Një ilegal në prehër të bjeshkëve
Mehmet ELEZI
Ku janë Bjeshkët e Nemuna?
Përgjigjja është e gatshme, duket sikur gjithkush e di: në Veri të Shqipërisë, në Alpe. Në ngulsh këmbë ku shtrihen saktësisht, me çfarë kufizohen në Veri, në Jug, në Lindje, në Perëndim, përgjigjja turbullohet, vendndodhja nëpërtymet e largohet si në një ëndërr të keqe. Mbase ndihmojnë anasit, banorët e katundeve veriore? Jo, as ata nuk dinë gjë. Veç në u përgjigjtë ndonjëri me fjalët e librit të gjeografisë, të mësuar dikur në shkollën fillore.
Nuk ndodh kështu, kur pyet për cilindo mal a bjeshkë të atyre viseve. Njerëzit e atjeshëm dinë me kallëzue ku është Rrethi i Bardhë, Qafa e Diellit a Shtegu i Dhenve, ku janë Thethi e Rupat, Syni i Skafkaçit e Lkeni (Liqeni) i Dashit. Ta thonë edhe emrin e gurit, përroit, qafës, vorrit, që shënon në mënyrë të përpiktë kufirin ku mbaron njëri vend e ku nis tjetri. Ngjitu Grykës së Dragobisë përgjatë bregut të Valbonës, deri ku lumi buron duke rrahur krahët si pulëbardhë, bashkudhëtari të dëfton me hollësi edhe emërvende që lidhen me lashtësinë, me mugëtirat e mesjetës e me gojëdhanat, me Mujin e Halilin. Qe ku është Shpella e Imerit të Mujës (Omerit të Mujit) në Klysyrë, aty e kanë shti në dhé djalin e aty ka vajtuar Ajkuna, shtrati si prehër në derë të Shpellës është prore “i verdhë” (i gjelbër), bari aty nuk thahet kurrë. Ja edhe Lugjet e Verdha (të gjelbra), ku trimat dilnin me çetue e ku kullosin dhitë e egra, duke këputur maja bari me vesë edhe lule.
* * *
Ku ndodhen pra “Bjeshkët e Nemuna”? Ku fillojnë, ku mbarojnë? Nëse askush prej atyre, që i kanë banuar e u japin jetë atyre trojeve prej mija vjetësh, nuk i njeh me këtë emër, atëherë kush i pagëzoi kështu? Dhe kush e regjistroi zyrtarisht këtë emër ndjellazi? Përse?
Studiuesi Sulejman Ahmeti, bashkautor i Fjalorit të Plavës e Gusisë (Pavli Haxhillazi, Sylejman B. Ahmeti, Fjalor i Shqipes së Plavës dhe të Gusisë, Tiranë 2004), më ka thënë më se një herë se Bjeshkët e Nemuna nuk dëshmohet kund si emërtim i shqiptarëve. Sipas tij, është thjesht përkthim prej serbishtes. Sllavët, për arsyet e veta, e quajnë “prokleti” (të nemur, të mallkuar) këtë pjesë të Alpeve. Por vetë shqiptarët, vendasit, jo. Ky kërkues është ndër njohësit më të mirë të atyre trevave. I lindur dhe i rritur në Vuthaj të Gusisë, aty ka kaluar edhe rininë. Eshtë autor i një monografie të pasur (Sulejman B. Ahmeti, Vuthajt dhe vuthjanët, Tiranë 1996), me një plotni befasuese të dhënash historike, gjeografike (përfshi emërvendet), etnografike, folklorike dhe gjuhësore.
Ndoshta krejt pahiri, sepse s’ka qenë ky qëllimi i tij, edhe akademiku Luan Starova në veprën e vet letrare sjell dëshmi se Bjeshkët e Nemuna është emërtim i bartur. Te romani Kurbani ballkanik (Tiranë, Toena 2007), ai shkruan: “Në një moment helikopteri u gjend mbi Kurorën e bjeshkëve të Prokletisë.” Disa rreshta më pas, në të njëjtën faqe, këtë emërvend e jep të përkthyer shqip (vetëm një herë në atë libër): “Kanosej rreziku që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltiste helikopterin dhe askush të mos kuptonte më asgjë për të.” Pas katër-pesë faqesh i kthehet burimit sllav: “U end me muaj nëpër bjeshkët e pakalueshme. Arriti madje edhe në majë të Prokletisë.” Dhe sërish më vonë: “...jemi në majën e bjeshkës Prokletia”. Dhe përsëri vijon me këtë emër.
* * *
Mbase dëshminë më kryefortë se emërvendi Bjeshkët e Nemuna nuk është anas, po i marrë prej tjetërkund, e jep Fishta. Anipse në mënyrë të tërthortë. Tërë teatri i luftës i Lahutës së Malcis zhvillohet në malsitë e Veriut e përreth tyre. Nëse emërtimi Bjeshkët e Nemuna do të kish qenë i lashtë e i njëmendtë, pse poeti nuk e vuri atë në qendër të veprës? Nëpër vargjet e Lahutës përmenden me emra malet e luginat e krojet e lumenjtë, Vizitori e Limi, Plava e Gusia e Prizreni...; ndeshen e përflaken me vetimë e bubullimë figura të mitologjisë shqiptare, dragoi e kulshedra, lëvizin orët e zanat. S’kishte rast më të mirë për poetin me i harmonizue artistikisht në Lahutë skenat epike të plojës së përgjakshme me kumbimin tragjik të toponimit Bjeshkë të Nemuna, nëse ky toponim do të kishte ekzistuar. Me një emërvend të tillë dramatik, metaforë e gjallë, arti fishtian mund të luante si të donte.
Nuk del kund emri Bjeshkët e Nemuna as te Liria e Mjedës, ku himnizohet kryengritja e Hotit dhe heroizmi i malsorëve për liri; madje as te Risto Siliqi, që i këndoi me frymëzim luftës së dukagjinasve me “Mehmet Shpendin trim si dre”. Te Gjeçovi, te V. Prenushi, Pater A. Harapi etj. jo se jo, nuk di të ketë dalë. As te Visaret e Kombit. Nëse jo në Hot e në Grudë e në Plavë e Gusi, nëse jo në Kelmend, në Theth e në Dukagjin e as në bjeshkët e Malsisë së Gjakovës (Tropojës) historikisht nuk njëjtësohen kund bjeshkë, të cilat shqiptarët i quajnë Bjeshkët e Nemuna, atëherë ku gjinden këto? Në veri të Drinit e në krejt Veriun shqiptar nuk njihen hapësira të tjera me bjeshkë të përmendura, për të cilat mund të hamendësohej se ato janë Bjeshkët e Nemuna të njëmendta.
Ndër burimet më të hershme, që njoftojnë për këtë emërtim, janë shënimet e gazetares zvicerane Noëlle Roger, e cila gjatë dhjetëvjetëshit të dytë e të tretë të qindvjetëshit të shkuar, ka udhëtuar shumë herë nëpër Shqipëri (Noëlle Roger, Nëpër udhët e Shqipërisë, Tiranë, Pegi, 2008). Në një reportazh me titull “Në malet e malsorëve” (“Dans les montagnes des malissores”), botuar me 09 qershor 1924 në Journal de Genève, pasi flet për malet në brigjet e Liqenit të Shkodrës e të Drinit dhe për malet e Mirditës, Roger shkruan se këto mbështesin një “labirinth të pafund vargmalesh e luginash të egra, i cili në hartat e paraluftës mban emrin e bjeshkëve të nëmura” (në origjinalin e saj frengjisht “Monts Maudits”).
Nga fjalia e mësipërme del se Bjeshkët e Nemuna ajo i vendos në veri të lumit Drin.
Në pamje të parë duket sikur me këtë fjali sillet një dëshmi edhe për thelbin e këtij emërvendi, për vjetërsinë e autoktoninë e tij. Por jo. Ky pohim ndihmon me qitë në dritë pikërisht të kundërtën. Roger nuk thotë se vendasit i quajnë “Bjeshkët e Nemuna”. Ajo thotë se kështu quhen “në harta”, madje “në hartat e paraluftës”. Domethënë në hartat e përdorura para Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria ende s’kishte shtet, ndërsa për shkolla shqipe e harta të studiuesve shqiptarë as që mund të bëhej fjalë.
Hartat e kohës ishin punime të topografëve ose udhëtarëve të huaj, kryesisht për qëllime ushtarake e për pasuritë minerare. Të shumtën e herës vendet tona në këto harta shënoheshin me emërtimet që përdornin fqinjët. Aq e zakonshme ishte kjo praktikë në rrethanat e atëhershme, sa edhe sot e kësaj dite nëpër dokumente e shkrime të të huajve gjejmë jo rrallë Draç për Durrës, Skutar për Shkodër, Valona për Vlorë (pa folur për raste skajshëm tendencioze, kur Shqipëria e Jugut shenohet si “Vorio-Epir”!). Për arsye të njohura, kjo dukuri është më e përhapur për emërvendet e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi: Gjakovica e Peç për Gjakovë e Pejë, Bitola për Manastir, Bari për Tivar.
Pra, është ngat mendjeje se ky emërvend i përdorur “në hartat e paraluftës”, siç shkruan Roger, të jetë i fqinjve sllavë, të cilët e përdorin edhe në të folurën e përditshme, dhe jo i shqiptarëve anas, gjuha e krijimtaria e mëhershme e të cilëve nuk e përmban kund. Duket se prej fqinjve sllavë ka kaluar nëpër harta të kryeqyteteve europiane dhe është përthithur dyfish prej rusëve, të cilët doemos e kanë pasur edhe në hartat e veta. Në Shqipëri, menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ky emërvend, si krejt përmbajtja e konceptet e shkollës sovjetike, është marrë verbërisht pa asnjë qëndrim kritik dhe është pajisur zyrtarisht me pasaportë shqiptare, duke e përfshirë në tekste shkollore e gjithandej. Shqiptarët që nuk e njihnin prapavijën e tij, background-in, madje edhe në rrethe të larta kulturore e arsimore, e morën si të mirëqenë. Dhe bjeshkët tona madhështore, plot diell e bar e borë e pyje e ujvara, me liqene e nëntokë me metale të çmueshme, bjeshkët shqiptare plot legjenda, murana e dendësi historie kombëtare, në një ditë të bukur u gdhinë “të mallkuara”!
* * *
Siç vlerësojnë N. Malcom, E. Çabej e dijetarë të tjerë të mëdhenj, ato masive malesh kështjellore me banorët e tyre të panënshtruar patën shërbyer si bankë, ku gjatë pushtimeve të gjata asimiluese të qyteteve e ultësirave u ruajt e pacenuar fara e racës sonë, geni e gjuha e lashtë shqipe. Tashti pikërisht ato njehën mbuluar me një emër ndeshzi e mizor: Bjeshkët e Nemuna.
Për ngarkesën që përmbante, emërvendi Bjeshkët e Nemuna nisi me u ba joshës në krijimtarinë letrare; aq sa në një farë kuptimi estetika e shkrimtarëve e poetëve (përfshi autorin e këtyre rreshtave) sot mund të mos ndihet aq mirë nga zbulimi i përkatësisë joshqiptare të tij.
Janë një tërësi të dhënash e argumentesh të besueshme, që fillojnë me dëshmitë e njerëzve që popullojnë Veriun shqiptar, të cilat kallëzojnë shkoqur se emërtimi Bjeshkët e Nemuna (Namuna) është fëmijë ilegal; gjuhëtarët, gjeografët e studiues të tjerë mund të hulumtojnë me gjetë të tjera ose me dëshmue të kundërtën (në qoftë se). Fëmija ilegal në shqipen e përditshme quhet kopil. Gjasat janë se dikush, në kohë të turbullta, na e ka lënë edhe këtë kopil në derë. Edhe pse i tillë, është birësuar si të kish qenë pjellë e pastër shqiptare.
Kjo qasje duket bindëse edhe për një arsye tjetër. Nuk është në shpirtin e shqiptarëve, nuk është në mendësinë e traditën e tyre me i mallkue vendet e veta, truallin, bukën e të mirën. Ka ndodhur nëpër balada a legjenda, por jo si dëshirë; ka qenë thjesht shfryrje dufi, në kushte tjetërsimi prej fatkeqësisë rrenuese. Për shembull në Klysyrë, ku besohet se është vorri i Imerit të Mujës (Omerit të Mujit), 8-9 km larg qytetit Bajram Curri. Në atë grykë bjeshke thuhet se s’këndojnë qyqja as turreci, sepse Ajkuna, e mbytur prej dhimbtës për djalin e vrarë, i pat mallkuar, siç pat mallkuar edhe hënën (“T’u shkimtë drita ty mori hanë...”): Kurrë këtu qyqja mos këndoftë/ As turreci mos u ndjeftë! Por kjo nemë nuk përfshin bjeshkët. Eshtë e pjesshme, e kufizuar vetëm te kënga e qyqes dhe e turtullit, vetëm në një pëllëmbë vend në luginë të Valbonës, në këmbë të Brijave të Gjarpnit. Kryesorja: ajo nuk ngjiti kund, nuk preku, mbeti në trajtë hijeje, e shpërndarë nëpër ajër si dhimbja. Si dhe në raste të ngjashme, ajo nuk prodhoi kurrë një emërvend. Klysyra vazhdoi me u quejtë Klysyrë e Valbona Valbonë. Dhe hënës nuk iu shkim drita.
* * *
Çështja është më e gjërë se rasti: (s)a punohet nga akademia, nga institutet e specializuara, për studimin e emërvendeve në trojet shqiptare? Rreth gjashtëdhjetë vjet më parë hulumtimet në këtë fushë Çabej i shtronte si domosdoshmëri. Gjykuar prej sa njoftohet e botohet, gjasat janë se gjendja ka mbetur afërsisht ku pat qenë, te fjalori toponimor i pambaruar i Gazullit, pa ndonjë zhvillim të qenësishëm.
Eshtë koha që toka shqiptare të çlirohet edhe formalisht prej mallkimit e nemëve që kohët e nemura na i kanë lëshuar mbi shpinë. Shërbimi më i vogël që mund t’i bëjmë vetes: të paktën ne vetë të mos i shqiptojmë ato çka të tjerët, jo dashamirës, i kanë shqiptuar për ne.
15 Qershor 2009