E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kura me sodë, grup onkologësh hetojnë efektin

“Pacienti italian Luca Olivelo ka gjetur vdekjen si pasojë e kancerit në tru, ku është konstatuar një masë tumorale”.

Kështu shprehen mjekët ligjorë shqiptarë në lidhje me vdekjen e të riut nga Italia i sëmurë me kancer, që u mjekua pa sukses me sodë buke. Prokuroria e Tiranës po heton procedurën e mjekimit, por autopsia paraprake në Tiranë nuk i shkon në ndihmë hetimit të nisur për vdekjen e 27-vjeçarit italian Luca Olivelo, i mjekuar me sodë buke nga mjeku Tulio Simonçini.

Sipas burimeve nga Policia, autopsia paraprake (se ciles i eshte referuar sot Panorama) e zhvilluar në Tiranë për pacientin që humbi jetën më 18 tetor nuk thotë asgjë në lidhje me dyshimet e ngritura për mjekimin e të riut. Akti i autopsisë ende nuk është administruar në dosjen e cila i është deleguar Policisë me një urdhër nga Prokuroria për kryerjen e veprimeve hetimore.

“Nga të dhënat që kemi, vdekja e 27-vjeçarit ka ardhur si pasojë e sëmundjes së pashërueshme. Gjatë autopsisë në kokën e tij është gjetur një masë tumorale”, thanë burimet nga hetimi. Sipas zyrtarëve të hetimit, autopsia nuk thotë asgjë në lidhje me mjekimin me sodë buke të kryer mbi pacientin nga mjeku italian, Tulio Simonçini.

Meqenese autopsia nuk jep shpjegime në lidhje me efektin që ka pasur kura me sodë buke, është vendosur krijimi i një grupi mjekësh të fushës, kryesisht me onkologë për të verifikuar qartësisht dhe në mënyrë shkencore ecurinë e sëmundjes së pacientit pas nisjes së trajtimit nga personi nën hetim Tulio Simonçini. Po kështu, këtij komisioni mjekësor do t’i kërkohet që të dalë me një konkluzion në lidhje me mjekimin e ndjekur, çfarë efekti ka pasur në shëndetin e pacientit dhe përfundimisht, nëse mjeku nën hetim ka kryer apo jo vepër penale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›