Kur merr udhët për në Balllkan
Gëzuar Vitin e Ri, ditari im i dashur. Unë Krishtlindjen dhe Bajram Kurbanin i kalova në Ballkanin Perëndimor, që qysh nga kohët moderne e deri më sot mazallah se gjen rehat. Shkup, Prishtinë, Beograd, Sarajevë. Prandaj, javët që vijnë, do shkruaj ca nga shënimet e udhëtimit. Në radhë të parë t’a nis nga përgatitja e valixhes. Përgatitja e valixhes për udhëtim besoj se përbën një mini leksion të vyer për jetën. Mëson gjënë më kryesore: që gjërat e vogla të hanë shumicën e kohës. Gjërat e vogla të hanë jetën. Gjërat e vogla, ato që nuk zënë shumë vend, që nuk bërtasin, të parëndësishmet si të thuash. Prandaj betohem që sapo të kthehem nga udhëtimi të sajoj një listë me gjërat e vogla, të parëndësishme, të domosdoshme për udhëtim. Gjithashtu, atë çast, betohem prapë se herën tjetër do e bëj gati valizhen një ditë më parë, jo çastin e fundit. Ky marafeti i çastit të fundit duhet të jetë tipar panballkanik. Trashëgimni e paaftësisë së Ballkanasve të programojnë kohën. Dhe e mbivlerësimit të aftësive tona, ndoshta. Gjithmonë kujtojmë ne Ballkanasit se jemi më të shpejtët dhe se kemi shumë kohë në dispozicion... Pasi sajoj valixhen dhe shoh se jam bërë shumë vonë, mendoj që të zgjedh një libër të marr me vehte, t’a lexoj udhës. Ose t’a rilexoj. E di që asnjëherë nuk gjej kohë për të lexuar në udhëtim por forca e zakonit. I hedh një sy bibliotekës, shpejt e shpejt. Shoh ‘Historinë e Ballkanit’ të Mazauerit. Nuk e prek. Shfletoj shpejt librin e një Bullgari, Dimiter Kirkof, me titullin ‘Mëkatari i Ballkanit’. Ngjitur libri i një shkrimtari grek, Vasili Kristopulos, me titullin ‘Pse edhe ti Grek je?’. Më tej libri i Luan Ramës ‘Koha e Dhive’. Ngjitur me të ‘Palllati i Endërrave’ i Kadaresë. Rrallë mund të gjesh libra në letërsinë botërore që zhbirilojnë në mënyrë kaq të përsosur mekanizmin e tiranisë. Libër i përshtatshëm t’a lexosh kur udhëton në Ballkan. Sepse historia e Ballkanit është e mbushur me tiranë e diktatura. Dhe kur prodhon kaq shumë tiran, si mos të prodhosh fatkeqësi dhe luftra? Më tej më kap syri Arkilokun, poetin e vjetër grek. Nuk e di se si u gjend atje, ngjitur me Kadarenë. Arkiloku jetoi në një epokë plot luftra, kur Spartianët thoshin se nga lufta kthehesh ose me mburojë i gjallë ose mbi mburojë i vdekur. Arkiloku tallej me luftën keqas: ‘Mburojën time një prej armiqve po e shijon/ pranë një gëmushe e braktisa pa dashur/ shpëtova jetën time./ Në djall vaftë mburoja/ Hallall ai që e morri. Më të mirë se ajo do blej nesër’, shkruante. Një poet e tillë në Ballkan do ishte stigatizuar si tradhtar i kombit dhe agjent. Nuk do figuronte në asnjë lloj libri shkollor. Arkiloku ishte ushtari i mirë Shvejk i epokës së tij. Tani që përmenda Shvejkun. Edhe libri i Hashekut me Ballkanin fillon. Me dialogun e zonjës Milerova dhe Shvejkut, për vrasjen e dukës Ferdinand në Sarajevë, që u bë shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. E dua shumë Shvejkun. Siç shkruan Hasheku ushtari i mirë Shvjek ‘nuk i vuri zjarrin Perëndeshës së Efesit, si ai idioti Herostrati, që të shkruajnë për të gazetat dhe librat e shkollës’. Lë Shvejkun dhe kap ‘Urën e Drinit’ të Ivo Andriç. Ura e Drinit, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes të shkuarës dhe të ardhmes, në Ballkan, atje ku bashëekzistojnë të gjitha epokat. Prandaj udhëtimi në Ballkan është gjithmonë interesant. Ura, simboli i bashkimit dhe i ndarjes së Ballkanasve. Mitrovica, Mostar, Shkup. Qytetet e ndara të Ballkanit, me kufij të dukshëm e të padukshëm, nga një urë, nga një lum. Ura që simbolizon skizofreninë e Ballkanasve. Skizofreninë e njerëzve që bashkëjetuan, me të mirë e me të keq, për shekuj të tjerë dhe në një moment, në momentin e shtetit-komb duhet të sajonin edhe ata strehën e tyre kombë-shtetërore. Por si të vërtetosh që je krejt i ndryshëm nga tjetri, me të cilin të lidhin një mijë fije dhe që të ngjan aq shumë? Nacionalizmi Ballkanik është sajuar mbi ngjashmërinë e padurueshme të tjetrit kombëtar. Prandaj nacionalizmi ballkanik është aq i pamëshirshëm dhe aq qesharak njëkohësisht... he ngjtur me ‘Urën mbi Drin’ një tekt i shkurtër i Xhon Plamenaç. Një Malezezi që bëri karrierë në Oxford. Flet për dy llojet e nacionalizmit. Ekziston nacionalizmi i të fortëve, i superiorëve, shkruan pak a shumë Plamenaç, dhe nacionalizmi i të dobtëve, i të tremburve për identitetin e tyre, me pak fjalë nacionalizmi ynë, i Ballkanasve. Zakonisht, Ballkanasit nuk e duan vendin e tyre sepse i bën të ndjehen krenar por sepse u ngjall keqardhje. Dhe prandaj nuk ka qënie me më shumë komplekse se sa nacionalisti ballkanik. I pasigurtë përherë për superioritetin e tij mundohet të kurojë ndjenjën e tij prej inferiori dhe çiraku të historisë duke kërkuar në mënyrë histerike madhështi të së kaluarës. Por si mund të nxërë kacollja e një bariu dhe nizami madhështitë e Perandorive, Akropolin, Perandorët e Romës së Lashtë e shumë e shumë madhështi të tjera të së kaluarës, të qena e të paqena? Barinj, nizam e kalorës që nuk kishin as më të voglën ide të revolucionit industrial dhe klasës borgjeze, në fillim të shekullit të 19-të u ‘thirrën’ prej historisë të sajonin ngrehinën par excellence të revolucionit industrial dhe të borgjezisë: shtetin-komb. Prandaj të gjitha gjërat shkuan shpesh sëprapthi. Shteti-komb u krijua kryesisht duke ndarë fenë nga politika. Në Ballkan ku feja dhe politika kishin qenë gjithmonë një, me Bizantin e Otomanët, shteti-kombm, shpesh u krijua jo duke ndarë por duke ‘martuar’ fenë dhe politikën. Prandaj Perëndimorët e kanë të vështirë të kuptojnë Ballkanin, sepse nuk shpesh nuk kuptojnë dot vonesën historike të Ballkanasve. Nuk kuptojnë dot se Ballkanasit u thirrën, befas, nga Perandoria e Irracionales të kalojnë brenda një nate në Epokën e Racionales. Ballkanasi, pra, peng i një nacionalizmi primitiv dhe peng i një varfërie primitive për të dhënat e Europës. Ballkanasi që kërkon të arratiset prej nacionalzmit primitiv dhe fantazmave të së shkuarës, të bëhet pjesë e Europës, sepse është pjesë e Europës. Sepse Ballkanasit sot nuk ëndërrojnë një shoqëri të heroizmit spartian por të konsumizmit europian. Prandaj kudo që shkon në Ballkan dëgjon, sidomos prej të rinjve, të njëtën bisedë: ‘E ardhmja jonë është në Europë, përndryshe nuk kemi të ardhme’... *(gazikap@gmail.com)