Kur kriminelët shndërrohen në gjah

Flitej se gjatë kohës sa ka qenë në pushtet, diktatori i Irakut, Saddam Hussein, shumë rrallë ka kaluar më shumë se 10 orë, duke qëndruar në një vend. Prandaj, me rënien e Bagdadit, më 3 prill të vitit 2003, ai nuk kishte qëndruar në pritje të forcave amerikane në pallatin e tij, por ishte arratisur.
Përkundër raporteve për vërejtjen e tij në gjithë vendin, gjurmët e tij nuk po zbuloheshin askund. Forcat aleate ishin në një situatë të dëshpëruar-nuk gjetën as armët për shkatërrim masiv, e as Saddamin. Por më në fund, nëntë muaj më vonë, forcat aleate e zbuluan atë në një vrimë në afërsi të Tikritit, i pajisur me një Kallashnikov, ca çokollatë dhe 750 mijë dollarë para të gatshme. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje tri vite më vonë, më 30 dhjetor të vitit 2006.
John Wilkes Booth
Njeriu i parë, i cili vrau një president amerikan, u ndjek me të gjitha mjetet nga shteti i lënduar. Pas vrasjes së Abraham Lincolnit, më 14 prill të vitit 1865, Booth u largua nga tetari Ford në Washington, e më pas u arratis në drejtim të jugut, i ndihmuar përgjatë rrugës nga disa bashkëpunëtorë të tij.
Forcat vazhduan në të katër anët gjuetinë kundër Boothit, i cili kishte kaluar fshehurazi lumin Potomac më 21 prill, pikërisht në ditën kur u varros Lincolni. Falë informatave të siguruara nga shërbimet e inteligjencës dhe pranimit të bashkëpunëtorëve të tij, Booth u zbulua në fermën e personit të quajtur Richar Garett në Virginia dhe më 26 prill ai u vra nga ushtarët e Unionit, të cilët ja kishin futur flakën ndërtesës, në të cilën gjendej ai. Booth vdiq, duke mbrojtur deri në fund aksionin e tij.
Snajperistët e Beltwayt
Për tri javë të tëra, në tetor të vitit 2002, askush nuk kishte guximin të ecte nëpër rrugët e Washingtonit. Një person i armatosur po lëvizte nga Beltwayi, nga Marylandi në Virginia dhe në 15 sulme nga larg, ai kishte vrarë dhjetë persona dhe kishte plagosur tre të tjerë. Ai filloi të lë prapa edhe kërcënime. “Fëmijët tuaj nuk janë të sigurt, askund dhe në asnjë moment”. Prindërit u kapluan nga paniku, shkollat u mbyllën.
Policisë i ra në sy një Chevrolet i kaltër, me të cilin po lëviznin dorasi John Allen Muhammad dhe bashkëpunëtori i tij, Lee Boyd Malvo. Këta të dy u arrestuan pasi që policia pranoi një informatë, gjatë një ndalimi të tyre në Maryland. Në Chevrolet ishte hapur një vrimë, nga e cila dorasi kishte shkrepur armën e tij. Muhammad u ekzekutua më 10 nëntor të vitit 2010, ndërsa Malvo është dënuar me burgim të përjetshëm.
Adolf Eichmann
Arkitekti i Holokaustit u arratis nga Gjermania pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shkoi në Argjentinë, ku punoi në një fabrikë të Merzedesit në Buenos-Ajres. Gjuetarët e nazistëve e bënë prioritet të tyre zbulimin e njeriut, i cili kishte transportuar drejtë vdekjes 6 milionë hebrenj. Ishte pikërisht një refugjatë hebre gjysmë i verbër nga Dachau, i cili e zbuloi atë. E bija e të mbijetuarit të Holokaustit, Lothar Herman, e kishte njohur të birin më të madh të Eichmannit, Hermanin, i cili po sa kuptoi se kush kishte qenë i ati i tij, i tha autoriteteve gjermane të gjitha gjërat që dinte për të. Gjërmanët këto të dhëna ja përcollën Mossadit dhe pas një viti, agjentët e zbuluan Eichmannin dhe konfirmuan identitetin e tij.
Më 11 maj 1960, Eichmann u kap dhe u dërgua fshehurazi në Izrael. Pas një procesi gjyqësor, ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua më 31 maj 1962. Ai mbetet civili i vetëm, i cili është ekzekutuar ndonjëherë në Izrael.
Radovan Karaxhic
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, i cili tani po përballet me proces në Hagë, i është shmangur arrestimit nga viti 1996 deri në vitin 2008. Ai u akuzua se ishte përgjegjës për vrasjen e 8 mijë refugjatëve dhe spastrimin etnik të 30 mijë të tjerëve, në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, vrasjes më të madhe masive në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Kur u padit për gjenocid, Karaxhic filloi të fshehët dhe u bë hero i serbëve në Bosnje, të cilët i ndihmuan shumë herë që të shpëtojë nga arrestimi. Karaxhic u zbulua në Beograd, ku kishte lëshuar mjekët dhe flokët dhe paraqitej si specialist i mjekësisë alternative, me emrin Dragan Dabic.
Vrasësi i Zodiacut
I vetëquajturi Zodiac, i cili terrorizoi Kaliforninë e Veriut në vitet e 60-ta dhe 70-ta, nuk është kapur kurrë, përkundër hetimeve gjithëpërfshirëse të policisë dhe medieve. Në letrat dërguar gazetave, ai kishte marrë përgjegjësinë për 37 vrasje, edhe pse vetëm shtatë prej tyre janë konfirmuar si vepër e tij. Letrat e Zodiacut përmbanin katër kriptograme, prej të cilave vetëm njëra është deshifruar. Vetëm një i dyshuar, Arthur Leigh Allen, është arrestuar në lidhje me këto vrasje, por policia nuk gjeti dëshmi bindëse kundër tij.
Letrat e Zodiacut u ndalën në fund të viteve të 70-ta, Allen vdiq në vitin 1992.
Theodore "Ted" Kaczynski
Kërkimi 18 vjeçar për dërguesin e bombave, ishte gjuetia më e shtrenjtë dhe më e gjatë ndaj një vrasësi serik në SHBA. Ted Kaczynski, një matematikan i shkëlqyer, i pranuar në Harvard në moshën 16 vjeç, kishte dërguar 16 bomba në të gjitha anët e vendit, nga vitit 1978 deri në vitin 1995, duke vrarë me këtë rast tre persona dhe duke plagosur 23 të tjerë. Përkundër profilit të saktë psikologjik, shpërblimit prej 1 milionë dollarë dhe hetimeve gjithëpërfshirëse, FBI nuk arriti ta zgjidh këtë rast.
U desh të pritet deri në vitin 1995, deri në publikimin e një manifesti të tij në NYT dhe Washington Post, që ai të zbulohet: vëllai i Kaczynskit, Davidi, e njohu prozën dhe e njoftoi policinë. Ai u arrestua më 3 prill 1996 në Montana. Ai është duke e vuajtur dënimin me burg të përjetshëm.
Osama Bin Laden
SHBA ishte vu në ndjekje të Bin Ladenit, që nga sulmet kundër ambasadave amerikane në Afrikë, në vitin 1998. Gjuetia ndaj tij zgjati 13 vjet dhe disa njerëz ishin të mendimit se ai kishte vdekur, ngase që nga viti 2007 nuk ishte publikuar asnjë video-xhirim i tij. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, në një moment kishte pranuar se kishte disa vjet që SHBA nuk ka poseduar informata të besueshme për vendndodhjen e tij, por supozohej se ai po fshihej në Pakistan.
Më 1 maj të këtij viti, Bin Ladeni u vra nga forcat speciale amerikane në Abottabad, Pakistan, rreth 70 kilometra larg Islamabadit, shumë më larg brezit kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit, ku supozohej se Bin Ladeni është strehuar gjatë gjithë këtyre viteve.
(Time)