E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur loja shihet kundër...



Rudina Zh. MADANI

me këmbë të shpejta

i përulemi te njëjtit flamur
edhe pse tani
ditën e ndërtojmë ndryshe

unë nuk kam më frikë
qëkur s’i jap më vëmendje faktit
se mund te jem njollë e errët vaji
mbi syprinën e detit të këtij porti nga ku
anijet e ngarkuara me mall presin
udhëtimin e radhës

ndonjëherë
s’qenka punë fati
por thjesht këndvështrimi…

edhe pse kam humbur shumë nga vetja
betohem s’kam më frikë,
kam vetëm mendime me këmbë të shpejta
që më shpien atje, ku qielli
peshon me pak

kur toka dridhet

prejardhjet e mia
tentojnë
të jenë àsi nën mëngë
kur loja shihet kundër

stërgjyshër me fama të dyshimta
se bëmat i gdhendën më tepër mbi dëborë,
ujëra,
që shpesh u mbytën prej vetë ujërave
veshje cerebrale e një kohe
që duhet fort
edhe pse dhemb ende

prej jush duhet ta kem trashëguar
këtë popull zërash që s’e bëj dot zap
as me njëmijë kapërdimje

këtë popull zërash që merr liri
kur liria nuk shihet me sy të mirë
e që pavarësisht prej harmonive që sjell
bie prè e përsëritjeve...

stërgjyshër të vegjël e të panumërt,
nuk shiheni me sy te lirë, por jeni
brenda lëkurës sime si
farëzat brenda frutit të pjekur të fikut

prej jush trashëgova
një palë gjunjë të gërvishtur
dhe vesin
e të besuarit në prekjen e dritës

eci në majë të gishtave

ndonjëherë
më mbushet mendja se nuk kam zemër
por një makinë që mat sasinë e radioaktivitetit
e këtij ajri që thith

më kallzon kështu
rrezikun, sasinë në gramaturë të çdo helmi
që përparon ngadalë në gjak bashkë me ditë-netët
si myku në muret e një shtëpie të braktisur.

eci në majë të gishtave
duke evituar binarët e vdekur
dhe rrugët e pashtruara…

kërkoj
një pemë me kurorë më të bëshme
për t’u mbrojtur nga djegja e rrezeve
e mbështetur në skapitjen e natës...

Nuk është se kam qëllime tepër të qarta
kam vetëm idenë fikse
të ikjes larg nga fushat e hapura
ku rrufetë
të gjejnë kaq kollaj

ky qytet

ka zgjedhur këtë ditë marsi të shtryqet
ndërsa nje tufë zogjsh i kalon diagonal nëpër qiell si një
një mendim turbullues
hap krahët prej asfalti, mbush me ajër
gjoksin e lodhur të institucioneve të pakta në qendër
e sforcohet të rrijë drejt
ka për shtyllë vertebrore
një hekurudhë të vjetër dybinarëshe
ku trenat vjellin
bashkë me tymin e fishkëllimat
njerëz, me valixhe më të rënda se vetja
historia e tij
është ajo e gurit dhe e këpucës,
shkruhet çdo ditë si artikull gazete
ky qytet i ngjan një portofoli
me njëmije xhepa apartamentesh ku ruhen
kujtimet e bardha e fatet e sëmura,
strategjitë e çuditshme, shërimet, ikje-ardhjet, ritet
e teksa sforcohet te rrijë drejt ka trishtimin e atij
që flet pa pushim për vrapin
e për dreq
i duhet të zvarritet

pa busull

nuk e kam mbyllur derën pas meje
në shpresë se do gjej gjithshka siç e lashë
në ikje e sipër

udhëtova paorientueshëm
si farërat e luleve të egra
që era i çon të mbijnë
atje ku s’ua pret mendja

por qoftë i pamallkuar kush më solli në jetë
nën këtë lëkurë kaq të brishtë

nuk pati shumë të më japë
veç një zemër të kafshueshme e të butë
që gulçon
nën këtë qiell të huaj

sindroma boshi

nuk është fat të hash një pjatë prej parajse
me numrin perfekt të kalorive që duhen
ncuq

fat është të kesh një stomak prej çeliku
që të dijë të tresë këto ditë prej muresh
e këto dritare gjithshkarrëfyese
që e përcjellin mysët e lugët
malin prej kartoni ku ngjitemi
se ashtu

fat është
të kesh një stomak prej çeliku
për të tretur mosreagimin e zotave që na lanë
në duar këtë zjarr jetese prej qymyri e instiktesh
i cili skuqka dhe nxika njëherësh…

koha e thatësirës

në verën e gjatë të viteve të çeljes
u gëzohesha vetëm të djelave
e rrobave të reja…
sepse nuk flitej për oksigjen, dhe në pëllëmbët
e duarve vijat i shihnim pothuajse identike
që fatet të mos i vinim në dyshim

flitej
për rrushin piklues te Sifit
per sëmundjen e çuditshme të Luçit
për rritjen e pazakontë të cicave të Lushkës
për ngjyrën e lekurës sime...
flitej për gjithçka dhe asgjë
në shkallët e freskëta të hajateve
ku vriteshin dalëngadalë ditët...

ish verë
koha e thatësires së madhe
kur nuk ishte mëkat mungesa e burimeve me ujë
por mungesa e një fantazie të vërtetë
për t’i përshkruar ato
siç duhej.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›