Kur kritikon Kledi
Balerini Kledi Kadiu u ka dhënë një orë mësim nxënësve të Shkollës së Baletit, aty ku ai vetë ka mësuar vite më parë. Kadiu ndalet tek problemet që ka baleti në Shqipëri
Pasi nuk ka mundur ta bëjë muzikën që të shpërthejë, dorëzohet. Ulet mbi parket, ndërsa sytë e balerinëve të rinj ndjekin çdo lëvizje të tijën. Është i shpenguar teksa ndjen se ndodhet në qendër të vëmendjes. I veshur si për mësim, me një palë tuta blu, një kanotiere bijëqielli dhe “çorape” të zeza, Kledi Kadiu ndihet si në shtëpinë e vet në palestrën e Shkollës së Baletit në Tiranë. Asgjë nuk ka planifikuar. Nuk ka ardhur të prezantojë ndonjë film të ri, as ndonjë spektakël baleti. Ndodhet në Tiranë për të takuar prindërit dhe po shfrytëzon kohën për t’u dhënë një orë mësimi nxënësve të shkollës ku ka studiuar dikur. Ndonëse një takim rastësor, Kledi ka vendosur të mos bëjë rolin e djalit “seks simbol”, por të flasë për gjëra serioze. Të japë mësim, t’iu mësojë nxënësve (pa i korrigjuar) ca lëvizje dhe të vërë në dukje ca të meta, që sipas tij nuk ishin në “kohën” e tij.
Sa herë që vjen në Tiranë, shfrytëzon rastin për të takuar miqtë e vjetër dhe për të vizituar vendet e dashura, mes të cilave edhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. “Ka gjëra që nuk funksionojnë. Mungon organizimi. Balerinët duken si më të “lirë”, ndërsa mungon ajo disiplina e dikurshme, që është kryesore në një shkollë, apo në një teatër, jo vetëm në Shqipëri”. Dhe duket se kjo lloj disipline i mungon balerinit. Edhe kur nuk është këtu mundohet të jetë në kontakt me gjithçka që ndodh në skenën që i dha shtysën e parë drejt botës së spektaklit, botë ku ai ka vendosur këmbët i sigurtë. Si shumë të tjerë, edhe Kledi e ka vënë re se në skenën e baletit mungojnë shfaqjet e repertorit. Sipas tij kjo nuk duhet të ndodhë. Ai mendon se i di aryet përse ndodh. “Baleti repertor ka qenë dhe duhet të jetë një nga pikat kryesore mbështetëse, sidomos për një teatër. Repertori klasik është porta hyrëse për të gjitha zhanret e baletit. Shoh se nuk është më si më parë, ndoshta sepse dhe publiku nuk është më si më parë. Kolegët e mi thonë se kur në skenë është një vepër si “Zhizel”, apo “Liqeni i mjelmave” në sallë ka vetëm 10 vetë dhe në këtë rast duhet të besojmë se krenaria artistike e balerinëve bie poshtë. Ndërsa kur bëhet fjalë për muzikalë të ndryshëm, salla është plot. Nuk them që nuk duhet të jenë, pse jo, por duhet më shumë vëmendje për klasiken. Këtu shoh që nuk ka as mbështetje nga shteti. Është e lehtë të bësh kritika, por duhet edhe t’i justifikosh ato”, - thotë balerini, me një keqardhje të dukshme.
Prej vitesh jeton në Itali. Ka një jetë të tijën tashmë atje. Ka provuar përvoja të hidhura e të bukura. Është bërë “star” televiziv, ka shumë fansa (fanse), megjithatë Tirana vazhdon të jetë një pikë referimi. Jo vetëm ngaqë këtu ka njerëzit e dashur. “Sa herë që vij në Tiranë, me të drejtë gazetarët, apo njerëz të tjerë më pyesin se kur do të ngjitem në skenë, kur do të më shohin… Kam pasur kërkesa dhe dëshira për të bërë diçka është shumë e madhe, por kam ndeshur në shumë burokracira (që nuk i gjen vetëm në Shqipëri) dhe nuk kemi mundur të biem dakord”, - thotë Kadiu. Sa i përket jetës përtej detit, përveç asaj sentimentale, ku nuk fryjnë erëra fort të mbara (thotë se nuk ka një lidhje), në rrafshin profesional gjithçka shkon më së miri. Sapo ka mbyllur spektaklin televiziv “Amici” dhe gjatë verës do të vijojë një tur shfaqjesh nëpër Itali me baletin “Romeo dhe Xhulieta”, që i dha mundësinë, pas Tiranës, të ngjitej sërish në një skenë serioze teatri. Në vjeshtë pritet sërish “Amici”.
Thotë se “klani” i artistëve shqiptarë mbahet i fortë. Ndihet mirë që atje ka Ilirin, Onin, Anbetën, Leonin dhe aq më tepër kur ndihen të vlerësuar, madje balerinë-etalon. Sa për eksperiencën në kinematografi, thotë se ka 4 vjet që nuk po merret më, madje i duket si diçka e harruar. “Eh, këtu filmat vijnë me vonesë. Edhe këtu çështje burokracish”, - thotë ai duke qeshur. Ndërsa tregohet i sjellshëm, duke iu përgjigjur gjithë kuriozëve, qofshin këta mësues, apo gazetarë, Kledi pret të nisë muzika. Fatkeqësisht nuk është më e mundur. Nuk ka energji elektrike. Kështu që i duhet të improvizojë ca lëvizje “a capella”. I çliruar nga komplekset e mësimdhënies, atmosfera i ngjan më shumë një ore çlodhjeje. Pa sforcime, pa zëra të ngritur, me figura të bukura… Ndoshta energjia elektrike edhe mund të vijë më vonë.