E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse ky hendek gjinor në PD?

Si shumëkush në këtë periudhë garimi për kreun e PDsë, kam ndjekur mjaftueshëm analizat e personazheve politike e mediatike, si dhe prezantimin e dy kandidatëve pjesëmarrës në garë. Si eksperiencë e parë në historinë 23-vjeçare të kësaj partie, sigurisht gara nxiti kureshtjen e opinionit publik për ta ndjekur atë në të gjitha dimensionet e saj, e për të kuptuar më mirë rolin e opozitës së re në katër vitet e ardhme, që në mënyrë të pashmangshme lidhet me zhvillimet në vend. E prirur ta shihja këtë garë nga këndvështrimi gjinor, ajo që realisht më interesonte ishte të shihja se sa gjithëpërfshirëse e reflektive ndaj përvojave të së shkuarës ishte programi i prezantuar nga dy kandidatët në garë. Pa dashur të paragjykoj, nuk është se prisja shumë, sidomos në aspektin gjinor. Gjithsesi nuk mendoja që kandidatët, edhe pse të mbërthyer nga ethet e garës, tërësisht të injoronin mundësinë e korrigjimit të defiçencave gjinore, kaq evidente në të shkuarën e kësaj partie. Në më të shumtën shpresoja të kishte një alternativë më të moderuar, dhe në më të paktën, minimalisht të ruhej territori gjinor i fituar me kaq mund. Për fat të keq konstatova vazhdimësinë e një evidence të qartë të shtypjes së dyfishtë të grave demokrate ushtruar nga jashtë (partia) dhe brenda (vetë gratë), ku statusi i tyre haptazi ndihej i kërcënuar nga pabarazia. Faktet kokëforta tregojnë gjithçka që ndodh realisht. Duke iu referuar rezultateve të PD-së gjatë zgjedhjeve të fundit lidhur me përfaqësimin femëror në legjislativ (8 deputete femra për 2013-ën dhe 10 deputete femra për 2009-ën), vëmë re që ky përfaqësim të jetë reduktuar me dy mandate në zgjedhjet e fundit. Po ashtu, sikundër dhe partitë e tjera politike, PD-ja preferoi shlyerjen e gjobës përkundrejt zbatimit rigoroz të Kodit Elektoral, i cili kërkon përfaqësimin e një kandidateje femër në çdo treshe të parë të listave elektorale. Shlyerja e kësaj gjobe nga ana e PD-së çoi në atë që, komuniteti i grave demokrate në rajonet Elbasan, Berat, Kukës e Dibër të humbasë shansin për t’u përfaqësuar e influencuar debatin parlamentar në Kuvendin e Ri të Shqipërisë. Gjithsesi, nuk është se prisja të ndodhte ndryshe në garën për kreun e PD-së. Nëse u referohemi fakteve, përfaqësimi femëror në strukturat parlamentare në 8 vitet në pushtet të PD-së (2009-2013) është 0% në një prej komisioneve të rëndësishme parlamentare siç është ai i “Sigurisë Kombëtare”. Duke iu referuar Rezolutës 1325 mbi Gruan, Paqen dhe Sigurinë (ratifikuar dhe nga Parlamenti shqiptar), që thekson rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë dhe angazhimin e plotë të gruas në proceset e paqes dhe sigurisë, apo dhe rolit të saj në vendimmarrje, gjykoj se s’ka vend për koment. I tillë është ky përfaqësim, pra 0%, edhe në komisionin tjetër parlamentar po kaq të rëndësishëm për gruan, si ai i “Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë e Mjedisit”. Edhe në radhët e kryetarëve të grupeve parlamentare, nënkryetarëve të këtyre grupeve, si dhe sekretariatin për marrëdhënie me jashtë, ky përfaqësim është 0%, edhe pse ky institucion për 8 vjet radhazi është drejtuar nga një grua, njëherazi dhe pjesë e lidershipit të lartë politik të kësaj partie. Platforma elektorale e demokratëve në zgjedhjet e 2013-ës po ashtu evidentonte mungesën e një vizioni dhe orientimi të kësaj partie ndaj çështjeve gjinore. Sikundër dhe jam shprehur në shkrimin “Demokracia e Barazisë”, botuar ditë më parë në gazetën “Tirana Observer”, platformave elektorale të këtyre zgjedhjeve u mungoi identifikimi i nevojave të të dyja gjinive, si dhe përshtatja e tyre me prioritetet e zhvillimit rajonal. I munguar ishte dhe prezantimi i burimeve të buxheteve, afateve kohore dhe strategjisë se si do të realizoheshin premtimet e “mëdha” parë nga këndvështrimi gjinor. Nëse do të realizoheshin, të marra së bashku ato do të ndikonin në rritjen e kontingjentit të grave votuese në mbështetje të partive politike, që në një të ardhme të afërt do të ndikojë rezultatet elektorale. Ashtu sikundër dhe simotrat e tyre në vende të ndryshme të botës, gratë votuese shqiptare do të dinë ku ta japin votën, e pse jo dhe të përcaktojnë fatet e forcave politike për qeverisjen e vendit. Në 8 vitet e pushtetit të saj (2009-2013), PD-ja po ashtu nuk mundi të konfiguronte qeverinë me një përfaqësim të drejtë gjinor, apo tendencë për një përfaqësim gjinor proporcional në raport me anëtarësinë e saj. Përfaqësimi femëror në vendimmarrjen më të lartë qeverisëse të kësaj partie, e matur numerikisht me 1 apo 7.1%, qëndroi konstant gjatë gjithë kohës që ishte në pushtet. Amendimi në Ligjin e Barazisë Gjinore, propozuar në 2008-ën nga kjo qeveri, rezulton i parespektuar. Fokusi i limitizuar i zhvillimeve gjinore në lidershipin qeverisës të PDsë në nivel nacional, e çoi përfaqësimin femëror në kuotat më të ulëta të mundshme të lidershipit qeverisës në nivel lokal. Qeverisja lokale duhet tashmë të marrë vendime të rëndësishme që prekin drejtpërsëdrejti jetën e përditshme të gruas. Rezultatet e zgjedhjeve lokale 2011 e treguan më së miri këtë. Duke iu kthyer garës së dy kandidatëve, do të ishte në interes të komunitetit të gruas demokrate, por dhe më gjerë, nëse kandidatët do të prezantonin alternativa që korrigjojnë apo zbusnin sadopak diskriminimin e ushtruar mbi gruan demokrate në politikë. Të përjashtuara prej tyre nga shtresat tradicionale të PD-së, që sipas kandidatëve ishin grupet e militantëve, të përndjekurve politikë, pronarëve, botës akademike dhe rinisë, gratë demokrate u ndjenë të përjashtuara edhe nga proceset e reformimit të kësaj partie. Duket qartë që gruaja demokrate, edhe pse përbën afro gjysmën e partisë (afro 40% sipas burimeve të brendshme të partisë), nuk e ka vëmendjen e partisë, e për rrjedhojë dhe mundësinë e përmirësimit të statusit të saj politik. Teza për shndërrimin e Forumit të Lidhjes së Gruas Demokrate në një seksion partie, me pretendimin e rritjes së rolit të kësaj strukture, është e paqartë në formulim dhe mision. Struktura e prezantuar nga kandidatët nuk krijon besimin e një konsiderimi serioz dhe funksional të kësaj strukture. Për më tepër, ajo nuk tregon një status më të lartë të kësaj strukture nëse krahasohet me atë aktuale, sikundër dhe duhet të ndodhë. Në vijim të kësaj logjike, po ashtu nuk kam mundur të kuptoj pse në 8 vitet e Partisë Demokratike në pushtet asnjëherë nuk u mblodh Kongresi i Gruas Demokrate, edhe pse e parashikuar në statutin e Forumit të saj. Dhe vazhdoj të mos kuptoj heshtjen e gruas demokrate ndaj nominimit të kreut të Forumit të Gruas Demokrate nga lidershipi i lartë i PD-së, që hapur dhe në mënyrë flagrante shkeli standardet e procesit të konkurrimit, kandidimit e transparencës. Kreu i këtij Forumi do të duhej të propozohej e zgjidhej nga votimi i vetë organeve drejtuese të këtij Forumi dhe anëtarësisë së tij. Edhe aplikimi i tezës “një anëtar-një votë”, i propozuar së fundi për zgjedhjen e organeve drejtuese të strukturave të partisë, përfshi dhe atë të gruas, nuk është se do të sjellë standard të ri për aq kohë sa kandidaturat për postet drejtuese do të jenë monopol i drejtuesve apo kryetarit të partisë. Nuk mund të sjellin standarde mungesa e konkurrencës dhe kritereve në kandidim, paracaktimi i kandidatëve nga lidershipi i partisë, mungesa e miratimit dhe respektimit të kandidaturave nga baza e partisë, apo moskonsiderimi i meritokracisë dhe kontributi i kandidaturave në parti dhe shoqëri. Nuk mund të sjellë standard refuzimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile, sikundër ndodhi me kryetaren aktuale të Forumit të Lidhjes së Gruas Demokrate gjatë proceseve elektorale 2013. Gjithsesi, të krijohet përshtypja sikur gratë demokrate të angazhuara në politikë janë pajtuar me taktikat abuzive të ushtruara ndaj tyre nga nivele të ndryshme të pushtetit, që do të thotë se ato vazhdojnë të kontrollohen nga dominanca mashkullore. Mesa duket gratë demokrate e trajtojnë këtë çështje më shumë si pjesë të kulturës tradicionale të politikës sesa dhunim të të drejtave të tyre. Vazhdimësia e kësaj situate do ta mbajë konstante këtë diskriminim, pavarësisht standardeve europiane të miratuara dhe tashmë obligim dhe për forcat politike shqiptare. Nëse kultura e punës së një partie do të ndikohet vetëm nga një gjini, nuk do të mund të ketë hapësira për mirëkuptim apo respektim të të drejtave të gjinisë tjetër. Fuqizimi politik i gruas kërkon domosdoshmërisht demistifikimin e proceseve politike. Të përjashtosh gjysmën e burimit njerëzor të partisë dhe gjysmën e talenteve të mundshme nga politikat dhe objektivat e politikës nuk ka sens, e për rrjedhojë as mundësi ndryshimi. Edhe pse mund të ndodhë që oportunitetet e ofruara të mos sjellin menjëherë rezultatin e barazisë, ato duhen motivuar. Nxitja e rolit të gruas në avokatimin e brendshëm në parti e më tutje në qeveri, dhe influencimi i saj në politikat/ programet e partive apo ato qeverisëse, mundësojnë që gjysma tjetër e anëtarësisë së partisë, pra pjesa e saj femërore, të kontribuojë efektivisht në përmirësimin e klimës dhe kulturës politike në Shqipëri. Kjo padyshim do të ndikojë në rritjen e rolit adekuat të politikës shqiptare. Një bashkëpunim i balancuar ndërmjet dy gjinive do ta bënte punën brenda radhëve të partisë më dinamike. Një bashkëpunim i tillë do të gjeneronte një diskutim konstruktiv që nxit frymën e bashkimit e tolerancës ndërmjet anëtarëve. Për aq kohë sa nuk ndodh kjo, heshtja apo zëri i munguar i gruas do të jetë burimi i mbajtjes në pushtet të dominancës mashkullore. Shpjegimet inoçente për pabarazinë aktuale në lidershipin politik e organet vendimmarrëse nuk mund të mbulojnë padrejtësinë apo diskriminimin gjinor ekzistues brenda radhëve të demokratëve. Mungesa e aspektit real gjinor (dhe jo leksikut gjinor që partitë politike aq bujarisht e falin) në programin politik të kësaj partie, kërkon ta përmirësosh atë nëpërmjet përgatitjes së politikave e programeve që rezonojnë me çështjet dhe problematikën reale të gruas. Për këtë duhet konsulencë, njohuri dhe ekspertizë gjinore, dhe jo siç ka ndodhur deri më sot. Ka ardhur koha që gratë demokrate të përballen me sfidat në luftën për të fituar, ruajtur dhe zgjeruar territorin e tyre, pasi jetojmë në epokën e teknologjisë së zhvilluar. Në të kundërtën, ato do të vazhdojnë të diskriminohen. Shpreh bindjen se gratë demokrate do të dinë të shfrytëzojnë shanset që ofron bota e oportuniteteve dhe të drejtave të njeriut, e cila i jep çdokujt shansin për të përdorur potencialin e tij. Zëri i grave demokrate, në këto çaste të dialogut dhe reformimit të Partisë Demokratike që po përgatitet për të dalë në opozitë, do të demonstrojë jo vetëm kapacitetet e tyre, por dhe se ato dinë të promovojnë vlerat e demokracisë në një familje më të madhe, si ajo e partisë. 
*Analiste për çështjet gjinore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›