E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur nënën time e gjeta të lidhur pas karriges në shtëpi

Autori i Lajmit: red.
Nuk di si duhen fëmijët prej nënave të tyre, por imja ka pasur për mua një dashuri të çuditshme. Ajo mbante në gisht një unazë të veçantë për të më mbrojtur nga ndonjë mallkim i fshehtë i zemrës së saj, kur unë bëja ndonjë nga ato veprimet që e lëndonin. Por dashurinë e saj kurrë nuk ma zbulonte, si të donte të mos cenonte lirinë time. Si një luaneshë e butë, ajo donte të rriste një këlysh krenar, prandaj me një indiferencë të shtirë i zhdukte pasojat e sjelljeve të mia të ndëshkueshme. Nuk di përse bukurinë mahnitëse të shpirtit të saj unë e shihja të pikturuar nëpër ikonat e kishave të qytetit, të cilat i vizitoja gati çdo të diel. Duke shkelur me kujdes nëpër rrugicat e tyre, të shtruara me zaje të bardhë, nga ku gëlonte një bar i gjelbër që dukej sikur përtërihej nga tingujt e këmbanave, unë hyja në kishë me zemrën gjithë drithërimë nga një ndjenjë e pakuptueshme. Më dukej sikur vetëm aty e zbuloja parajsën e dashurisë së pashprehur të nënës. Ndihesha aq i dehur nga një pasion i çuditshëm, sa më dukej sikur tërë ceremonia fetare zhvillohej enkas për mua. Kështu u krijua në atë moshë një lloj lidhjeje e fshehtë midis meje dhe kësaj shtëpie të Zotit. Edhe sot nuk di të them si i lexoja kuptimet e tingujve të këmbanës, sepse mbaj mend që, kur ato lajmëronin për ndonjë vdekje,unë vrapoja me lotë në sy tek nëna, e cila për çudi, asnjëherë nuk më pyeti për shkakun e ngashërimeve të mia, kur hidhesha në krahët e saj i lumtur që ajo ishte gjallë… edhe ajo sikur nuk donte që unë ta shfaqja haptas dobësinë time për të! Asnjëherë nuk u ankua për hallet dhe shqetësimet, kur tim atë e arrestuan komunistët dhe asaj i duhej dy herë në ditë të qëndronte kokulur para portës së burgut me shpresën se mund t ia pranonin ushqimet, që kish përgatitur për të shoqin.
Nënës nuk i treguan as gropën e të vëllait të pushkatuar
Tani e shihja nënën për ditë e më të përhumbur, ndërsa natën, kur e shtrëngoja midis krahëve të mi të dobët, ajo rrallë kujtohej që më kishte pranë. Një ditë e kapa në befasi duke qarë. I kishin dënuar vëllanë e vetëm me vdekje! Ai ishte kopja e së motrës nga shpirti, sikur t i zbresim një shkreptimë rreptësie (kur prekej në sedër) që i kish mbirë, ndoshta, nga ndjenja e përgjegjësisë për familjen, që i kish rënë mbi supe qysh herët. I zgjuar e me një intuitë të hollë, por pa kulturën që ia kërkonte intelekti, ai ruante si thesar krenarinë e trashëguar nga i ati, kryengritës antiturk, i cili, me pastërtinë e ndjenjave të tij patriotike, kish fituar edhe simpatinë e atyre që duhej të urrenin. Ky vëlla i dhembshur e donte marrëzisht të motrën. Bukurisë së saj marramendëse i qëndronte si një kurorë lulesh fisnikëria e të vëllait, ashtu si zbukurohej kokëkrisja e tij e ëmbël prej nurit engjëllor të së motrës. Ata duheshin e krenoheshin me njëri-tjetrin, ashtu siç qenë sjellë, kur ishin fëmijë. Kush do t ia mbronte nënës sime tani bukurinë nga gjithë ato shigjeta që kjo bukuri padashje tërhiqte drejt saj? Komunistët i vranë vërtet vëllanë, duke mos i treguar as gropën, ku ia flakën kufomën. Madje, atyre nuk u erdhi mirë, kur ajo e qau. Komunistët kishin shumë frikë nga lotët që derdheshin nga keqardhja për viktimat e tyre. Nëna ime qante fshehurazi, por jo nga frika. Madje, ajo sikur nuk donte të qante. Ajo s mund ta pranonte që i vëllai kish vdekur, kur mendonte se ai vetëm mirë u kish bërë të tjerëve! Ajo qante fshehurazi për poshtërimin që i kishin bërë vëllait të saj.
Kur nënës sime i propozuan të ndante babanë tim në burg
Ndërkohë të ardhurat shteronin dhe nevojat rriteshin çdo ditë. Filloi shitja e sendeve me vlerë për një copë bukë. Ditët shtyheshin me zor dhe uria nisi trokitjet e para në derën tonë!
Nëna po largohej çdo ditë prej nesh, si ai kapiteni që nuk u afrohet pasagjerëve që do të mbyten, kur anija po mbushet me ujë, i terrorizuar nga klithmat e ndërgjegjes që s është në gjendje t i ndihmojë. Gjithmonë e menduar kryente mekanikisht detyrat si grua dhe si nënë! Ata, të cilët dje e respektonin për fisnikërinë e saj, tani që kishin marrë pushtetin, e këshillonin me përçmim ta ndante burrin e të martohej, pasi i shoqi nuk do ta nxirrte më kokën nga hekurat e burgut! E revoltuar dhe e fyer, ajo ua përplaste në fytyrë gjithë sa menodnte për harbutërinë e tyre, ndërsa netët, e tronditur, i gdhinte pa gjumë.
Atëherë nisa të kërkoj si nëpër terr dashurinë e nënës, që nuk e kuptoja përse po ftohej çdo ditë. Ç të qe kjo e keqe që më kish përzënë nga zemra e saj? Ndiqja i hutuar psherëtimat, lëvizjet, madje dhe ngjyrat e zërit të saj, por nuk arrija dot në një përfundim. Nuk gjeja dot një shkak që ta kish zbehur dashurinë e saj për mua. Atëherë e tepëroja me çamarokllëqe që ta meritoja një qortim prej saj. Por jo! Atë sikur e rëndonte dashuria ime që ajo e ndiente sesa shumë po më vriste. Ajo kërkonte tani një pakt të ri, të cilin, unë s mund ta pranoja: ta lija të qetë! Po si mund ta lija unë vetëm, kur e shihja sesa vuante? Kurse ajo, ndoshta, donte të më mësonte me mungesën e saj?! Ah, sa herë e pata përfytyruar veten të vdekur për të shijuar lumturinë që më jepte dhembshuria e shprehur në lotë e klithma! Vonë e kuptova se kisha pasur një dashuri të sëmurë për nënën. Vallë, e kishte ndjerë zemra e saj këtë? E kishte ndjerë sa e egër ishte dashuria ime që ajo vetë e kishte mbjellë? Ajo vetë më kish mësuar që ta trajtoja mizorisht. Në shkollë vija për të; rrobat e reja i vishja për të, haja e pija për të dhe gjumë flija vetëm për hatër të saj. Ajo i kryente gjithë detyrat që më jepte mësuesja për t i bërë në shtëpi, ajo më shfajësonte, kur endesha rrugës e nuk shkoja në shkollë, ajo m i mbulonte kudo e kurdoherë prapësitë. Dhe kurrë nuk ankohej, kurrë nuk më tregonte se ç kish bërë për të më mbrojtur, njëlloj si të ishin gabimet e saj dhe ajo duhej t i paguante.
Pushkatimi i nipit e largoi përgjithnjë nga kjo botë
Tani veç heshtjes ajo kish nisur të rrinte edhe pa ngrënë, por ne nuk e kuptuam dot kurrë arsyen e “grevës” së saj të urisë. Mos donte, vallë, të na e linte neve racionin e saj të bukës që jepte shteti aso kohe për çdo frymë? Apo uria e ndihmonte t i ndiente më pak dhimbjet shpirtërore! Ato ditë komunistët kishin dënuar me vdekje edhe nipin e saj, të cilin e kishte mbajtur pranë, se ishte kopja e të vëllait, për të cilin s besoj se ka pushuar së qari deri sa i shkoi pranë. Mos, vallë, në ato net pa gjumë bisedonte me të nipin, që priste nga çasti në çast ta rrëmbenin, siç e rrëmbyen hienat që nuk u ngopën 50 vjet me gjak të pafajshëm? Si mund të vritet një fëmijë që s i ka djersitur mirë qimja në faqe? Një fëmijë që s kish vrarë një flutur e s kish trembur një zog? Ndoshta ajo e ndiente që ky ishte fundi i botës dhe s kishte përse të përpiqej të jetonte. Ndërsa unë i kërkoja me kokëfortësi dashurinë e saj! Ah, nënë, sa shumë t u desh të duroje. Ata, të cilëve ti u kishte mbrojtur jetën, tani s të jepnin as punë të rëndomtë për të mbajtur fëmijët e tu me frymë. Tani ti duhej vetëm të luteshe: edhe gardianit të burgut, edhe furrxhiut, edhe mjekut për një vizitë, edhe miqve të tët shoqi, që bënin tani sikur nuk të njihnin! Ti i zbrite me fisnikëri këto shkallë të poshtërimit dhe tregove një tjetër bukuri, që ndoshta, vetes nuk ia njihje.
…U rrëzove, nënë!… Asnjë katastrofë nuk mund të dëmtonte shpirtin tonë në atë moshë më shumë sesa kjo rënia jote. Ne humbëm përgjithmonë dëshirën për të ndërtuar në jetë diçka të bukur, në shëmbëlltyrë të lumturisë! A e dije ti këtë?!…
Mallkimet e shpirtit që acarruan sigurimsat
Ti s mund të largoheshe pa klithmë! Nuk mund të rrijë pa u treguar xhelatëve fytyrën e tyre të vërtetë! Ta kërkonte nderi i vëllait, lotët e jetimëve, vepra e mirë e burrit tënd, që po shkelej me këmbë birucave të Sigurimit! Shpirti yt i dhembshur nuk mund të pranonte të talleshin me fisnikërinë e tij disa rrugaçë që ambicia për pushtet i shndërroi në lypsarë mosmirënjohës në vrasës të pabesë. Dhe krenaria jote e fyer vrapon që nga errësirat ku e kish flakur terrori komunist duke shpërthyer si një rrufe që godet mbi kokën e një gjarpri. Ti klithe në zyrat e tyre: “Harbutë…! Katilë…!” Dhe nuk dëgjove telefonat që ulëritën dhe dyert që u përplasën e nuk pe se si i zbrite shkallët e si t u vunë hekurat në duar, si të hodhën horrat në qeli e si të prunë të lidhur në shtëpi!
Dhe ne të gjetëm vetëm, pa njeri, lidhur duart mbrapa me hekura gjermane, këmbëkryq e flokëlëshuar,e bukur si një xhinde përmbi raftin e madh që ndodhej sipër shkallëve. Ti heshtje dhe ne nuk e mësuam dot se kush të kishte ulur aty. Dhe pse aty? Ca thanë e sollën dy policë, ca që me ta kish pasur dhe civilë, të tjerë që paskësh qenë aty edhe një grua, por nuk tregonte kush që e kish parë, kur erdhi. E pyetëm nënën vetë, por s donte të përgjigjej. Qëndronte me kokën ulur, sikur të ishte fajtore, me sy të palëvizur, mbërthyer në një pikë dhe dukej sikur lutej që ne ta mëshironim duke na thënë me heshtjen: “E bëra unë tani këtë”! Papritur u dëgjua zhurma e këmbëve të një polici që po ngjiste shkallët, i cili, i skuqur në fytyrë, na tha të mos ia hiqnim hekurat nënës, sepse vetëm kështu do ta lejonin, që ajo të qëndronte pranë nesh.
Ç të qe vallë? Ëndërr? Apo një forcë misterioze na jepte këtë ndëshkim për të na detyruar ta çmonim më tepër vlerën e nënës sonë? Ndërsa ne po mendonim se si do ta ushqenim e si ta shpinim në banjë, ajo që duket e kuptoi hallin tonë, pasi lëshoi një rënkim të pakontrolluar, na buzëqeshi me përkëdheli dhe na kërkoi t i shpinim pak bukë. Njëri prej nesh i hoqi hekurat, me kujdes, kurse ajo me duart e lira tani, mbërtheu jelekun e hapur në dy sustat e para. Pastaj nisi të hajë e uritur, ashtu, e druajtur, si të ishte vetë një e huaj në shtëpinë e saj! Tronditja e madhe na i kishte trembur lotët dhe unë çuditem sot se ku e gjenim forcën që të tregoheshim aq të vëmendshëm ndaj saj! Ne nuk e kishim kuptuar ende se pa dashurinë e nënës asgjë nuk do të na hynte në sy! Tërë jetën do të luftonim për të merituar një shkëndijë dashurie që t i ngjante asaj të nënës! Por më kot… Ne do të mbesnim njerëz të vërtetë, sa kohë do të qëndronte brenda nesh vlaga e dashurisë së saj, jehona e klithmave të ëmbla të dashurisë së nënës!

Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›