka bërë edhe Dh. Budina, mbështetur tek historiani grek Polibi. Pra, “ngushticat e Antigonesë” i përkasin Leklit, sikurse i kanë përshkruar Hamondi, Hasan Ceka dhe Ceka i ri, Neritani, por edhe Dh. Budina, për sa pranohet se nga veriu në drejtim të jugut përfundojnë aty ku bashkohet lumi i Kardhiqit me Drinosin, ndonëse Jerma ndodhet disa kilometra më në jug të ngushticave të Antigonesë.

Mbështetur në të dhënat e historisë dhe arkeologjisë, nuk mbetet veç se të themi që në Lekël duhet të nisin gërmimet arkeologjike të cilat nuk janë kryer asnjëherë më parë, edhe pse nga kushdo e kurdoherë është thënë: siti i qytetit të Antigonesë ndodhet në Lekël.

8. Në Leklin e harruar duhet të nisin gërmimet arkeologjike.

Gjetja e teserave me elemente epigrafikë në Jermë, ku lexohet "ANTIGONEON", nga viti 1968 ka bërë të largohet vëmendja për të gërmuar në kodrën e Shën Mëhillit të Leklit. Për gjithçka që trajtoj në këtë shkrim, vazhdon të ekzistojë dilema e ANTIGONESË së vërtetë.

Të gjithë arkeologët, midis tyre dhe N. Ceka, pranojnë se në Lekël asnjëherë nuk janë bërë gërmime, aq më keq restaurime të rrënojave arkeologjike mbi sipërfaqe. Asnjë institucion shkencor nuk ka marrë deri më sot ndonjë studim themelor, por është mjaftuar me përshkrime, edhe këto të cekëta, megjithëse në gjithë rastet thuhet, se gryka e qytetit të fortifikuar më dilemën e emrit të Antigonesë, më i afërti pranë saj, e ujit të ftohtë me Leklin e sotëm të harruar si as tjetër, vazhdimisht kanë pasur rëndësi të veçantë në antikitet. Përshkrimi më i fundit mbetet i Apollon Baçes në vitin 1974. Ja pra sa shumë larg kujtesës të specialistëve dhe vëmendjes të drejtuesve të institucioneve vazhdon të mbetet Lelkli, kur në pak vite është shkruar, janë dhënë emisione televizive dhe është trokitur pa fund nëpër dyer, sepse komuniteti lekliot ngulmon të mos mbetet padrejtësisht, përjetësisht i harruar.

Në një bisedë me ish-Drejtorin e Institutit të Arkeologjisë, akademikun Muzafer Korkuti, më është shprehur: "Lekli mbetet me shumë vlera edhe në të ardhmen, për kërkimet dhe zbulimet arkeologjike, sepse për të është folur çfarë janë konstatuar në sipërfaqe, ndërsa duhet të kryhen patjetër gërmime arkeologjike’’. Kanë kaluar më shumë se tre vjet, por gërmimet ende nuk kanë nisur.

Prandaj, edhe këtij shkrimi do t’i bëj të njëjtën mbyllje me të vitit 2007.

Dëshiroj t’u drejtohem edhe një herë studiuesve të Jermës, së Gjirokastrës të mos i ndajnë gërmimet e saj me të Leklit. Për të qenë objektiv, sa më të saktë në përcaktimin e Antigonesë, për sa ekzistojnë mendime të kundërta, domosdoshmërish duhet të nisin gërmimet arkeologjike në Kalanë e Leklit, duke përdorur pjesë nga fondet që sigurohen për vazhdimësinë e gërmimeve në Kalanë e Jermës. Nuk është në të mirë të mirë të studiuesve që këmbëngulin se Antigonea ndodhet në Jermë të Gjirokastrës, ku në 42 vjet nuk janë kryer gërmime njëkohësisht edhe në Kalanë e Leklit të Tepelenës. Shmangia e gërmimeve në Kalanë e Leklit ka për qëllim të lihet pa emrin e vërtetë, të lashtë: ‘‘ANTIGONE’’.

Ky shkrim është mbështetur në botime të autorëve dhe biseda të specialistëve të arkeologjisë: H. Ceka, Dh. Budina, M. Korkuti, N. Ceka, S. Muçaj, S. Nika, etj...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›