E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur kombëtarja burgosej në udhëtimin për Islandë

TIRANE- Maj i vitit 1990. Në Shqipëri sistemi komunist kishte përpëlitjet e fundit dhe gjithçka ndjehej jo vetëm në jetën politike, por edhe në sport. Futbollistët ishin ndoshta të parët që i kuptonin erërat e ngrohta që frynin nga perëndimi, pasi ata udhëtonin thuajse çdo vit jashtë, ku shikonin me sy zhvillimet e vendeve demokratike. Më 30 maj, kombëtarja shqiptare do të luante në Islandë, në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Europianit 1992. Në përbërje të ekipit që drejtohej nga Bejkush Birçe dhe gjermani Joakim Klinger në rolin e ndihmësit, ishin 6 futbollistë të Dinamos, duke nisur nga Strakosha, Noga, Rudi Vata, Kove, Demollari si kapiten dhe Abazi. E megjithatë, ai udhëtim do të mbahet mend gjatë në historinë e futbollit shqiptar po jo vetëm. "Ishte udhëtimi kur ndodhi ngjarja e famshme e Londrës, arrestimi, - kujton sot pas 21 vjetësh ishkapiteni i skuadrës kombëtare Sulejman Demollari. - Shkonim në Islandë dhe në Londër na arrestuan për vjedhje. Ishte diçka që nuk harrohet. Përveçse kaluam natën në burg, humbëm edhe linjën e avionit dhe ditën tjetër na vunë në dispozicion një avion tjetër udhëtuam", shton ai. 

ARRESTIMI 
Në aeroportin e Hithrout, lojtarët e kombëtares nisën të vidhnin argjendarira e sende me vlerë, ndoshta duke ngatërruar fjalën "duty-free" të dyqaneve në aeroport. Menjëherë policia u vuri prangat, pasi i kishte parë nga kamerat e sigurisë, ndërsa shtypi i kohës aq donte, duke i "masakruar" pa mëshirë. "Ishte një turp, diçka që nuk ia vlen as ta tregosh", ka thënë pak kohë më parë ish-trajneri Bejkush Birçe për atë moment. Një histori tragji-komike për kohën e sotme, por që atëherë jo edhe aq. Disa lojtarë kishin dalë shëtitje dhe kur panë që një autobus i ruajtur nga policisë nisi të ecte, shkuan edhe ata, duke përmendur fjalën "Albania". Kësisoj, dashur pa dashur edhe ata në polici, ku u gdhinë një natë në rajon si të ishin hajdutë ordinerë. U desh ndërhyrja e gjithë shtetit shqiptar dhe e ambasadës që ata të dilnin nga burgu. Ditën tjetër, titujt e shtypit anglez ishin vërtet masakrues. Kombëtarja shqiptare ishte ndoshta e papërgatirur të përballej me shtypin ndoshta më elitar të Evropës, gjë që e ktheu udhëtimin e saj në një njollë turpi. 

NDESHJA 
Në Islandë, më 30 maj 1990, ndeshja ishte e humbur pa nisur, sepse kombëtarja ishte shuar që në Londër. Futbollistët mendonin për dënimet që i prisnim më mbrapa, në një shtet ku diktatura tentonte ende të mbahej në këmbë. "Humbëm 2-0, por asnjëri nga ne nuk e kishte mendjen se çfarë ndodhte në fushë. Nuk ishim skuadër e keqe, sepse krijuam disa raste, sidomos me Ylli Shehun, megjithatë mendja jonë ishte tek ajo që ndodhi në Londër dhe ajo që na priste më pas", kujton Demollari. Ardhja në Shqipëri dihej: përjashtime, dënime dhe ndihmës trajneri gjerman Klinger që largohet menjëherë nga Shqipëria. Edhe e ardhmja e Bejkush Birçes dihej që do të ishte largimi, por në atë kohë, për herë të parë trajneri i kombëtares u votua dhe Birçe fitoi. Ngjarja e Hithrout dhe ai udhëtim për në Islandë ka hyrë në historinë e futbollit botëror dhe kjo përmendet te 50 ngjarjet më të bujshme të këtij sporti. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që një kombëtare të arrestohej për akuza të tilla, por natyrisht që padija bënte gjithçka. Tituj si "Hajdutët!" të shtypit anglez ishin një tronditje për imazhin e një Shqipërie pak të njohur në botë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›