E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur shkruhet kundër pushtetit

Nga ROBERTO SAVIANO, La Repubblica

Dumas kurrë nuk ka besuar në një vend të lumtur ku drejtësia përkon me rendin, pastërtinë, sigurinë e përjetshme. Dumas është i interesuar në kompleksitetin e jetës. Napoli për Dumas e ka përfaqësuar këtë kompleksitet. Mundësia e lumturisë në kaos, rezistenca ndaj një fati tragjik, bukuria në çrregullim, ëmbëlsia në gjendje të mbijetojë në rrugicat e dhunshme. Dumas duket i interesuar për ta strehuar këtë sekret. Si mund të jetosh aq mirë në një vend njëkohësisht të korruptuar sa dhe sublim. Ai ndjeu indinjatën për shpërdorimin e një toke dhe një kulture të ndritshme e pazonja për ta çliruar veten nga sundimtarët e korruptuar, varfëria dhe dhuna. Kjo mund të shihet në artikujt e autorit të Tre Musketierëve, botuar këto ditë nga Donzelli me titullin Kamorra.

Dumas kishte një hesap për të zgjidhur me monarkët e Napolit. Babai i tij, Thomas Alexandre de la Pailleterie Dumas, për shkak të një mosmarrëveshje me Napoleonin e braktisi ushtrinë e këtij gjatë fushatës egjiptiane. Ndërsa ishte në anije një stuhi e bëri të ndalet në brigjet e Pulias. Zënë rob nga policia Bourbone, vetëm dy vjet më vonë u lirua. Ai vdiq menjëherë pastaj nga pasojat e paraburgimit. Alexandre ishte tre vjeç. Kurrë nuk do të harrojë. Ai shkroi një histori të mrekullueshme të Burbonëve të Napolit.
Madhështia e Dumas në këto shkrime të “historive narrative” është tek aftësia për të kombinuar stilin letrar dhe analizën antropologjike. Për atë, të shkruash historinë është një art, jo një shkencë, edhe pse kjo nuk do të thotë të neglizhohen burimet. Kurrë nuk largohet nga fakti, nga rrethanat. Metoda e tij është të rikrijojë në faqet e shkruara historinë, duke filluar nga pika të tjera të mendimit dhe duke mbështetur me imagjinatë mungesën e burimeve pa rënë kurrë në kundërshti me të dhënat e mbledhura.  Sepse të dhënat ishin makthi i tij. Asnjë histori e treguar nga Dumas nuk është e varfër në hulumtime apo njohuri. Këto shkrime e bëjnë atë babain e gazetarisë së re.
Në Napoli Dumas arrin në mes të 1860. Dashuruar me utopi garibaldine, kishte ndjekur një Mijët duke bërë reporterin. Por ai ishte gjithashtu armatosës i këmishëkuqve, ai bleu për ta armatime dhe shpërndau pushkë. Ai themeloi një gazetë me këshillën e pikërisht Garibaldit: L’Indipendente (I Pavaruri). Gjenerali ia besoi rolin e “kujdestarit të Muzeve”: Italia e re do të niste nga muzetë. Dhe Dumas për tre vjet u përpoq për të organizuar, kataloguar, për të bërë muzetë dhe gërmimet pjesë të jetesës së Napolit të bashkuar. Por pastaj borgjezia meskine napolitane, intelektualët dhe antikuaristët e izoluan këtë francez të suksesshëm se ai donte të vinte dorë, sipas tyre, në gjëra jo të tij. Dumas dha dorëheqjen dhe u kthye në Paris. Por për Napolin, “qytetin e haresë dhe këngëve të gëzuara, ku fytyrat qeshin si bluja e kupës qiellore”, tani kishte rënë në dashuri dhe vazhdoi të shkruajë.
Dumas nuk kryen kurrë gabime, si shumë historianë më vonë, të ngatërronte kusarët dhe mafia. Fenomene të largët dhe arsye të ndryshme. Autori i Kontit të Monte Kristos mund të vëzhgojë dhe të përshkruajë pushtetin si pak kush. Në romanet e tij ai është i joshur dhe i lodhur në të njëjtën kohë. Faqet e tyre vërtiten rreth pushtetit në të gjitha format e tij nga ambiciet tek përgjegjësit, nga epshi i artit tek ai i nderit. Dumas e ka të vërtetë Napolin. Ai tregon fuqinë e Kamorrës. E sheh atë, e vëzhgon. “Ferdinand II, Francis II, Garibaldi, Farini, Nigra, Cialdini, San Martino, La Marmora, të gjithë nuk janë tjetër pos anae dukshme e pushtetit, pushteti i vërtetë është i fshehur, është Kamorra.” Dumas përfshin një element kyç të injoruar shpesh edhe sot: Kamorra është perceptuar si një fuqi e brendshme, intime, natyrore dhe e pakundërshtueshme, që shpaloset në intimitetin e njerëzve shumë më përpara se të jetë një pushtet mbresëlënëse, publik, i hapur dhe i pakonfondueshëm. Kamorra është një pushtet i pranishëm dhe i afërt. Një qeveri monarkike, një mëkëmbësi, një demokraci, një republikë ajo mund t’i mposhtë të gjitha, mund t’i kundërshtojë, mund t’i shpëtojë policisë së tyre, t’i mundë ushtritë e tyre. Mund të mendosh pastaj për përmbysjen apo reformimin e tyre. Për Kamorrën jo. Ajo është afër dhe brenda shtëpisë. Ju nuk mund as edhe të imagjinoni për ta mundur atë. Ajo është shumëvjeçare, e fortë, është hidra që përtërin veten.
Dumas shkruan: “Napoli, i cili bëri një revolucion me Masaniello të mos paguajnë taksën e vendosur nga Duka i Arcos nda frutave, nuk ka menduar kurrë t’iu kundërvihet Kamorristave.” E përshkruan mekanizmin e dallavereve si një gazetar i cili është pjesë e indeve lidhëse të qytetit. Fuqia e Kamorrës mbi trafikantët, policinë, tregjet. Deri edhe në grabitjen e shpërndarjes së gazetave: kioska të cilat nuk hapen, sepse ata nuk mund të paguajnë ryshfetin. “Kamorrës nuk i shpëton asgjë nga kontrolli, por cili është mbreti që ia ka dhënë këtë të drejtë? Askush. [...].” Dumas e tregon atë jo si një fenomen të folklorit, nuk e nënvlerëson këtë problem. E shikon si pushtet që ndikon dhe transformon jetën e të gjithëve. Pas tij për më shumë se një shekull, shpesh do t’i hidhet një sy lagjes së Kamorrës. Si një produkt i mjerimit vulgar, një organizatë e poshtër gjakpirësish dhe fshatarësh. Tek tjetër gjë Dumas e sheh rrezikun. E shikoni atë në ndërtimin e një klase të mesme dhe një pushteti që prek politikën dhe nuk lejon asnjë lloj të ndryshimeve në shoqërinë që e qeveris Ferdinand I, Garibaldi apo Vittorio Emanuele II. Të dëgjosh tingëllimin bashkëkohor të këtyre fjalëve është me të vërtetë e mahnitshme. Shkrimtari ka parë qetësinë dinamike të Napolit. Dumas i cili ka jetuar dhe vëzhguar në jug të Italisë ka dëshmuar me kokëfortësinë e tij të gazetarit se të tregosh dramën, pushtetin, korrupsioni nuk është një mënyrë për të lënduar një vend, por aktit më i lartë i dashurisë./Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ (voalonline.ch)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›