BE, si do të vazhdojë me Ballkanin?
Ministri i Jashtëm serb pretendon që çështja e pranimit në BE është e shkëputur nga ajo e Kosovës, por kjo tezë nuk do të funksionojë gjatë. Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, në se ky nuk i njeh anëtarët aktualë ose të ardhshëm të tij. E kundërta vlen për Kosovën, e cila nga një pakicë vendesh anëtare nuk njihet si subjekt i pavarur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në se kjo nuk do të ndryshojë, atëherë edhe për këtë shtet më të ri të Ballkanit, rruga për BE do të jetë e bllokuar.
Për Serbinë ministrat nuk gjetën ndonjë recetë magjike. Ata e joshin me marrëveshje për lehtësime vizash përkundër qëndresës nga ana e Holandës dhe Belgjikës, të cilët ngulin këmbë që të dorëzohen kriminelët e luftës. Në thelb mbetet vetëm një fije shprese, që në zgjedhjet parlamentare të majit të fitojnë partitë pro-evropiane dhe jo nacionalistët radikalë. Por as kjo nuk do ta ndryshonte qëndrimin e përgjithshëm ndaj Kosovës. Pavarësia refuzohet pothuajse nga të gjitha partitë.
***
Se sa qesharake është situata për dikë që nuk merret me diplomaci, e nxori në pah takimi i Bërdos. Kryesia sllovene nuk arriti t'i ulte në një tryezë kryeministrin e Kosovës dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë. Madje u shmangën edhe vetë takimet brenda ndërtesës. Vuk Jeremiçi takoi pikërisht ata ministra, ndaj vendeve të të cilëve i ka tërhequr ambasadorët, në shenjë proteste ndaj njohjes së Kosovës, dhe u kërkoi atyre që të mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE. Ministrat e Jashtëm të BE-së, që nuk e njohën Kosovën, dëgjuan sqarimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për ta nga ana ligjore nuk ka asnjë post. Delegacioni i Kosovës përfaqësohej nga flamuri i OKB-së, ashtu siç e parasheh Rezoluta 1244, për të shmangur kështu refuzimin e pjesëmarrjes serbe.
Nuk ka nevojë të jesh profet për të konstatuar që BE-ja duhet të punojë shumë për të shkoklavitur këtë gogël. Çështja ende e pazgjidhur mes Maqedonisë, që është kandidate për anëtarësim, dhe anëtares së vjetër, Greqisë, për çështjen e emrit, është vetëm maja e fundit e malit të problemeve. Po të përfshish edhe problemet e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë, shikon se BE-ja rrezikon t'i hapë vetes një sërë problemesh të brendshme, në se vendos t'i anëtarësojë ato më herët. Ballkanit duhet t'i thuhet: Vetëm kur të jenë zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve, ka ardhur koha për anëtarësim.
*Gazetar gjerman, raportues nga Bërdo / Slloveni