Cameron tenton qeverinë me liberal-demokratët
David Cameron, kreu i Partisë Konservatore Britanike, partia e të cilit fitoi shumicën në zgjedhjet e dy ditëve më parë në Britaninë e Madhe, u është drejtuar liberal-demokratëve për bashkëpunim. Bëhet fjalë për një bashkëpunim që do t’u japë konservatorëve të drejtën për të formuar një koalicion qeverisës, duke qenë se asnjëra prej partive nuk e ka fituar shumicën e duhur për të formuar një qeveri më vete. Lideri konservator deklaroi gjatë ditës së djeshme se ai u bëri liberal-demokratëve një ofertë shumë të madhe dhe gjithëpërfshirëse”. Sipas analistëve, Cameron mund të përfshijë liberal-demokratët në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Lideri i Partisë Laburiste, Kryeministri aktual i vendit, Gordon Braun, tha nga ana e tij se ai shihte shumë pika të përbashkëta me liberal-demokratët, të cilët kanë zënë vendin e tretë në renditje. Sipas llogarive ende jo zyrtare, konservatorët pritet që të zënë 305 vende në Parlament. Për të formuar shumicën atyre do t’u duhej që të kishin fituar 326 vende. Të dytët vijnë laburisët me 255 vende të mundshme në Parlament dhe në vendin e tretë janë liberal-demokratët me 61 vota. Tradita e shkuar në një rast të tillë kur asnjëra nga partitë nuk fiton shumicën për të bërë e vetme qeverinë, kërkon që Kryeministri që është ndërkohë në detyrë të bëjë tentativën e parë për koalicionin qeverisës. Por Cameron, lideri i partisë fituese, tha se Kryeministri aktual, Braun “e ka humbur mandatin e tij për të qeverisur”, duke qenë se konservatorët fituan më shumë vota dhe se lideri i partisë së tretë më të madhe deklaroi se besonte se në këto rrethana i takonte liderit të konservatorëve që të tentonte i pari të formonte qeverinë e parë të koalicionit. Në fjalimin e tij të parë pas rezultatit të parë të votimeve, lideri i liberal-demokratëve iu referua Partisë Laburiste si “partia në ikje”, por Braun vazhdon që të këmbëngulë në të tijën, duke deklaruar gjatë ditës së djeshme se ai ishte ende Kryeministri i vendit dhe detyra e tij kushtetuese në këto rrethana e donte që të zgjidhte situatën në të mirë të vendit. Lideri konservator, nga ana e tij, tha: “Ne kemi nevojë për një qeveri që të risigurojë tregjet ndërkombëtare, kemi nevojë për politika që do ta çojnë vendin drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe për këtë është nevojshme që të kuptohet se duhen bërë ndryshime të mëdha për të rivendosur besimin te sistemi ynë politik”.
Ai u shpreh se do të niste bisedimet me parti të ndryshme dhe se do t’u ofronte siguri në lidhje me disa çështje të caktuara dhe më pas, nëse përpjekjet nuk do të ishin të frytshme, do të përpiqeshin që të qeverisnin si një qeveri konservatorësh në minorancë. E ndërkohë, shprehu bindjen se do të konsideronte alternativat dhe mundësitë për të pasur në fund të fundit një qeveri fort të qëndrueshme dhe jetëgjatë.
“Unë dua që t’u bëj liberal-demokratëve një ofertë të madhe dhe gjithëpërfshirëse. Dua që të punojmë së bashku në zgjidhjen e problemeve të mëdha të vendit tonë, siç janë çështja e borxheve, problemet e mprehta sociale dhe sistemi ynë problematik”, ka deklaruar lideri i konservatorëve në fjalën e tij të parë pas daljes së rezultateve të votimeve. Partia Konservatore dhe ajo Liberal-Demokrate kanë disa pika të përbashkëta sikundër kanë edhe çështje për të cilat nuk ndajnë të njëjtin mendim, por, gjithsesi, Cameron shprehu optimizmin se nëse do të ekzistonte vullneti i mirë do të gjendeshin edhe rrugët e duhura të kompromisit dhe të bashkëpunimit mes të dyja partive, që së bashku nëse do të bashkëpunojnë mund të krijojnë një shumicë për të formuar kabinetin e ri qeveritar. Sipas analistëve, Cameron nuk e përjashton faktin e futjes së shumë liberal-demokratëve në qeveri. Megjithatë, ata e shohin të vështirë një koalicion të tillë. Për ish-kryeministrin konservator, futja e liberal-demokratëve në një qeveri koalicioni ishte një çmim që vlente për t’u paguar për të fituar qeverisjen e vendit. Ndërkaq, liberal-demokratët e kanë marrë ofertën e Cameron, duke e cilësuar “një hap domethënës” dhe ndërkohë pritet që të marrin në konsideratë të gjitha propozimet dhe të përgjigjen në kohën e duhur.
#