E Diel, 1 Nëntor 2026

Poeti që recitonte në sallën e gjyqit , vargjet për “Atdheun Lakuriq”

Autori i Lajmit: red.
(Pushkatuar më 1963)
Lindi më 1932. Kreu shkollën ushtarake, por kupton që kjo nuk i përshtatej, prandaj “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë. I dedikohet me sinqeritet krijimtarisë letrare në kohë shumë të turbullta. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmë”. Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial dhe, në vitin 1963, arrestohet dhe akuzohet si “kundërshtar i hapur i pushtetit popullor”. Gjyqi e dënon me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë reciton poezinë e tij “Atdheu është lakuriq” E pushkatojnë më 23 dhjetor 1963, në moshën 31 vjeçare. Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Poeti i pushkatuar, Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe.
Shënime: “Stinë mendimi” pa maskë
Mendimet e mia kanë ndryshuar si stinët e vitit. Kjo ka ndodhur jo më shumë për karakterin tim kontradiktor, sa për shkaqet e jashtme, të cilat ndikuan në fuqinë time shpirtërore që në moshën e njomë, shkaqe këto që më deziluzionuan për vite me radhë..… Fshati ku linda është plot shkrepa e gurë. Por ka edhe livadhe të vegjël, ku mbijnë shumë lulëkuqe. U bënë lulëkuqet për mua simboli i shpirtmadhësisë e i zemërgjerësisë njerëzore. Që 7-8 vjeç, baritja nëpër fusha të mblidhja lulëkuqe, se në to do të gjeja njerëzit e mirë, që t u thoshja të ndihmonin nënën e babën tim. Një ditë e dëgjova tim atë të thoshte: “Të gjithë njerëzit janë të këqij”. “Po ku janë njerëzit e mirë”? - pyeta nënën. “Janë në lulëkuqe” – m u përgjigj ajo. Që atë ditë, shkova e kërkova në çdo lulëkuqe, por…Por vitet më bënë 14 vjeç. Në çdo vit isha i heshtur e i turpshëm. Më tërhoqën një ditë “për hunde”. Ishte natë atëherë, natë e shkurtit të 1947-ës. Ecja në një korridor të errët e të ngushtë, që mbaronte në një derë të hapur. Më futën brenda. Dera u mbyll. Gjithnjë ishte errësirë. Atje dëgjova: “Shtoje besimin që kemi për ty, prandaj bëhu hije dhe gjurmoji shokët, paditur që të kanë pranë”. Unë heshtja, habitesha dhe tmerrohesha. Duart, që më dridheshin nga të ftohtit e frikës, nuk dija ku t i futja. Më kot kërkoja në errësirë fytyrën e atij që më fliste. Një dritë e imët shkrepseje ndezi në cep të dritares një qiri. Por tani nuk mund t i shikoja më sytë e kuq, të atij që hante fjalët me dhëmbë.
Qiriri, me atë dritëz të vogël e të kuqërremtë, më ngjante si lulëkuqet e lëndinave.
Lulekuqe! Kërkoja në të njerëzit e mirë. Por tani e kuptova, që çdo gjë ishte e kotë. Mendimet e mia sikur m u dogjën në flakën e qiririt. M u dogjën, ndaj nuk mendoja më. “Është mirë të mos mendosh” – më tha Sykuqi, “ti duhet të kesh parasysh që ç pe dhe ç dëgjove të mos ja thuash njeriut, përndryshe… përndryshe… mund të të kujtoj vetëm kaq, se mbrëmë pushkatuam një moshatarin tënd, pasi i brodhi zagarja më parë nga mëndja”. Dhe një buzëqeshje skeptike i mbiu në cepin e majtë të buzës. “Pra ki parasysh”, - filozofoi dhe njëherë Sykuqi, - “se heshtja është kasneci më i mirë për fitoren tënde”.
Shuplaka e madhe, që ma vuri mbi shpatullat e mpira, më nxorri në errësirën e rrugës…
Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›