E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur të mëson historia

Nëse Frederikun II të Prusisë, që mbretëroi në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, do ta kishte njohur ndokush prej nesh, do të habitej si gjermanët e veçuan me mbiemrin “I madhi”. Ishte i dobët, syçakërr, i pisët dhe me uniformë gjithë njolla, që hante pak, jetonte keq, i shërbyer vetëm nga dy ndihmës, dhe nisi mbretërimin e një shteti që nuk është se ndryshonte shumë nga dhjetëra principatat që përbënin Gjermaninë e sotme. Ca më keq se ato, siç thoshte Georg Heinrich von Berenhorst, ndihmësi personal i mbretit: “Monarkia Prusiane nuk është një shtet me ushtri, por një ushtri e dislokuar në një fushim që quhet vend”. Potsdami, rezidenca mbretërore, më shumë i ngjante një kazerme se qyteti. Babai i tij, Frederiku I, donte të rriste një djalë-ushtar, të denjë për ushtrinë me aq mund krijuar. Por djali ishte natyrë e butë, i dashuruar me kulturën franceze, shkruante poezi, dhe me gjasa, homoseksual. Tentoi edhe t’i shmangej detyrimit atëror të trashëgimisë, duke u arratisur me mikun e tij të zemrës, Hans Hermann von Katte, por u kap. Mikut, me urdhër të mbretit iu pre koka dhe e vendosën në një hu të kalbej përpara qelisë ku ishte burgosur princi. Trashëgimtari i shpëtoi në fije të perit hanxharit të xhelatit. Shkruajti një broshurë ku u këndonte të drejtave njerëzore, të quajtur “Antimakiaveli”, që një francez i quajtur Volter, do ia botonte në Bruksel. “Kurora mbretërore, është një kapele që nuk të mbron as nga shiu”, ishte shprehja e preferuar e Frederikut II pasi hipi në fron. Por ishte një pushtet që e ndihmonte të plazmonte shtetin që kishte në mendje. Themeloi Akademinë Prusiane të Shkencave dhe Letrave nën kryesinë e francezit Maupertuis. I dha strehë Volterit në rezidencën e tij mbretërore në Sansousi. Emanuel Kant shkruante nën mbrojtjen e mbretit. Një ndër pesë berlinezë, ishte hugenot francez, skocez, hebre apo mysliman, i përndjekur nga vendet e tjera për fenë e tij, dhe që kishte gjetur strehë në qytetin kozmopolit të Frederikut. Ish-fëmija delikat, u shndërrua edhe në një prijës luftarak. Pushtoi krahina dhe principata kufitare. Në fund të mbretërimit të tij, Prusia ishte ndër fuqitë e mëdha të Europës. Por më shumë se novatorizmi i artilerisë së tërhequr nga kuajt, ajo që e bëri të pathyeshme Prusinë dhe nën shembullin e saj e adoptoi gjithë Gjermania, ishte administrata prusiane. Ajo administratë që më vonë do të imitohej anembanë botës nga ithtarët e civilizimit perëndimor. E saktë, e përpiktë, e ftohtë, e disiplinuar, e papërshkueshme nga ndjenjat, e papërkulshme nga korrupsioni, ishte kryevepra më e madhe e Frederikut II. Gati dyzet vjet pas vdekjes së Frederikut të Madh, një shtëpi tjetër perandorake e quajtur e osmanëve, nisi përpjekjet për modernizimin e perandorisë. Francezi Claude Alexandre, kont i Bonevalit, reformoi trupën e xhenierëve dhe artilerisë; baroni me origjinë hungareze Fransua de Tott themeloi Akademinë Ushtarake, ku skocezi Campbell Pasha iu jepte matematikë kadetëve. Nën këshillat e gjeneralit Jean Baptiste u ngrit këmbësoria e re e stilit europian, e quajtur Nizam i Cedit. Mahmuti II shtypi kryengritjen e jeniçerëve që e kundërshtonin. Djali i tij, Abdul Mexhid I ndërtoi të parin pallat mbretëror të stilit europian të quajtur Dollmabahçe, me 285 dhoma, 44 sallone, 68 tualete, 6 hamame, të stolisura me 14 ton ar në tavane, ku në sallën më të madhe “Muajede” është shtruar tapeti 400 metra katrorë dhe ndriçon llambadari 4 tonësh, dhuratë nga mbretëreshë Viktoria e Britanisë së Madhe. Abdyl Mexhiti I, u përpoq të implementonte Reformën e Tanzimatit, të nisur nga babai i tij, reformë që konsistonte në sistemin e taksave dhe administratës. U themelua Asambleja e Dijes sipas modelit të Akademisë Franceze, e ndjekur dy vjet më pas nga Shoqëria Osmane e Dijes. James Redhous, përkthente tekstet europiane për Akademinë Detare. Por perandoria para së gjithash kishte nevojë për një sistem taksimi dhe administratë, të cilën shtëpia e osmanëve me Tanzimatin e saj, nuk qe në gjendje t’ia impononte shoqërisë otomane. Sepse nuk mundej teknologjia perëndimore të zëvendësonte atë që është zemra e vërtetë e modernizimit, që është administrata dhe ligjet. Administrata, ligjet e sakta dhe zbatimi i tyre, ishte shkaku që në fund të shekullit të 19-të, Prusia e Bismarkut diktonte fatet e botës, ndërsa mungesa e administratës, ligjeve dhe zbatimit të tyre, ishte arsyeja pse në fund të po këtij shekulli, Perandoria Otomane quhej “I sëmuri i Bosforit”. Gjithë sa më sipër, janë vetëm dy ndër shumë rastet, kur historia ndihmon për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Pas një muaji, fituesit e zgjedhjeve të 23 Opinioni i Ditës qershorit, Edi Rama dhe Ilir Meta, do të marrin pushtetin. Do përpiqen të nisin makinën që nuk mundi të niste Berisha, duke menduar se vetë janë më të zotë dhe mund t’ia dalin? Apo do të përpiqen të ngrenë një administratë moderne, të selektojnë njerëzit e aftë dhe t’i kthejnë në ushtarë të shtetit të shqiptarëve, të zbatojnë ligjet duke nisur që nga vetja, ku siç thoshte Frederiku i Madh, “Sovrani nuk është asgjë më shumë se qytetari i parë që u bindet ligjeve”? Në fakt, sa më sipër, është histori perandorish të mëdha dhe burrash shteti seriozë. Pas njëqind vjetësh shtet, nuk mendojmë të bëhemi një Prusi e re. Vetëm se e meritojmë pak më shumë fat nga sa kemi pasur deri më sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›