Në mbrojtje të iso-polifonisë
Nesër fillon zbatimi i projektit "Për ruajtjen dhe mbrojtjen e iso-polifonisë popullore shqiptare". Një projekt i përbashkët i Këshillit të Muzikës Shqiptare, Zyrës së Unesco-s në Venecia, përmes financimit të Grantit të Qeverisë së Japonisë. Projekti ndahet në katër miniprojekte. Si hap i parë, në qytetin e Përmetit, nesër bëhet prezantimi i "Ngritjes së Odave të iso-polifonisë shqiptare në qytetet e Përmetit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës", me qëllim transmetimin e iso-polifonisë tek brezat e rinj. Në të marrin pjesë mjeshtrit e Odave nga të gjitha qytetet, fëmijë, prindër si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Odat drejtohen nga muzikantë apo dashamirës të muzikës si kompozitori Josif Minga në Korçë, Niko Mihali në Përmet, Stefan Arseni në Gjirokastër dhe Sejmen Gjokoli, kryetar i grupeve dhe shoqatave të Iso-Polifonisë nëVlorë. Gjatë vitit 2008, do të organizohet edhe një seminar trajnues për ekspertët kombëtarë për dixhitalizimin, arkivimin dhe menaxhimin e arkivave dixhitale të trashëgimisë shpirtërore. Në vitin 2009 do të vazhdohet me krijimin e një regjistri, bazës elektronike të të dhënave si dhe një Katalogu të printuar të Debutuesve të Shquar të iso-polifonisë shqiptare. Ky aktivitet përfshin inventarizimin dhe dokumentimin e debutuesve të aftë të isopolifonisë (individë dhe grupe), përvoja dhe kontributi i të cilëve janë të një rëndësie të madhe për ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e mëtejshëm të iso-polifonisë. Pritet të publikohet edhe gazeta "ISO-Polifonia", në pesë numra, duke përfshirë edhe nga një CD me muzikë iso-polifonike. Gazeta do të nxitë ndërgjegjësimin në lidhje me instrumentet e tashme ligjore (të brendshme dhe ndërkombëtare), si dhe masat e tjera në lidhje me mbrojtjen e iso-polifonisë. Projekti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me organet e pushtetit vendor, qendrat kulturore të fëmijeve, drejtoritë arsimore si dhe me institucionet kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore.