Kur mungon shteti
Kryeministri i vendit, ai që kur kishte në dorë timonin e shtetit në '97 e la Shqipërinë pa shtet, pa pushtet, pa ushtri, pa polici, pa gjykata e prokurori, pa spitale, pa shkolla e kopshte; e la popullin pa bukë, pa ujë, pa drita dhe i shkaktoi vendit mbi 3 000 të vrarë, mbi 30 000 të plagosur dhe miliarda lekë dëme materiale, me deklarimin e tij se nuk kishte informacion se ç'bëhej në Gërdec (apo se emrin Gërdec e kishte dëgjuar për herë të parë në 15 mars (!!), nuk bëri tjetër veçse tregoi se nuk ishte në detyre e në krye të detyrës, pra nuk kishte bërë detyrën e tij. Këtë e përforcoi me deklaratën tjetër se edhe Ministria e Mbrojtjes nuk kishte e nuk mbante përgjegjësi për ngjarjen dhe e shumëfishoi këtë pas një jave mashtrimesh të njëpasnjëshme, gjatë vizitës së tij në Spitalin Ushtarak, ku pranoi se Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Institucionet Tatimore e Inspektuese dhe Prokuroria nuk kanë funksionuar dhe se janë përgjegjëse për çka ndodhi në Gërdec.
Kaq mjafton që ky të largohet nga drejtimi, të kryejë aktin e dorëheqjes, për t'i hapur dhe dhënë udhë hetimit. Këtë duhet ta kryejnë edhe se kanë mashtruar, duke thënë se kanë qenë të painformuar, ndërkohë që në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ekziston dhe është diskutuar një raport prej 40 faqesh për problemet e pasigurisë që ekzistonin në vend për shkak të përqendrimit të municioneve në vende të populluara etj. Bile Kryeministri duhet ta kryejë këtë akt edhe për faktin se, i ka dalë emri i tij dhe i djalit të vet në afera korruptive për çështjen që solli tragjedinë e madhe. Pas gjithë këtyre, vetiu lind pyetja. Pse ka munguar e mungon shteti?
Shteti ka munguar e mungon sepse:
Në krye të qeverisë, është një person i cili ka për filozofi mendimi e praktikë veprimi "Shteti jam unë...". Sepse në krye të qeverisë, është një person që akuzon këdo e si e do pa asnjë etikë dhe vetëpërmbajtje; një person që i hiqet imuniteti dhe nuk i përgjigjet thirrjes së prokurorisë dhe nuk shkon në prokurori; një person që edhe pse i shkaktoi tragjedinë më të rëndë vendit të tij, në marsin e 1997, fajëson të tjerët, fajëson popullin, e kurrë veten, edhe pse "timonin" e kishte vetë. Sepse në krye të qeverisë, është një person që për shkak të delirit të madhështisë, të etjes perverse për pushtet, urdhëroi në 1997 armatosjen e partisë së tij, duke e kthyer atë në një repart paramilitar. Sepse në krye është një person që qesh kur duhet qarë; një person që sulmon median pse na tregon të vërtetat; një person që njeh e pranon një zë, një mendje, zërin dhe mendjen e tij; një person që i jep të drejt vetëm vetes së tij.
Shtetin mungon në Shqipëri edhe për faktin se; politika nga një lëvizje për zhvillim e progres është shndërruar në spekulim politik. Për këtë shkak vendin e progresit dhe të zhvillimit e ka zënë stanjacioni dhe regresi shoqëror, ekonomik dhe moral; kemi rritje të inflacionit, rritje të papunësisë, ulje drastike të nivelit të jetesës, kriza pafund energjitike; paga minimale është sa një e treta e minimumit jetik më të ulët të vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE; pensioni minimal është 9 herë më i ulët se pensioni minimal i këtyre vendeve.
Shteti mungon edhe se; politikanët janë shndërruar në spekulantë politikë, të cilët pasi shtien në dorë pushtetin shtetëror, e kanë përdorur dhe po e përdorin atë për qëllimet më të ulëta; nga servitorë ligjorë të popullit janë kthyer në sundues e plaçkitës të tij. Janë shkrirë së bashku ari, balta dhe gjaku.
Inekzistenca e shtetit së fundi i dedikohet edhe një faktori tjetër determinant: Ky pushtet nuk pyet për Kushtetutë e ligje; të rëndësishme për të janë vetëm sundimi dhe pasurimi i shfrenuar dhe marramendës; është shndërrimi me çdo kusht, formë e mjet në sundues ekonomik e politik të përjetshëm. Në emër të këtyre ata fajësuan shoqërinë e popullin shqiptar për tragjedinë që i shkaktuan më 1997 dhe nuk kërkuan kurrë ndjesë për gjëmën që i sollën vendit e popullit. Po në emër të tyre, ata sot po largojnë nga vetja përgjegjësinë për tragjedinë e fundit, atë të Gërdecit, duke akuzuar median dhe institucionet vartëse.
Të gjitha këto, veç e veç dhe së bashku, parathonë e paralajmërojnë se: për sa kohë në krye të pushtetit shtetëror të jenë autokratë të çoroditur, nuk ka tragjedi që të mund të ndalet.
Le të nxjerrim një mësim nga Gërdeci, ashtu si do popull mëson nga pësimet e veta: të fitojmë shtetin ligjor të së drejtës aq të dëshiruar, por plotësisht të munguar; të shpëtojmë jetën e pronën tonë; le t'i përgjigjemi pa hezitim këtij apeli e kushtrimi. Të zëvendësojmë spekulantët politikë me politikanët, spekulimin politik me politikën, sunduesit perversë me qeverisës normalë, të pa përgjegjshmit me të përgjegjshmit, të korruptuarit dhe mafiozët me të drejtët e të ndershmit. Të gjithë e kanë bërë, duhet ta bëjmë dhe ne.
*Autori është ushtarak, kolonel në rezervë