E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-presidenti serb: Ndarja e Kosovës, zgjidhja e vetme

Ish-presidenti i Republikës Serbe të Jugosllavisë dhe shkrimtari i njohur serb, Dobrica Qosiç, ka vlerësuar se antagonizmat shekullorë të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë mund të tejkalohen vetëm me ndarjen e përhershme. Ai tha në agjencinë serbe, Beta, se Sllobodan Millosheviçi asnjëherë nuk e ka pranuar një propozim të tillë, të ardhur nga SHBA-ja. Ai vetë ka qenë përcjellës i këtyre mesazheve nga superfuqia perëndimore. Për Kosovën kot flas dhe shkruaj katër dekada, duke propozuar zgjidhje demokratike të drejta të kompromisit dhe ndarje të përhershme. Kjo është mënyra e vetme që të tejkalohen antagonizmat shekullorë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ka thënë Qosiç. Sipas tij, ndarja do të parandalonte ekspansionin shqiptaro-madh dhe do të krijonte kushte për jetë normale të dy popujve. Qosiç ka thënë se politika ndaj Kosovës duhet të ndryshohet, në mënyrë që problemi i Kosovës të mos mbetet afatgjatë dhe i rrezikshëm. Nëse të gjithë përgjegjësit e tragjedisë së Kosovës nuk ndryshojnë qëndrimet e politikës së vet ndaj këtij vendi të helmuar me radioaktivitet, ku ende nuk mbretëron toleranca e kuptueshme, çështja e Kosovës do të mbetet problem afatgjatë dhe i rrezikshëm i Ballkanit dhe Europës, tha ai. Në vitin 1991 ia kam përcjellë Millosheviçit propozimin amerikan për ndarjen e Kosovës, sipas të cilit, Serbisë do ti takonte 1/3 e Kosovës, por Millosheviç nuk hoqi dorë nga mjegullnajat serbe deri në kapitullimin e Kumanovës në luftën e vogël botërore kundër Serbisë, tha Qosiç. Ai shtoi se e mendon të gabuar politikën shtetërore serbe ndaj Kosovës që nga Nikolla Pashiç e deri te Boris Tadiç dhe ka shtuar se në këtë politikë të gabuar njëkahëshe dhe humbëse kanë ndërhyrë shumë edhe Kisha Ortodokse Serbe dhe inteligjenca patriotike e Serbisë. Historia po na shkruhet në Gjykatoren e Hagës. Sot na gëzojnë vetëm sukseset e sportistëve, tha ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›