Kur shkrep Tazio Nuvolari!
Tazio Nuvolari, piloti i madh italian i garave të shpejtësisë, nuk ka qenë vetëm një pionier i automobilizmit. Mes pasioneve të tij, gjente vend edhe ai për fotografinë. Ai e kultivoi këtë art qysh në rini, por u afrua më shumë pak para vitit 1936, në një moment të dytë të jetës së tij, pas vdekjes së djalit të madh, Giorgio, dhe pas një aksidenti serioz në gara në vitin 1938.
Pas këtyre ngjarjeve iu kushtua fotografisë, që për pilotin ishte më shumë se sa një pasion apo hobi. Atë e kultivoi me një pasion gjithnjë e më shumë në rritje. Pikërisht në këtë veprim të dyfishtë, atë të “shkrepjes”, merr jetë në këtë veprimtari të organizuar në një nga sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, një ekspozitë e dyfishtë: njëra sjell për publikun karrierën e Tazio Nuvolarit pilot e tjetra kushtuar fotografit. Për herë të parë këto imazhe u shfaqën para publikut italian në vitin 2009. Ato i përkasin një arkivi personal të Nuvolarit, në të cilin përfshihen rreth 2575 negativë. Prej këtij thesari, që i detyrohen shkrepjeve të Nuvolarit, vjen edhe një trashëgimi e jashtëzakonshme e kronikave të kohës, dëshmi me një interes të jashtëzakonshëm për garat me makina e motorë. Por shumë prej tyre rrëfejnë edhe shpirtin e madh të pilotit, ndjeshmërinë e madhe të një prindi mjaft të prekur nga vdekja e dy djemve të tij (pas Giorgio-s, në vitin 1937, ndërroi jetë edhe Alberto, në vitin 1946, të dy 18-vjeçarë). Dhimbje, të cilat thuhet se Tazio u mundua t’i kalonte pikërisht falë fotografisë, duke e ruajtur në film çdo moment të jetës, si për ta shkëputur prej kthetrave të vdekjes. Pjesa më e madhe e imazheve i përket vitit 1937 dhe viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, një rrugëtim mes publikes dhe privates, imazhe të bashkëshortes, fëmijëve, botës së garave, udhëtimeve... Të gjitha vijnë nën një optikë prej vëzhguesi më shumë se prej protagonisti. Krah këtij “ditari” imazhesh, në galeri vijnë të ekspozuara edhe dy makina të kohës, të cilat më shumë se tregimin e jetës sportive të këtij piloti, sjellin te publiku shqiptar pasionin e tij të madh për fotografinë, që në këtë ekspozitë na çon në vitet ‘30 dhe ‘40, duke përjetuar momente të rëndësishme sportive të asaj kohe. Pamjet tregojnë se Nuvolari kishte interes për të gjitha llojet e fotografisë: nga portreti te reportazhi, nga stili i jetës tek arkitektura, nga peizazhi tek eksperimentimi dhe se iu është referuar regjistrave të ndryshëm gjuhësorë: nga ai i futurizmit tek ai i pikturës metafizike, asaj surrealiste, gjuhës së Bauhaus-it dhe fotografisë së reportazhit, aq sa nuk duket e guximshme të mendosh që Nuvolari njihte, edhe pse ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, traditën e imazhit të atyre viteve.
Një karakteristikë stilistikore dallon gjithsesi të gjitha fotografitë e Nuvolarit: ajo e “sekuencës”. Si në rastin kur fotografon një peizazh, gruan, fëmijët, makinat ose garat automobilistike, fluturimin e avionëve, një motoskaf ose një varkë me vela, vëmendja fokusohet gjithmonë në temën e “shpejtësisë”. Nuvolari e di shumë mirë që fotografia fikson çastin, pra që eliminon lëvizjen. Por, nëse në imazhe të shumta inkuadron sfondin dhe shkrep për shembull në momentin e kalimit të makinës për të krijuar në këtë mënyrë efektin e lëvizjes pra të shpejtësisë, në shumë të tjera dinamizmi arrihet falë vijueshmërisë së shpejtë të shkrepjeve në sekuencë. Tazio Nuvolari lindi në vitin 1892 dhe ndërroi jetë në vitin 1953, në Mantova të Italisë. Në moshën 28-vjeçare, e pikërisht në vitin 1920, ai e fillon karrierën e tij prej profesionisti në fushën e garave të motorëve, për të kaluar më pas në pistat dhe rrugët e vështira të garave me makina të asaj kohe. Tazio Nuvolari, ky pilot i garave të shpejtësisë së lartë, ka marrë pjesë në 353 gara, 124 prej të cilave kanë qenë për motorë dhe 229 automobilistike. Në rrjedhën e kësaj karriere, ai ka arritur një rezultat mbresëlënës, duke realizuar 107 fitore absolute, si dhe 77 klasifikime në pozicione të rëndësishme. Në 100 gara, ai ka realizuar xhiron më të shpejtë. Ka qenë 7 herë kampion italian, si dhe ka fituar 5 herë tituj ndërkombëtarë të shpejtësisë së lartë, duke vendosur ndër të tjera edhe rekordin botëror të shpejtësisë në vitin 1935 me 330,2 kilometra në orë, që për makinat e modeleve të asaj kohe dhe shpejtësive që ato kishin, ishte një ngjarje e paimagjinueshme. Ekspozita fotografike u çel më 6 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 po të këtij muaji. Ajo organizohet në kuadër të sezonit të madh të aktiviteteve të organizuara nga Ambasada Italiane në Tiranë: “Shqipëria dhe Italia, dy popuj, një det, në miqësi”.
#