E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë mbështet kultivuesit e perimeve

Nga Express më 30 maj 2011 në ora 21:30

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë një donacion në vlerë prej 650 mijë euro për të mbështetur kultivuesit e perimtarisë në komunën e Rahovecit.

Ministri Blerand Stavileci, gjatë vizitës që u ka bërë të hënën kultivuesve të perimtarisë në Krushë të Madhe, ka thënë se mungesa e infrastrukturës adekuate për prodhimin dhe përpunimin e produkteve mbetet problem shqetësues për banorët e kësaj ane.

Duke premtuar mbështetje institucionale për zgjerimin e sipërfaqeve të reja me perimkulturë dhe për ngritjen e kapaciteteve në këtë nënsektor, Stavileci ka vlerësuar se kultivimi i perimtarisë paraqet njërën prej prodhimtarive më intensive dhe më në rritje në gamën e prodhimtarisë bimore.

Ai ka theksuar se Ministria e Bujqësisë është duke investuar në mekanizmin bujqësor dhe në infrastrukturën përcjellëse të prodhimtarisë së perimeve.

“Gjatë këtij viti për herë të parë do të mbështesim edhe prodhimtarinë e perimeve në fushë të hapur dhe buxhetin fillestarë që kemi planifikuar për këtë është rreth 650 mijë euro. Kjo mbështetje mbase ende nuk është e mjaftueshme për optimalizmin e resurseve në këtë nënsektor dhe mbetet edhe shumë hapësirë për investim, por mbështetja e ministrisë çdo ditë e më shumë po rritet dhe gjatë këtij viti planifikojmë të fillojmë edhe me ndërtimin e depove për grumbullim ruajtje dhe klasifikim të produkteve bujqësore, të cilat do të ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe në zgjatjen e prodhimtarisë sezonale për furnizimin e tregut”, ka thënë Stavileci.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka vlerësuar lartë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, duke theksuar se projekte të tilla ndikojnë pozitivisht në rritjen ekonomike dhe zbutjen e gjendjes sociale në Komunën e Rahovecit.

“Këto pajisje të cilat në mënyrë të drejtë dhe meritore i ka përfituar Kooperativa Bujqësore në Krushë të Madhe, jemi të bindur që do të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese, rritjen e kapaciteteve procesuese dhe do të ndikojnë në realizmin e më shumë të hyrave, të cilat do të ndikojnë që gratë farmere të jenë shembull që pas tragjedive të cilat i përjetoi ky fshat, ta ndërtojnë me duart e tyre ardhmërinë e sigurt për fëmijët tanë”, ka theksuar Latifi./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›