E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipertekst në teatrin eksperimental të Kosovës

06-04-2011 / Nga Rexhep Kastrati

Do të doja shumë që për Kosovën të shkruaja si për një nga perlat e bukurisë estetike natyrore, me gjithë ato pamjet e saj të mrekullueshme, me gjithë ato rrjedha lumenjsh, me gjithë ato vargmale interesante, me gjithë ato rrafshnalta ekzotike, me gjithë ato ujëvara gurgulluese, me gjithë ato shpella tërheqëse, dhe me gjithë ato monumente të arkitekturës historike. Po, do doja të flisja për Kosovën, si për të bukurën e dheut, që rrallë e gjen në këtë farë bote me shumë bukuri të rralla. Por nuk qenka e thënë që të mund të ndalemi dhe t’i shijojmë ato bukuri të rralla, që të mund të flasim për to, sepse bijtë e saj plangprishës, e kanë shndërruar Kosovën në një teatër eksperimental, në të cilin shfaqen shumë pamje të këqija, shumë pamje të mjera që të bëjnë të këlthasësh me sa zë, sikurse Pashko Vasa dikur: “ti ke pas ken ni zojë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë”. Dhe ky teatër eksperimental, i quajtur Kosovë, që po e shfaq një shfaqje absurdi, surealizmi dhe tragjizmi kombëtar, tashmë ka hyrë në një fazë kur intensiteti i konfliktit, jo vetëm politik, por edhe ai institucional, ekonomik etj., është maksimal. Ajo që në teknologjinë e informacionit njihet si hipertekst, pra si mundësi e renditjes së një serie tekstesh të ndërlidhura që mund të shfrytëzohen me një të klikuar të miut kompjuterik, në Kosovë është duke funksionuar dhe duke u eksperimentuar në mënyrën më të përsosur. Dhe ky funksionim tmerrësisht i përsosur, tamam siç do të thoshte Lasgushi, “bukuri e llaftarisur”, në të vërtetë, ditëve të fundit është vënë në dukje më shumë se më parë, pikërisht se shfaqja që po luhet në teatrin eksperimental të Kosovës, është në intensitetin maksimal të konfliktit. Dhe kjo për faktin se gjithë shtjellimi i gjertanishëm i ngjarjeve në këtë teatër, dhe të gjitha pamjet e gjertanishme, kanë ardhur në një fazë kur duhet të fillojë shpleksja e konfliktit: në njërën anë kemi negociatat me Serbinë, të cilat duhet ta shpleksin konfliktin, shpleksje që po i nxjerr zbuluar aktorët kryesorë të linjës së Tiranës/Kretës, por edhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste, por edhe regjisorët e shumtë të kësaj shfaqjeje, në anën tjetër, kemi konfliktin e brendshëm politik, e që është përzier me konfliktin ekonomik etj. Në arenën ku luhet kjo shfaqje absurde e këtij teatri eksperimental, është publiku, populli që nga regjisorët dhe aktorët, bëhet pjesë e shfaqjes, qoftë si kor që vajton tragjeditë, qoftë si kor që duartroket zhgërryerjet e dinjitetit kombëtar, që shpërfaqen si heroizma të aktorëve kryesorë. Sapo të përqëndrohesh te shpleksja e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë, të del përpara pamja tjetër që ka të bëjë me të arrestuar për krime lufte, dhe mjafton të shtypësh fjalën luftë dhe të hapet tërë pamja që ka të bëjë me luftën në Kosovë, me gjithë ato krime që Serbia i ka kryer në Kosovë, me shpërngulje biblike të pleqve të sëmurë, të fëmijëve të pafuqishëm dhe të prindërve të tyre të dërrmuar. Ashtu siç të dalin parasysh pamje me zhvendosje kolektivitetesh etnike me qëllim ndryshimin e relievit etnik, në mënyrë që kur të ndodhë shpleksja e konfliktit, të jetë e pamundur që të ndodhë edhe shpleksja dhe shprishja e këtij relievi. Po ashtu, të shfaqen edhe pamje televizive nga gjykimet në Gjykatën e Hagës, të cilat tregojnë historira krimesh dhe ndarjesh. Urrejtja është maksimale. Edhe zhurmat, po ashtu janë të mëdha: unë jam heroi, unë jam trimi, unë jam kryeministri, unë jam qeveria, tamam sikurse perandori francez që këlthiste “unë jam Zoti”. Theksimi i vetvetes, kishte për qëllim përvetësimin, vjedhjen e sakrificës kolektive të një popullit të tërë. Në këtë rast, heroi negativ, nuk donte t’ia dinte se vetëm një mund të thoshte: unë jam. E ai është Hyu Jahvë. Pra, Hyu Zot. Dhe mania e vetë-konsiderimit blasfemik Zot, duke shkelur mbi gjithë ata të vdekur, të masakruar, të përdhosur, të rrëgjuar, ishte mania për të fshehur vogëlsinë, mjerimin dhe karakterin prej Kali të Trojës që është futur në mesin tonë, në mesin e gjakut tonë, në mesin e gjithë kësaj bukurie të rrallë që ka Kosova.
Dhe sa më shumë që fiton intensitet shpleksja e konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, dhe sa më shumë që duket se heroi negativ, në fakt është antiheroi që në skenë është për të rrëgjuar heronjtë e vërtetë, dhe për të bërë ato që syfleri politik ia thotë në vesh për t’i bërë, aq më shumë hiperteksti vjen duke u ndërlikuar, dhe shfaqja çmendurake në teatrin eksperimental vjen duke u mpleksur me pamje të shumta rëniesh e ngritjesh. Antiheroi, e ka mësuar mirë rolin, bile ia ka kaluar edhe shpjegimit të Stanislavskit, për mishërimin e rolit që interpreton, dhe luan tmerrësisht mirë rolin e tij prej Kali të Trojës. Dhe ngërdheshjet politike, si maskë moderne e karnevalit politik, që në teatrin eksperimental të Kosovës, vjen e bëjet shumë histerike, dhe sapo klikon fjalën politikë, në skenë të dalin rënie presidentësh me akuza superaburde dhe me mënyra supereksperimentale. Brenda ditës mund të jesh presidenti, brenda ditës, mund të jesh e kundërta e tij. Dhe më tej, të shfaqet konflikti politik që gërruan substancën shoqërore të një kolektiviteti. Kontratat politike dhe shoqërore, arrihen në mënyrë më orvelliane sesa ato që i ka përkufizuar Zhan Zhak Ruso, apo edhe sesa që i ka përshkruar vetë Xhorxh Orvelli. Kontrata ndër më absurdet dhe ndër më joshoqëroret. Dhe ashtu siç, krijohen, edhe prishen dhe lëmshi i ngjarjeve vjen e bëhet më dinamik. Dhe në sfondël dalin sërish akuza për krime lufte, dhe për krime kundër njerëzimit. Kështu, fjala luftë, krim, politikë, bëhen pjesë të hipetetksteve të ndryshme. Kjo është shenjë se shfaqjes po i vjen fundi, dhe edhe hiperteksti po shplekset dhe ndërlidhja e skenave po bëhet edhe më e qartë: të gjitha konfliktet kanë një fund: marrje e shqiptarëve me vetveten, dhe marrje e të tjerëve me shqiptarët, dhe shquarje e antiheroit dhe e misionit të tij: përmbylljen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë, ashtu siç do Beogradi. Dhe koha është që bashkë me shpleksjen e konfliktit në këtë teatër eksperimental, antiheroi të konsiderohet hero: bile hero i luftës, edhe hero i paqes, edhe pse si në luftë, ashtu edhe në paqe, antiheroi është antihero. Publikut nuk i ka mbetur gjë tjetër, vetëm të braktisë shfaqjen dhe t’i lërë aktorët vetëm, ose të bëhet pjesë e kësaj shfaqjeje absurdi të antiheronjve që e mbajnë veten për heronj. Derisa të përfundojë kjo shfaqje absurdi në këtë teatër eksperimental, bukuritë e Kosovës mund të presin në vetminë e tyre të brishtë. Gjithë ato pamje të mrekullueshme, gjiithë ato rrjedha lumenjsh, gjithë ato vargmale interesante, gjithë ato rrafshnalta ekzotike, gjithë ato ujvara gurgulluese, gjithë ato shpella tërheqëse, dhe gjithë ato monumente të arkitekturës historike, mund të përjetohen dhe të përjetësohen vetëm nga ndonjë piktor që nuk rron dot pa pikturën, nga ndonjë poet që nuk mundet pa poezinë, nga ndonjë i dashuruar tepër shumë që nuk rron dot pa dashurinë.
Hiperteksti në këtë teatër eksperimental, ende nuk e ka fjalën bukuri, fjalën mirësi, fjalën dashuri, që të klikosh në to dhe të gjesh gjithë atë bukuri, gjithë atë mirësi, gjithë atë dashuri....

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›