E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia - Kosova dhe lufta e ftohtë

Nga Luan MULLAJ*

Kriza e brendshme në Serbi ashtu siç pritej, pas rizgjedhjes së pro-perëndimorit Boris Tadiç, për një mandat të dytë presidencial, u thellua më tej, përçarja rreth unitetit për Kosovën dhe BE, u radikalizua nga vet kryeministri nacionalist Vojisllav Koshtunica, në atë masë sa ai dha dorëheqjen, kjo aspak e papritur në vorbullën e gjithë zhvillimeve të fundit në Serbi dhe hartën e re të rajonit. Serbia sërish në zgjedhje, zgjedhje këto të jashtëzakonshme për nga forma, por edhe nga përmbajtja e të zgjedhurit që do vij nga ato, një qeveri nga forca pro-europiane (perëndimore) apo një qeveri Koshtunica - Nikoliç vazhduese e strategjisë Millosheviçiane në Serbi, Ballkan dhe më gjerë. Për shumë vëzhgues dhe analistë, por edhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare e veçanërisht ato në rajon të dy variantet janë të mundshme, asnjë nuk mund të suportoj apo përjashtoj mundësinë e secilit. Kartën e Serbisë drejt BE-së dhe perëndimit me Kosovën pjesë të saj, pavarësisht kush e trumbeton më shumë të gjitha palët e kanë pjesë reale të programeve elektorale, të programeve demagogjike për përfitime elektorale. Ata (politikanët) më mirë se votuesit e dinë dhe e kanë të qartë se, Kosovën e kanë humbur njëherë e përgjithmonë dhe për këtë iluzionet e humbura nuk mund të bëjnë e zhbëjnë histori tjetër veç realitetit tashmë të pranuar nga më të fuqishmit e BE, SHBA, etj., për t’u pranuar edhe prej tyre KOSOVA REPUBLIKË, siç është de facto nga Qershori 1999, e de jure pas 17 Shkurtit 2008.
Takimi i dy vendeve të pavarura, Serbia e Kosova, në BE, NATO dhe ku është më e mira e popujve përkatës në respekt të lirisë e paqes të njeri - tjetrit dhe detyrimeve bilaterale e multilaterale të tyre në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar është e ardhmja e tyre. Serbët nëse nuk duan ta kuptojnë, duhet të besojnë atë që ndërkombëtarët dhe populli shqiptar i Kosovës ju dhanë më 17 Shkurt 2008: HARROJENI KOSOVËN, ajo kurrë më nuk do të jetë nën Serbi dhe me Serbinë. Për sa më lart ndryshe mendohet, punohet e veprohet edhe sot në Beograd. Kosova për mungesë të vizioneve dhe pranimit të kostove e realitetit të pashmangshëm, nga një kategori politike në Serbi, mbetur tek mendësitë e djeshme shovinisto-totalitare të lidershipit, tenton sot rikthimin sinonim tek metodat e të shkuarës, tek armiqtë imagjinarë apo të krijuar, tek Serbia e madhe, te izolimi dhe lufta e ftohte për “liri-pavarësi dhe integritet”, dokrra tipike këto të mbartura nga periudha monarkiste, komuniste, por edhe tani në Serbi. Veç për pasojat, liria e mirëqenia e popullit serb, lidershipit në Serbi nuk i intereson, por ata harrojnë se njeriu një jetë ka dhe duke i krijuar kufizime artificiale në të jetuarit e saj, dashje pa dashje ke kryer një krim kundër tij, pavarësisht sheqerosjes apo vellos që i hedhin për shije apo bukuri me dashurinë e madhe nacional-shoviniste, veprimet e shtetit serb (udhëheqësve politikë e shtetërorë) sot janë veprime të pastra të mbajtjes gjallë të zjarrit të luftës së ftohtë në Serbi, Kosove dhe rajon. Këtë produkt serbët duhet ta bëjnë mirë llogari, ata nuk duhet të harrojnë luftërat e fundit të shekullit të 20-të ndaj popujve “vëllezër” të ish Jugosllavisë, një pjesë e tyre ortodoksë e sllavë si vetë ata, që nga konteksti i garancive kushtetuese që u jepte të qenit republika të federuara me të drejtë vetëvendosjeje deri në shkëputje, vendosen në mënyrë demokratike shkëputjen dhe mëvetësinë, nga mentaliteti shovinist dhe totalitar i Serbisë, por jo me paqe, ato e fituan lirinë e tyre nëpërmjet luftës, për ti shpëtuar diktatit, dhunës shtypëse, skllavërisë që u ofroi Serbia e Millosheviçit. Kujtesa e tyre është e freskët edhe sot. Mos të harrojmë se një pjesë e tyre ishin sllavë dhe ortodoksë dhe kjo flet shumë për të kuptuar se cila ishte dhe është Serbia. Kur Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia (FYROM-i) nuk mund të duronin më nën hegjemoninë serbe, po Kosova e martirizuara dhe e shtypura me zjarr e hekur nga Serbia, mund të vazhdonte të pranonte edhe më statuskuonë shtypëse dhe makabre ndaj saj. Këtë asnjë nga kalemxhinjtë e Beogradit kurrë nuk deshi ta vlerësojë dhe analizojë me objektivitet dhe realizëm, pa bërë fjalë në kushtet e të drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje të popujve, ky është fati parashkruar i ndarjes dhe mëvetësisë që promovoi vet Serbia. Ndaj Kosovës politika standarde serbe ishte vetëm një; shtypja, shfarosja, lufta, pra armiqësia e pastër dhe jo barazi-vëllazërim –bashkimi, çfarë tregon gjithçka për këdo që drejtësinë e respekton me vepra të drejta, barazinë me shembuj ekuivalent dhe për këdo pavarësisht racës, kombësisë, fesë, etj., elementë këto që shqiptarëve të Kosovës u kanë munguar gjatë gjithë kohës së pushtimit dhe sundimit serb, sidomos gjatë shekullit të 20-të, nga vera e 1913 e më pas, kur Kosova padrejtësisht iu aneksua Serbisë nga Fuqitë e Mëdha të kohës, po ato fuqi që sot i njohin pavarësinë në kufijtë natyrorë të saj, si shtet i Kosovës. Ndërsa bota demokratike dhe fuqitë kryesore të saj me shpejtësi bënë fakt të kryer njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet sovran e demokratik, ka shtete në Ballkan që një hap të tille nuk e kanë bërë akoma, por ka edhe nga ata që janë shprehur pasiv apo që për momentin ngurrojnë. Është për të ardhur keq për vet ata. Kjo mungesë koherence e disa vendeve ballkanike, sidomos atyre që janë edhe anëtarë në organizmat euroatlantike, kanë ndikuar në rigjallërimin e shovinizmit dhe nacionalizmit serb, të vdekur pas pranverës së vitit 1999, mosveprimi apo mbështetja momentale ndaj Serbisë, kanë tensionuar marrëdhëniet në rajon. Ballkani është sërish i trazuar nëse nuk ka qëndrim unik dhe të shpejtë të tij për Kosovën. Kush nuk njeh historinë e tij dhe influencat mbi të në të kaluarën e largët, por edhe të afërt mund të jetë skeptik për këtë, por është më mirë që realitetet e reja të analizohen shpejt dhe konkludohet me vendosmëri për ecjen në kahun e duhur të proceseve në të, Kosova nuk është problemi i tij, Serbia është ajo e djeshmja rreziku permanent për të dhe rajonin. Ajo po nxit tensionet dhe dhunën në Kosovë, por edhe në Bosnjë e Kroaci dhe nuk përjashtohet asnjë mundësi që një veprimtari të tillë ta bëj edhe në Malin e Zi dhe Maqedoni. Serbia po luan hapur dhe në mënyrë të papërgjegjshme “kartën e luftës së ftohtë”, duke mos kuptuar se kjo kartë ka rënë aty ku u krijua dhe konsolidua për qëndresë, siç ra e tërë lindja komuniste, siç ra BS-ja, RFJ-ja, etj. Ëndrrat për ringritjen më shumë se realitet janë utopi për epokën e globalizmit dhe demokracinë në kohën që jetojmë. Luftë kërkuesit dhe luftë nxitësit janë në minorancë të përjetshme dhe të destinuar në humbjen e tyre. Nëse kokat pendë flakë në Beogradin e sotëm nuk e kuptojnë, le ti referohen historisë së dy dekadave të tyre dhe ish RFJ-së. Duke përfunduar do shtroja një pyetje për këdo, por veçanërisht për serbët. Kur nuk ju deshën vëllezërit tuaj sllavo-ortodoksë në RFJ për bashkëjetesë a mund t’u duan ju vallë shqiptarët (Kosova) që nuk janë të tillë dhe që ju i keni mbajtur nën sundim vetëm nëpërmjet forcës, dhunës, gjenocidit dhe luftërave shfarosëse?! Bashkëjetesa pa lirinë nuk ekziston. Këtë e kam sugjerim oportun edhe për senatorin demokrat Barak Obama në SHBA. Harrojeni Kosovën - koha e dyndjeve dhe përfitimeve barbare ka shumë vite që ka përfunduar në Europë. Bota nuk duhet të harrojë një gjë, kujdesin për ju dhe ndaj jush, sikundër edhe riciklimin e rrezikut që ju mund të sillni për paqen dhe rajonin. Gjithsesi askush dhe askujt s’do t’i falet asnjë aventurë, Haga është kujtesë lirie për JU, prandaj kujdes, respektoni lirinë e të tjerëve për të gëzuar edhe ju lirinë tuaj që zoti ju fal çdo ditë, por jo ofshamat histerike të ndonjë prifti të rrjedhur luftënxitës që ngatërron punët e fesë me ato të shtetit dhe përlyen të papërlyerin dhe të madhërueshmin zot, në fëlliqësirat e tij hegjemoniste-shoviniste-luftënxitëse, “vëllavrasëse” në Serbi. Ndoshta mendjet e shëndosha të paqes në samitin e Bukureshtit në Prill do kenë një argument më shumë për vendet e Ballkanit Perëndimor, të kartës “Adriatik 3”, për ti bërë pjesë të aleancës së Atlantikut Verior. Ndaj zgjohuni nga ëndrrat e së shkuarës me realitetin në sy drejt Bashkimit Europian që më shumë se kujtdo ju ka shtrirë dorën e miqësisë që kurrë si ka munguar Serbisë edhe nga shqiptarët dhe Shqipëria. Është kërkesa me demokratike që të aspirojmë për paqe dhe prosperitet në rajonin tonë me shtetin më të ri në botë drejt Europës moderne. Lufta e ftohtë s’ka të ardhme, por Kosova dhe rajoni duhet të jenë vigjilent.

*Kryetar i Lëvizjes “Miqtë e SHBA dhe Clinton në Shqipëri”, “Ambasador për Paqen”, Drejtor i Departamentit të Performancës për Rendin dhe Sigurinë të Forumit “Albania Imazh”.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›