E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa financiare për Greqinë

Opozita dhe njerëzit kundër. Euroskeptikët: Do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese Parlamenti gjerman miraton ligjin

Dje, Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman ka votuar për të aprovuar ndihmën financiare për Greqinë që duhet të japë vendi në kuadrin e paketës së plotë financiare. Bëhet fjalë për 22.4 miliardë euro. Kjo votë është bërë pavarësisht kundërshtisë së madhe që ka paketa në masën e gjerë të gjermanëve. Parlamenti e miratoi ligjin pas një debati shumë të ashpër, në të cilin Kancelarja gjermane Merkel u sulmua nga kritikët e saj në lidhje me mbështetjen që i ka dhënë së fundi këtij plani. Ligji u mbështet edhe nga Dhoma e artë e Parlamentit, e cila e shndërron projektin në një ligj. Ndërkaq, veç Gjermanisë do të kontribuojnë në këtë paketë edhe partnerët e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar me një shumë prej 80 miliardë eurosh. Ligji u aprovua me 390 vota pro, 72 kundër dhe 139 abstenime. Merkel vetë i doli në mbrojtje planit, duke u bazuar në argumentin se në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për Greqinë, por për vetë monedhën e përbashkët europiane. Ajo paralajmëroi se nëse 17 vendet anëtare nuk do të punonin së bashku në lidhje për parandalimin e këtyre krizave, atëherë “tregjet nuk do të ishin në gjendje që të reagonin”.

Ndërkaq, kritikët e Merkelit e kanë përdorur debatin në Parlament për të kritikuar mënyrën jo të mirë të menaxhimit të krizës nga ana e Kancelares dhe se barra e kësaj krize kishte rënë e gjitha në kurrizin e taksapaguesve të thjeshtë. Megjithatë, ligji është miratuar dhe koalicioni i saj qeveritar ka shumicën e mjaftueshme në Parlament. Ministri i Financave i kërkoi opozitës që ta mbështeste ligjin. Shtypi gjerman e ka cilësuar kontributin e Gjermanisë në këtë paketë si “çekun më të trashë në histori”. E pavarësisht votës, një grup euroskeptikësh kanë deklaruar se ata do ta sfidojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Të enjten, Kryeministri grek Papandreu aprovoi edhe masat drastike të shkurtimeve të shpenzimeve në këmbim të përshpejtimit të përpjekjeve të ndërkombëtarëve për planin e shpëtimit. Por këto masa janë pritur me shumë inat dhe tërbim nga njerëzit e thjeshtë në Greqi, të cilët që prej disa ditësh po organizojnë protesta para Parlamentit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›