Koni, homazh për Puccinin
E rrethuar nga emra të njohur këngëtarësh lirikë, pianistja shqiptare merr pjesë në një koncert për nder të Puccinit. Sot në Teatrin "Pavone" të Perugias në Itali, pianistja Marsida Koni jep një koncert me rastin e 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit Giacomo Puccini. Do të shoqërojë në piano këngëtarët lirikë Sara Fiorelli soprano lirike, Antonio Coriano tenor, Kim Jeong Ho bariton. Në program parashikohen pjesë të zgjedhura nga veprat më të njohura të repertorit të kompozitorit. Janë përzgjedhur arie nga opera "Bohème", si "Si, mi chiamano Mimì", "Donde lieta uscì", "O soave fanciulla", nga "Madama Butterfly", "Addio, fiorito asil", për të vijuar me të tjera arie të shkëputura nga operat "Gianni Schicchi", "Tosca", "Turandot", etj. Koncerti organizohet nga Accademia Musicale Internazionale. Prej disa vitesh, Marsida Koni vijon karrierën pianistike në Itali, pa lënë mënjanë kualifikimin e mëtejshëm, me emra në zë të pianistikës botërore. Ka kryer një sërë masterash e kualifikimesh ku ëhstë vlerësuar gjithnjë me maksmimumin e pikëve. Nuk kanë munguar edhe çmimet në konkurse ndërkombëtare pianistike.